1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Prishtina dhe Beogradi përplasen për Trepçën

Bekim Shehu19 Janar 2015

Vendimi i qeverisë së Kosovës që Kombinati Trepça të kalojë në pronësi të qeverisë, po kundërshtohet nga Beogradi. Qeveria e Serbisë po insiston që për të ardhmen e Trepçës, të vendoset në dialogun Prishtinë-Beograd.

https://p.dw.com/p/1EMlC
Ökonomie im Kosovo
Fotografi: DW/E.Ahmeti

Qeveria e Kosovës dhe parlamenti e zhvendosën për pak kohë nga agjenda e rendit të ditës diskutimin mbi projektligjin për ndërmarrjet publike. Miratimi i këtij ligji do ta shndërronte kompleksin e minierave të Trepçës që gjendet në veri të Kosovës, në ndërmarrje publike. Trepça me një vendim të Gjykatës së lartë të Kosovës duhej të hynte në procesin e likuidimit nga data dy shkurt (02.02.2015), e këtij viti. Për këtë vendim qeveria e Kosovës tha se po synon ta shpëtojë Trepçën nga falimentimi, i cili do të linte pa punë mijëra vetë. Ky vendim nxiti reagimin e qeverisë në Beograd, e cila kërkoi nga qeveria e Kosovës që të mos ta procedojë ligjin për Trepçën në parlament, sepse për këtë duhet të bisedojnë paraprakisht Prishtina dhe Beogradi.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa tha të hënën (19.01), se "për Trepçën duhet të bëhet një ligj i veçantë dhe se ndryshimet kushtëzohen edhe nga fakti se Trepça ka borxhe në vlerë prej 1 miliardë e 400 milion eurosh".

Qeveria e Kosovës thotë se vendimi i saj që Trepça të shndërrohet në kompani publike, nuk e përjashton trajtimin e kërkesave të kreditorëve të kompleksit. "Ne në mënyrën më të përgjegjshme do ta analizojmë këtë dhe do t'i marrim vendimet që njëherë Trepça të shpallet kompani publike dhe pastaj mbi Trepçën të sillet një ligj i veçantë, i cili më vonë do të rregullojë se si do të menaxhohet në mënyrë korporative Trepça dhe si pastaj do të procedohet me detyrimet që i ka Trepça", thotë kryeministri i Kosovës Isa Mustafa.

Në veri të Kosovës ndërkaq, paraditen e së hënës(19.01) qindra serbë, përfshirë edhe punëtorët serb të Trepçës, protestuan duke kërkuar mos ndryshimin e statusit të këtij kompleksi. Protestat po mbështeten edhe nga katër kryetarët serbë të komunave në veri të Kosovës.

Nga ana tjetër, kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se "Qeveria e Serbisë nuk do të pranojë asnjë vendim të qeverisë së Kosovës lidhur me kompleksin e minierave të Trepçës. Vuçiq, paralajmëroi se vendimi i njëanshëm i qeverisë së Kosovës do t'i rrezikonte bisedimet Kosovë - Serbi dhe madje mund të destabilizojë situatën e sigurisë në veriun e Kosovës.

Ökonomie im Kosovo
Fotografi: DW/E.Ahmeti

Vuçiq për Trepçën duhet biseduar në Bruksel

Sipas kryeministrit të Serbisë, pronari kryesor i Trepçës është fondi për zhvillim i Serbisë dhe se çështja e pronave duhet të jetë pjesë e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, bisedime këto të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian. "Temën e pronësisë së Trepçës në Bruksel nuk e kemi hapur ende dhe kërkojmë që të bisedojmë tash dhe jo që pasuria së pari të na merret brenda natës e pastaj të na thonë ejani të bisedojmë, sepse i keni edhe dy miniera të vogla në veri", tha Aleksander Vuçiq. Sipas tij, përveç Trepçës, qeveria e Serbisë pret të bisedojë me Prishtinën edhe për kompleksin turistik Brezovica, liqenin e Gazivodës dhe pasuri tjera të Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, i cilëson të paqëndrueshme pohimet se kryeministrit të Serbisë, se vendimet mbi Trepçën, mund të ndikojnë në bisedimet Kosovë - Serbi. "Këto vendime kurrësesi nuk duhet të ndikojnë në procesin e dialogut edhe në marrëdhëniet që ne dëshirojmë t'i konsolidojmë me Serbinë, sepse është një organizatë që është në territorin e Republikës së Kosovës, që janë pasuri të Republikës së Kosovës dhe ne do të mundohemi që këto pasuri t'i shfrytëzojmë në interes të të gjithë qytetarëve", thotë kryeministri Isa Mustafa.

