1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pritje të mëdha nga takimi i Gjenevës

Bernd Riegert/Bahri Cani17 Prill 2014

NATO ka forcuar prezencën në lindje, ndërsa PE pret shumë nga samiti në Gjenevë. Në NATO dhe në PE janë dëgjuar paralajmërime serioze për shkallëzimin e gjendjes në Ukrainë dhe cënimin e paqës në Evropë.

https://p.dw.com/p/1Bjxo
Parlamenti Evropian në Strasburg
Fotografi: picture-alliance/dpa

Në prag të takimit katër palësh BE, SHBA, Rusi dhe Ukrainë në Gjenevë NATO dhe Parlamenti Evropian kanë përcaktuar qëndrimet e tyre në Bruksel. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Anders Fogh Rasmussen ka kërkuar nga Rusia që të mos e destabilizojë më tutje Ukrainën dhe të kërkojë zgjidhje të krizës. "Ne kemi vendosur që të ndërmarrim një radhë masash ushtarake, për të ngritur aftësinë tonë mbrojtëse dhe për të treguar solidaritet me vendet partnere", tha Rasmussen pas takimit të 28 ambasadorëve të NATO-s.

Të tregojmë solidaritet: Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Rasmussen
Të tregojmë solidaritet: Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s RasmussenFotografi: Reuters

Ditët e ardhshme NATO do të dërgojë avionë shtesë në vendet e Baltikut, do të forcojë marinën në Detin Baltik dhe do të dërgojë forca shtesë për këshillime dhe stërvitje në Rumani dhe Poloni. Por Rasmussen nuk deshi të saktësojë numrin e saktë të forcave, që do të dërgohen në këto rajone. Diplomatët në Bruksel thonë se deri tani nuk janë dërguar njësi për luftë.

Deri tani nuk është vendosur që të dërgohen njësi të NATO-s në vendet, që kufizohen me Rusinë dhe Ukrainën, tha ai. Qëllimi i Aleancës është që të dëshmojë vendosmëri në prag të takimit katër palësh në Gjenevë me Rusinë.

PE kërkon nga Rusia të tërhiqet

Njëkohësisht për gjendjen në Ukrainë është debatuar edhe në Parlamentin Evropian. Komisioneri për Zgjerimin Stefan Füle pohon se BE-ja është e gatshme të vendosë sanksione kundër Rusisë, në qoftë se nuk e ndryshon kursin e tanishëm ditët e ardhshme.

Gati të gjithë folësit në PE shpresonin se bisedimet e Gjenevës, ku do të jenë ministrat e jashtëm të SHBA, Rusisë, Ukrainës dhe shefja e diplomacisë evropiane Catherine Ashton, do të japë fryte të mira. Eurodeputeti gjerman Alexander Graf Lambsdorff pohon: "Edhe në kohërat më të errëta të Luftës së Ftohtë ka pasur dialog me Moskën. Ndaj ky dialog duhet të vazhdojë."

Ai i gëzohet takimit në Gjenevë, por "nuk është i sigurt, nëse do të ketë ndonjë zgjidhje të shpejtë". Dialogu megjithatë duhet të vazhdojë: "Paqë në Evropë nuk do të ketë kurrë kundër Rusisë, por me Rusinë."

Përzierja e Rusisë

Shumica e folësve ishin të mendimit se Rusia qëndron pas tendosjeve në lindje të Ukrainës dhe se BE duhet të gjejë rrugë të tjera për të zbutur varshmërinë nga gazi rus. "Ne duhet të krijojmë një bashkësi energjitike, sepse vetëm kështu mund t'i themi presidentit Putin: gazin dhe vajin tënd mbaje për vete!", tha Johannes van Baalen.

Eurodeputetja ekologjiste Rebecca Harms
Eurodeputetja ekologjiste Rebecca HarmsFotografi: picture-alliance/dpa

Liberali holandez ishte në të njëjtën linjë me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Rasmussen: "Ne duhet të investojmë në NATO, në mbrojtjen tonë të përbashkët të Evropës, SHBA-së dhe Kanadasë. Ai, që do paqe, duhet të jetë i gatshëm. NATO duhet të jetë pikërëndesa jonë", theksoi van Baalen.

Kramatorsk në Ukrainën Lindore me 16.04.2014
Kramatorsk në Ukrainën Lindore me 16.04.2014Fotografi: picture-alliance/dpa

Eurodeputetja ekologjiste Rebecca Harms, e cila edhe vetë ka qenë në Ukrainë, kërkon nga BE që të pozicionohet qartë pas qeverisë kalimtare në Kiev. Rusia nuk guxon të evitojë zgjedhjet e lira presidenciale në Ukrainë, tha Harms. Zgjedhjet janë planifikaur të mbahen me 25 maj, në ditën kur do të mbahen edhe zgjedhjet për Parlamentin Evropian.

"Rusia ka të drejtë të ndërhyjë"

Por në PE ka pasur dhe zëra, që thonë se Rusia ka të drejtë të ndërhyjë. Konservatori britanik Andrew Brons kritikoi BE-në për ndërhyrje në punët e brendshme të Ukrainës. Krimeja ka qenë gjithmonë ruse, ndaj aneksioni nuk është në kundërshtim me të drejtën, thotë ai dhe shton: "Protesat në Ukrainë janë nxitur nga BE-ja, kur presidenti Janukoviç refuzoi nënshkrimin e marrëveshjes për tregti. Kjo ishte një përzierje e madhe në punët e brenshme në Ukrainë me më pak të drejtë, nga ç' ka Rusia të përzihet", tha Brons.

Ndërsa eurodeputeti gjerman Elmar Brok (CDU) u shpreh kundër këtyre pohimeve. Brok kërkon nga Rusia që të ndërrojë kursin e tanishëm dhe në takimin e Gjenevës të tregohet konstruktive: "Nëse dështon takimi i Gjenevës, atëherë ne duhet të themi se Rusia e ka shkatërruar të drejtën ndërkombëtare, e cila ka vendosur paqën për dekada të tëra. Ndaj kjo çështje nuk ka të bëjë vetëm me Ukrainën, por me paqen në Evropë."