1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pritja e gjatë e zotit Higgs - Ç'është grimca Higgs?

Brigitte Osterath / Vilma Filaj-Ballvora9 Tetor 2013

"Englert kush?" Me një orë vonesë më në fund u shpallën dy nobelistët në fushën e fizikës. Njërin prej tyre e njeh e gjithë bota, ndërsa tjetri është pothuajse i panjohur.

https://p.dw.com/p/19waw
Peter HiggsFotografi: picture-alliance/dpa

Pak para drekës, në orën 11:45' sipas orës së Evropës Qendrore, të martën (08.10.2013) si çdo vit Komiteti Nobel duhej të dilte para medias për të prezantuar të vlerësuairt e sivjetëm më Çmimin Nobel në fizikë. Por kësaj here nuk ndodhi kështu. Mesdita trokiti dhe gjithçka ishte ndryshe: Juria ishte ende duke negociuar, bëri të ditur Akademia Mbretërore e Shkencave të Suedisë në Stokholm.

Bota priste me interes të mësonte se cilët janë fituesit. Përse zgjati kaq gjatë? A do të ishte sivjet vërtetë Peter Higgs, fizikanti skoncez i Universitetit të Edinburgut, i cili ishte nominuar një herë në vitin 1964 për parashikimin e ekzistencës së grimcës Higgs?

"Me sa di unë Higgs është nominuar për herë të parë të paktën para 20 vjetësh" i tha DW Franz Muheim, fizikant në Universitetin e Edinburgut. Por tani, që Organiazat Europiane për Studimet Bërthamore në Gjenevë, CERN, e ka vërtetuar ekzitencën e grimcës Higgs, spekulimet u bënë edhe më konkrete. Rrallëherë ka pasur një favorit, për të cilin shansi ishte kaq konkret për t'u vlerësuar me Çmimin Nobel. Dhe rrallëherë ka pasur kaq vonesë në komunikimin e emrave të fituesve.

Nderim i madh për një grimcë të padukshme

Pak pas mesditës në orën 12:45' Staffan Normark, sekretar i përhershëm i Akademisë së Shkencave komunikoi për median: "Sivjet Çmimi Nobel ka të bëjë me diçka fare të vogël, por që ka vlerë të jashtëzakonshme." Me fjalë të tjera Higgs është nobelisti i sivjetëm në fizikë, por ka edhe një tjetër.

Krahas të famshmit Peter Higgs u vlerësua edhe belgu François Englert nga Universiteti i Lirë i Brukselit. Sepse në të njëjtën kohë pavarësisht nga Higgs, ai ka parashikuar në teori ekzistencën e grimcës Higgs. Por ai u harrua jashtë qarqeve të fizikës së grimcave elementare, sepse grimca mori emrin e Peter Higgs - "me gjasë, pasi emri im është më i kapshëm", ka hemendësuar një herë vet Higgs.

Nobelpreis Physik 2013 Peter Higgs Francois Englert
Fituesit e Nobelit 2013 për fizikë: Peter Higgs dhe Francois EnglertFotografi: Reuters

Reagimi ndaj çmimit

"Jam i kënaqur", i tha François Englert Komitetit Nobel teksa atë e uruan drejtpërdrejtë në telefon. Ndërsa Peter Higgs fillimisht nuk kapej në telefon - por e gjithë bota donte ta njihte atë. Më në fund Peter Higgs bëhet i njohur si një yll botëror. Madje mund të hamendësohet, se ndoshta pikërisht për këtë arësye ai edhe i është shmangur bujës së medias.

Përmes Universitetit të Edinburgut më në fund erdhi një lajm nga Higgs: "Jam jashtëzakonisht i emocionuar, nuk gjej fjalë të shprehem, për këtë vlerësim që më bëhet" shkrueht në faqen e tij të internetit dhe më tej "Dëshiroj të përgëzoj të gjithë ata, që kanë bashkëkontribuuar në zbulimin e kësaj grimce."

Sensacion shkencor - Vërtetohet me probabilitet të lartë grimca Higgs

Në vitin 2012 për Peter Higgs u bë realitet ëndrra e jetës së tij. Fizikani britanik, ndërkohë 84 vjeç, zhvilloi në vitin 1964 teorinë, se duhet të ekzistojë ndonjë grimcë, që i mundëson materies të bëhet materie. Kjo grimcë mori emrin e tij "grimca Higgs". Prej kohësh fizikantët e CERN kanë qenë në kërkim të grimcës misterioze. "Ne kemi një zbulim," komunikoi në korrik të 2012 drejtori i CERN-it, Rolf Heuer. "Ne kemi konstatuar një grimcë të re, që është në përputhje me Higgs-Boson."

Studiuesit e CERN-it janë pothuajse, por jo njëqind për qind të sigurtë. "Ne kemi nevojë për më shumë të dhëna", thuhet, por të dhënat aktuale tregojnë shenja të qarta, se ekziston një grimcë. A është me të vërtetë një sensacion? Me siguri që po. Rezultatet janë një sukses i madh për fizikanët në Qendrën Kërkimore Evropiane, CERN, të cilin ata e kanë pritur gjatë, pas dështimeve, incidenteve e avarive të shumta të sinkrotronit më të madh të grimcave në botë. Ata ishin gjithashtu nën presionin e madh të konkurrencës. Sepse një grup kërkimor amerikan në Fermilab pranë Çikagos kërkon prej disa vitesh grimcën e Higgs. Kohët e fundit ka qenë një garë kokë me kokë, të cilën CERN-i nuk donte ta humbiste në asnjë mënyrë.

Grimca Higgs i jep materies masën

Tani duket sikur CERN-i e ka fituar garën. Të paktën me një probabilitet të madh grimca e Higgs-it është kapur. Apo e thënë më saktë, po i afrohet nga ana statistikore. Sepse ajo nuk mund të shihet. Bosni Higgs është thjesht teori. E shpikur nga Peter Higgs, në letër, e dëshmuar në formula të pafundme fizike dhe matematike. Hipoteza e tij: diçka duhet t'u japë masë grimcave të tjera të shumta të materies. Sepse kuarket, elektronet dhe neutronet sipas përkufizimit të njohur matematikor nuk kanë masë e si rrjedhojë ato do të duhej të qarkullonin ngado dhe pa pushim me shpejtësinë e dritës, por nuk e bëjnë këtë: Pra, ka diçka që i frenon dhe u jep atyre masë e peshë. Eshtë pikërisht kjo ajo që duhet të bëjnë grimcat e Higgs-it. Dhe këto grimcat e Higgs-it, kështu thotë teoria, duhet të krijojnë kudo në univers një rrjet të dendur, në të cilin varen pjesët përbërëse të materies. Grimcat e Higgs-it janë diçka e tillë si zam, që mban së bashku grimcat e ndryshme elementare, nga të cilat përbëhet materia, pra edhe njeriu.

CERN Europäische Organisation für Kernforschung
CERN: grimca HiggsFotografi: 1997 CERN