Ekspertët e ekonomisë nga ana e tyre, thonë se qeveria, përkatësisht Kuvendi i Kosovës janë vonuar në pëkufizimin e çështjes së Trepçës. Ibrahim Rexhepi, drejtor ekzekutiv i Qendrës për Hulumtime Strategjike e Sociale ( STRAS ), i tha DW-së, se "problemi i Trepçës do të duhej të gjente zgjidhje shumë më herët, e mos të jetë temë vetëm për fushatat paraelektorale, si ndodhi vitin e shkuar në muajin maj, me ndryshime të ligjit për ndërmarrjet publike, që krijonte mundësi për ndryshime pronësore në këtë kompleks".

"Trepça është çështje vitale për Kosovën, jo vetëm për pasuritë minerare, por edhe për shkak të kapaciteteve përpunuese të tyre, të cilat mund të kenë ndikim në zhvillimin e gjithanshëm ekonomik e social të vendit. Nëse xehetaria, përkatësisht metalet me ngjyrë janë njëra prej orientimeve strategjike për zhvillim, investime dhe hapje të vendeve të punës, atëherë si mund të ndodhë kjo, kur të gjitha këto potenciale janë në menaxhim nga dikush tjetër, që tek e fundit, nuk kanë as perspektivën aq të qartë. Prandaj, ato duhet të jenë në pronësi të popullit të Kosovës të kuvendit, ndërsa qeveria të ushtrojë rolin e aksionarit", thotë Ibrahim Rexhepi.

Ibrahim Rexhepi, mendon se reagimi i qeverisë së Serbisë për Trepçën është i kuptueshëm, sepse, sipas tij, ajo me çdo kusht do ta mbajë peng Trepçën, për faktin që në këtë mënyrë mban peng edhe tërë perspektivën ekonomike të Kosovës. Serbia sipas tij, çështjen e Trepçës e mban si një kartë të fortë edhe për koncesionet politike që mund të bëjë, posaçërisht ku është në pyetje zgjidhja e relacioneve me Kosovën.

"Pa marrë parasysh këto polarizime dhe tensionim, qeveria e Kosovës nuk duhet të largohet nga qëllimi që ka për Trepçën, meqenëse kjo tash po bëhet çështja e parë ku duhet të verifikohet guximi dhe këmbëngulësia e qeverisë së Kosovës për t'u marrë me probleme të mëdha, por edhe të ndjeshme. Njëkohësisht, ajo duhet që sa më parë këtë kompleks ta tërheq nga kompetencat e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), meqenëse aty nuk ka perspektivë. AKP-ja, nuk është agjenci që i jep impuls zhvillimit, sepse asaj i intereson vetëm shitja, privatizimi dhe likuidimi. Ndërkaq, Trepça, ndonëse ka edhe shumë probleme që ndërlidhen me investimet për aktivizim, si edhe me borxhet, nuk ka perspektivë nën ombrellën e AKP-së", thotë Ibrahim Rexhepi.

Sidoqoftë, për debatin rreth Trepçës u deklarua të hënën edhe shefi i zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zhbogar. Ai tha se "kontesti rreth kombinatit Trepça duhet të zgjidhet brenda institucioneve të Kosovës, me pjesëmarrjen e serbëve që janë të pranishëm në qeveri dhe kuvend".

"Qeveria doli me propozim javën e kaluar dhe fatkeqësisht në atë seancë, ministrat serbë nuk ishin të pranishëm, por unë jam informuar, se sot në mëngjes ata u takuan sërsih dhe ministrat serbë ishin aty, prandaj kjo është mënyra për të gjetur zgjidhje. Meqë ka ministra serbë në qeveri, duhet të diskutohet nga brenda dhe të gjenden zgjidhje brenda sistemit. Serbët janë edhe në parlament dhe duhet të gjendet një zgjidhje brenda dialogut të brendshëm", citojnë mediat lokale shefin e zyrës së BE-së në Kosovë Samuel Zhbogar.

Kompleksi Trepça është administruar deri tash nga Agjencia Kosovare e Privatizimit. Ky kombinat në vitet e 80-të, ishte gjigant ekonomik i Kosovës dhe një prej ndërmarrjeve më të mëdha të ish-Jugosllavisë, me mbi 20 mijë punëtorë.

Minierat e Trepçës ndodhen në veri të Kosovës në pjesën e banuar me shumicë shqiptare, ndërsa shkritoret dhe kapacitetet tjera prodhuese ndodhën në pjesën e banuar me shumicë serbe.

Ekspertët e ekonomisë thonë se vetëm rezervat e plumbit dhe zinkut në Trepçë kapin vlerën e rreth 10 miliardë eurosh.