1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Prezantimi i parë i Kosovës në Beograd

Bahri Cani23 Tetor 2014

Intervistë me ministrin e Kosovës për Zhvillim Ekonomik, Fadil Ismajli. Ismajli dhe ministri i Jashtëm Enver Hoxhaj marrin pjesë për herë të parë në një konferencë në Beograd, si përfaqësues zyrtarë të Kosovës.

https://p.dw.com/p/1DaDE
Ministrin i Kosovës për Zhvillim Ekonomik, Fadil Ismajli.
Fotografi: DW/B. Cani

Deutsche Welle: Zoti ministër, me çfarë qëndrimesh do të prezantohet Kosova në konferencën rajonale të ministrave të jashtëm dhe të ekonomisë, që do të zhvillohet sot në Beograd?

Fadil Ismajli: Në rend të parë kemi të bëjmë me qëndrime rajonale dhe shtetërore. Secili nga vendet e rajonit do të tentojë të promovojë projektet e veta me impakt rajonal. Ky është takimi i dytë, pas konferencës së Berlinit, në nivelin ministror. Takimi i parë ka qenë në Budvë. Kjo konferencë është takim përgatitor, sepse BE për herë të parë nuk do të përqendrohet vetëm tek aspektet e sigurisë dhe aspektet juridike në rajon, por edhe tek zhvillimi ekonomik. Nga viti 2015 KE së bashku me vendet e rajonit do t'i përkushtohen reformave. Ne duhet ta shfrytëzojmë modelin e organizimit të BE si një model për zhvillimin e rajonit tonë.

DW: Kjo është hera e parë që në Beograd qëndron një delegacion kaq i lartë nga Kosova, si përfaqësues të shtetit, ndonëse konferenca do të mbahet sipas modelit Gimnih, pra pa emra të shteteve. Cila është pesha politike e kësaj konference?

Fadil Ismajli: Detyrat e liderëve politikë nuk janë vetëm privilegjet, por edhe detyrat e rënda. Kjo është një prej këtyre detyrave. Në konferencë unë do ta them se liderët nuk duhet të flasin vetëm fjalë, që u pëlqejnë masave, por duhet të përqendrohen tek zhvillimi i vendeve të tyre dhe të rajonit. Nuk mund të ndërtohet ardhmëria e fëmijëve tanë vetëm duke folur për gjëra të mira, por duhet të punohet. Nuk mund të jesh i lumtur, nëse ke një pallat dhe je i rrethuar me kasolle. Pra, ne kemi nevojë për një zhvillim jo vetëm të vendeve tona, por edhe të tërë rajonit. Të gjithë duhet të ecim përpara, në mënyrë që gjeneratat e reja të kenë një perspektivë dhe gjendje më të mira.

DW: Cilat janë prioritetet e Kosovës në këtë konferencë?

Fadil Ismajli: Në këtë takim do të bisedohet më së shumti për projektet infrastrukturore. E kam fjalën për projektet rrugore, hekurudhore, gazësjellësin, projektet e transmisionit të energjisë elektrike, telekomunikacionit etj. Secili prej nesh duhet të mendojë se cilat janë korridoret, që duhen ndërtuar për zhvillimin e të gjitha vendeve në rajon. Pasi që ne lumenj të mëdhenj nuk kemi, prioritet do të jenë për ne rrugët rajonale, korridori 8 dhe 10. Pra lidhjet me Luginën e Preshevës, lidhjet me Nishin, Malin e Zi, Tetovën etj.

DW: Një prej problemeve, me të cilat do të përballeni në këto projekte, janë raportet e paqarta me Serbinë. Sa pengon kjo në raportet ekonomike mes këtyre dy vendeve?

Fadil Ismajli: Unë jam pjesëmarrës edhe i bisedimeve në Bruksel, ku e kam mbuluar sektorin e energjisë. Atje është arritur marrëveshje për energjinë dhe Kosova është njohur si sistem elektroenergjetik i pavarur. Tani jemi në fazën e anëtarësimit në sistemet e pavarura elektroenergjetike ndërkombëtare. Të gjitha projektet, që duhet të nisen, duhet të stimulojnë edhe zhvillimin e Kosovës. Ky është parakushti ynë. Duam zhvillimin ekonomik dhe shfrytëzimin e fuqisë punëtore, në këtë mënyrë rritet punësimi, eksporti, GDP…

DW: Kur jemi tek eksportet, Kosova ka një disbalanc të madh në raport me vendet fqinje, në veçanti me Serbinë, sepse ajo importon më shumë, se sa eksporton. Çfarë do të ndryshoni në raport me Serbinë?

Fadil Ismajli: E mira e kësaj, që po ndodh, është që do të kalohet nga raportet bilaterale në multilaterale. Në të ardhmen nuk do të varet pra se a kemi raporte të mira me Serbinë, apo Shqipërinë. Por do të ndërtojmë raporte të mira ekonomike me të gjitha vendet e rajonit. Raportet e këtilla eliminojnë monopolin, hapin kufinjtë dhe heqin të gjitha barrierat në rajon, që stimulon edhe konkurrencën e lirë. Besoj se Kosova në këto kushte do të ketë përparësi shumë të mëdha.

DW: Sa e pengon mungesa e krijimit të kuvendit dhe institucioneve punën tuaj dhe cilat janë pengesat më të mëdha konkrete, me të cilat po përballeni për shkak të mungesës së institucioneve?

Fadil Ismajli: Pa dyshim që vakuumi institucional, edhe pse qeveria po punon, ndonëse jo në kapacitetin e duhur, e pengon edhe punën e qeverisë. Por shpresoj se dallimet do të kalojnë në të mirë të vendit. Duhet të detektojnë se ku është vija e kuqe mes interesave të ngushta individuale dhe politike me ato shtetërore.

DW: Çfarë prisni konkretisht nga konferenca e sotme?

Fadil Ismajli: Pres promovimin e mëtutjeshëm të Kosovës. Pres që vendet e rajonit të kuptojnë se Kosova ka qenë për një kohë të gjatë e lanë pas dore në aspektin politik dhe diplomatik. Shpresoj se do të gjejmë mirëkuptim, që ajo të jetë e barabartë me të gjithë dhe të kompensojë atë, që nuk e ka arritur deri tani. Gjeografikisht Kosova ka një pozitë shumë të rëndësishme. Jam i bindur se këtë do ta shfrytëzojmë mirë. Jemi një vend strategjik për furnizim me energji elektrike, sepse pozita kyç ndikon edhe në furnizimin e Greqisë e të mos flas për vendet e tjera si Maqedonia, apo Mali i Zi dhe Shqipëria.