1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pozicionet gjermane për krizën e Ukrainës

Mathias Bölinger /Auron Dodi6 Shtator 2014

Gjermania e konsideron diplomacinë edhe më tej si mjetin më të rëndësishëm për zgjidhjen e krizës së Ukrainës. Por me shumë shpresë ky pozicion nuk shoqërohet.

https://p.dw.com/p/1D7kT
Fotografi: Reuters

Që prej fillimit të krizës së Ukrainës, qeveria gjermane e ka të vështirë të gjejë një përgjigje për politikën ruse. Tej për tej kampeve partiake theksohet vazhdimisht që këtë konflikt mund ta zgjidhë vetëm diplomacia. "Kancelarja gjermane ka një kontakt të veçantë me partnerin e vështirë", theksoi von der Leyen edhe të enjten. Dhe ministri i Jashtëm, Frank Walter Steinmeier, që nis herë pas here inisiativa të reja për bisedime, dhe të cilit iu desh të përjetonte jo vetëm njëherë, si e shkatërroi në moment një shkallëzim i ri i situatës një sukses të tij në negociata, i përmbahet formulimit, që ai vazhdon ta konsiderojë "krizën të zgjidhshme". Por një pjesë e madhe e spektrit politik është gjithashtu e mendimit, se vetëm mirëkuptimi dhe vullneti i mirë nuk do të sjellin sukses. Është vetëm partia E Majta, e cila që prej fillimit të krizës kërkon një politikë, e cila të mbështesë para së gjithash qeverinë e Moskës.

Presion apo vringëllim shpatash?

Por në partitë e tjera diskutohet më tepër se kur do të vijë momenti për sanksione të tjera ekonomike. "Ndaj Rusisë duhet ushtruar edhe më tej presion, prandaj tani nevojitet urgjentisht një ashpërsim i sanksioneve", thotë Andreas Schockenhoff (CDU), ish-i ngarkuari i qeverisë gjermane për Rusinë dhe një kritik i ashpër i Putinit. Por presidenti i Parlamentit Evropian, Martin Schulz (SPD) i konsideron të mjaftueshme sanksionet ekzistuese. "Ajo që na nevojitet tani nuk është vringëllimi i shpatave", tha ai. Por në fund, debati rrotullohet vetëm rreth pragut, që duhet të arrijë shkallëzimi i situatës që të vendosen sanksione të tjera. Kjo në një kohë kur të paktën një pjesë e qeverisë nuk ka iluzione, që politika e sanksioneve nuk do të sjellë së afërmi rezultate.

Gernot Erler, i ngarkuari i qeverisë gjermane për Rusinë
Gernot Erler, i ngarkuari i qeverisë gjermane për RusinëFotografi: picture-alliance/dpa

Veçanërisht qartë e formuloi këtë javën e kaluar Gernot Erler (SPD). "Masat ndoshta do të kenë pak ndikim në politikën ruse, sepse atje janë vendosur prioritete të tjera", tha i ngarkuari i qeverisë gjermane për Rusinë.

"Epoka pas Putinit"

Shumëçka flet për faktin që Gjermania është përgatitur prej kohësh për një krizë të gjatë në marrëdhëniet me Rusinë. Këtu bën pjesë që qeveria gjermane do të mbështesë masa të ndryshme të takimit të nivelit të lartë të NATO-s në Wales, për shtimin e aftësisë mbrojtëse të NATO-s, midis të tjerash të një trupë të ndërhyrjes së shpejtë, që brenda një kohe të shkurtër do të ishte e gatshme për të ndërhyrë në kufijtë lindorë të Aleancës.

Por një anulim të Marrëveshjes NATO-Rusi, siç e kërkon atë Presidenti i Estonisë, Toomas Hendrik Ilves, Gjermania e kundërshton. Kjo marrëveshje ndalon stacionimin e trupave të përhershme nga NATO-ja ose Rusia në Evropën Lindore. Shpresa për një fund të shpejtë të krizës nuk ka të bëjë me faktin që Gjermania i përmbahet dokumentit. "Ne nuk mund të shkatërrojmë atë që u ndërtua në 25-30 vitet e fundit", tha ministrja gjermane e Mbrojtjes, Ursula von der Leyen të enjten. "Do të ketë një epokë edhe pas presidentit Putin."