1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Problemi i refugjatëve të Italisë mbetet i pazgjidhur

Christian Ignatzi/ Auron Dodi12 Prill 2014

Gati përditë përpiqen mijëra vetë të arratisen nga Afrika në Itali. Vëzhguesit e kritikojnë trajtimin që u bën refugjatëve qeveria italiane. Ndihmë mund të japin shtete të tjera të BE.

https://p.dw.com/p/1Bgcs
Refugjatë në Itali, mars 2014
Fotografi: picture-alliance/AP Photo/Italian Coast guard

4000 refugjatë me varka në 48 orë. Shifrat që ka publikuar këtë javë qeveria në Romë nuk lënë vend për dyshim: rrymat e refugjatëve përmes Mesdheut po rriten gjithnjë e më shumë. "Me të vërtetë që është kështu", konfirmon Stefan Telöken nga Organizata e OKB-së për refugjatët në bisedë me DW. Kjo në një kohë kur nuk bëhet fjalë për vetëm për refugjatë të varfërisë nga shtetet nën Sahara: "Shumica janë refugjatë nga Siria, të cilët marrin arratinë nga lufta civile." Një ndër katër vetë, i cili ndodhet aktualisht në Siri, sipas UNHCR-së është një i dëbuar nga Siria.

Qeverinë italiane e shqetëson së tepërmi numri i madh i refugjatëve nga Afrika e Veriut: ministri i Brendshëm, Angelo Alfano flet për 300.000 deri 600.000 refugjatë, të cilët së shpejti mund të nisen me varka. Bernd Mesovic nga Organizata Pro Asyl e konsideron këtë shifër të zmadhuar. "Kjo shifër duket se vjen nga burimet e shërbimeve të fshehta italiane, nëse është e saktë, nuk dihet. Numri aktualisht më i madh i refugjatëve, që vijnë me anije në bregdetin italian mund të ketë të bëjë edhe me motin e mirë dhe kushtet e mira në det". Pranvera ndikon në shifrat, të cilat në dimër janë shumë më të ulëta.

Edhe në Bullgari ka shumë refugjatë

Stefan Telöken thotë se në të gjithë botën ka një shtim të numrit të refugjatëve. Problemi: kamerat e medieve drejtohen krejtësisht në vende ku ka vështirësi, si Mesdheu. "Italia e shfrytëzon këtë natyrisht, për të tërhequr vëmendjen", beson eksperti i Pro-Asylit, Mesovic. Edhe në Bullgari ka një numër të madh refugjatësh, edhe në Turqi ky numër qe i madh, derisa BE vuri në dispozicion mjete financiare, për të ngritur gardhe, thotë Mesovic.

Qeveria italiane përpiqet që me komunikimin e këtyre shifrave të marrë ndihma të tjera nga BE. Në vitin 2012, Italia tërhoqi vëmendjen. Atëherë, Roma i kthente refugjatët, që donin të arrin përmes Mesdheut në Itali, që në det pas. Gjykata Evropiane ndërhyri dhe u kujdes që Italisë të mos i lejohet ta bëjë më këtë. Megjithatë, shkeljet e të drejtave të njeriut vazhdojnë.

Vërtet që anijet nuk kthehen më pas, por një pjesë të refugjatëve i marrin në pyetje që në anije. "Ne e dimë këtë nga mediet italiane dhe nga NGO-të që merren me këtë çështje", thotë Mesovic. Stefan Töleken thotë se duhet të ketë patjetër "procese gjyqësore të shpejta dhe korrekte, sipas së drejtës ndërkombëtare". Prandaj Italia i ka kërkuar në këtë drejtim disa herë ndihmë Komisionit Evropian. Në to bëhet fjalë për furnizimin e të prekurve, dhe për nisjen e proceseve gjyqësore.