1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania voton

Pozitivja dominon - Bilanci sportiv i vitit 2008 në Gjermani

Fitues që shkëlqejnë, humbës të trishtuar, mëkatarë të dopingut - në vitin 2008 pati ngjarje në botën sportive. Por në fund mbizotëron megjithatë pozitivja

Lojërat olimpike në Pekin. Gjermania luan kundër skuadrës kineze, gusht 2008

16 medalje ari, dhjetë medalje të argjendta dhe 15 medalje bronzi. Këto janë frutet e sportistëve gjermanë pas evenimentit më të rëndësishëm në botë, të Lojërave Olimpike që u zhvilluan në verën e këtij viti në Pekin. Zëvendëspresidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC) dhe president i Federatës së Sporteve Olimpike të Gjermanisë (DOSB), Tomas Bah (Thomas Bach) është i kënaqur me medaljet e arritura, megjithëse ka medalje më pak se katër vite më parë në Athinë. Bah: “Ekipi olimpik ishte i suksesshëm. Ai ka shënuar një vend më të mirë se sa ekipi në Athinë në vitin 2004. Ne jemi tani më përpara, sipas vlerësimeve si komb. Ne kemi kaluar nga vendi i gjashtë në vendin e pestë”. Në fund të viti mbizotëron megjithatë pozitivja, kështu e vlerëson të paktën bilancin e vitit që po lëmë pas Tomas Bah.

Në lojërat olimpike në Greqi sportistët gjermanë arritën të fitonin 49 medalje gjithsej, ndërsa në Pekin tetë më pak. „Konkurrenca ishte më e ashpër në Lojërat e fundit“, thotë Tomas Bah.

Tomas Bah, president i Federatës së Sporteve Olimpike të Gjermanisë

Në Athinë morën medalje ari, argjendi dhe bronzi 74 vende, në Pekin u gëzuan me medalje sportistët e 87 vendeve, disa prej tyre me të paktën një medalje. Sipas presidentit të Federatës Gjermane të Lojërave Olimpike, ky është një zhvillim pozitiv. “Sporti me arritjet e tij i shërben të rinjve për motivacion dhe për identifikimin e tyre me kombin”, mendon ai. “Kjo tregon, që ne sot kemi një situatë, ku është investuar më mirë se kurrë për arritjet në sport në një shtrirje më të madhe ndërkombëtare. Në kohën e luftës së ftohtë nuk është investuar aq shumë në këtë drejtim, siç veprohet sot”.

Më mirë më pak fitore, se sa raste dopingu

Si shembull Bah përmend Britaninë e Madhe, e cila për shkak të Lojërave Olimpike që do të zhvillohen aty në vitin 2012, i ka dymbëdhjetëfishuar investimet për rritjen e nivelit të sportit.

Tifozët gjermanë të sportit, organizatat sportive dhe natyrisht funksionarët dëshirojnë rekorde dhe medalje. Por më mirë një vend i pestë i merituar pastër se sa një fitues olimpik në vend të parë me doping, mendon Bah, i cili shpreh brengosje kur flet për dopingun, për rastet e zbuluara gjatë vitit 2008 dhe kërkon ndërhyrje të ashpër.

Federatat sportive duhet të shfrytëzojnë mundësitë ligjore për ndekje penale. Tema e Dopingut do të jetë vitin e ardhshëm veçanërisht në Berlin e pranishme, ku do të zhvillohet kampionati botëror i atletikës. "Një luftim strikt dhe konseguent ndaj dopingut është i nevojshëm, që sporti i nivelit të lartë të jetë më shumë se një sport i thjeshtë", thekson Thomas Bach.