1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Portreti i poetit Pal Sokoli

Esat Ahmeti8 Qershor 2012

Pal Sokoli e ka gjetur veten midis dy botëve, atë të vendlindjes dhe atë të vendpritjes. Baba i katër fëmijëve, Pal Sokoli i është kushtuar poezisë dhe bashkëpunimit të letrarëve në Gjermani.

https://p.dw.com/p/15AZI
Pal Sokoli
Pal SokoliFotografi: DW

Është viti 1993. Në Gjakovë policia arreston një grup aktivistësh të njohur me emrin “Grupi i Priftit”, meqenëse në të bënte pjesë edhe Prifti i Kishës Françeskane të Gjakovës, Patër Ambroz Ukaj. Për lirimin e grupit u desh ndërhyrja madje e Papa Gjon Palit të II-të. Pjesë e „Grupit të Priftit“ ishte edhe Pal Sokoli. Por lirimi ishte i përkohshëm, kujton Pali: "Pas lirimit, të njëjtën ditë erdhën me kërkuan në shtëpi. Ne akuzoheshim për cënim të integritetit territorial të Jugosllavisë prandaj e dija çfarë na priste. Me ndihmën e një miku dola në Shqipëri e pastaj nga aty në vitin 1994 kalova këtu në Gjermani."

Dhe sikur shumë shqiptarëve të tjerë edhe Palit iu desh të sakrifikojë profesionin e tij për të bërë në Gjermani çfardolloj pune që do i ofrohej. Duhej të mësohej gjuha gjermane, të vazhdohej shkollimi i fëmijëve, të mbështetej familja dhe atdheu: "Nuk njoh shqiptar nga Kosova që nuk ka sakrifikuar shumë nga jeta e vet. Unë personalisht humba shumë, humba gjashtë anëtarë të familjes, që me ikjen time kisha menduar se i kisha shpëtuar. Të gjithë kishin lënë fëmijët e vegjël, duheshin ndihmuar familjet e tyre."

Sfidimi i të keqes dhe tragjedisë përmes poezisë

Biografia e Palit është e dhimbshme. Lufta i mori pesë vëllezër dhe një motër. Megjithatë Pali gjeti forcë që përmes poezisë të sfidojë të keqen dhe tragjedinë: „Krishtlindjet pa ju / Buzmat i gjeta të prerë / aty ku i linim gjithmonë/ thirrjes me çka po vjen / o buzmi bujar? / i mungonin zëra: / Simoni, Krista, Filipi, Pashkja, Gjergji, Kastrioti. / Buzmit i thahej ushqim / në cep të buzës / Sofrës nuk iu sollëm / më shumë se tri herë / mungonin hapat tuaj / vendet e zbrazëta dukeshin si plagë / Filipi, Simoni, Krista, Pashkja, Gjergji, Kastrioti.“ (Poezi e shkëputur nga libri "Kambanë e pëlcitur dhembja", botuar 2005).

Në vargjet e tij Pali nuk shpreh urrejtje por trajton pasojat e luftës. Dashuria e tij ndaj njeriut është më e fuqishme se urrejtja. "Këtë mund ta bëjnë vetëm poetët e mëdhenj," thotë Din Mehmeti, i cili i njeh mirë poezitë e Palit sepse ka bërë redaktimin e disa prej tyre.

Pal Sokoli në një aktivitet kulturor në Bonn
Pal Sokoli në një aktivitet kulturor në BonnFotografi: DW

„Kur të arrish në fund të rrugës / Ndaj të drejtat nga të shtrembëtat / Atëherë kaloje Urën / E fillo rrugë të re / Deri te Bregu i Dritës / Unë të përcjell.“ (Poezia "Drejt parajsës").

Pal Sokoli, sot baba i katër fëmijëve, ka lindur më 6 qershor të vitit 1959 në Radoniq të Gjakovës. Ai është diplomuar në vitin 1985 në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës, në degën Filozofi-Sociologji. Pas studimeve ka punuar në ndërmarrjet hoteliere ”Pashtriku” dhe Motel “Drini” në Gjakovë.

"Për disa nga ne që kishim të kryer fakultete dhe kishim një punë të mirë në Kosovë, perspektiva në Gjermani do të ishte të mësonim gjuhën, të plotësonim diferencat në studime dhe të bënim përpjekje për pranimin e diplomave, në atë kohë të papranueshme për shtetin gjerman. Shumë pak nga ne bënë një gjë të tillë, sepse shumë pak nga ne kishin kohën për një ‚ komoditet ‘ të tillë. Pjesës sonë më të madhe na është dashur që të mendojmë për një perspektivë më të mirë për fëmijët", thotë Pali.

Ecni me kokë që të mos i përgjakni këmbët

Aktualisht ai punon në një firmë sigurimi në Bergische Land. Një vend i sigurt pune dhe mundësi që të merret me poezinë janë për të tani të mjaftueshme. Ndërsa gjeneratave të reja ai i drejtohet me vargjet: „Po të ecim me kokë / nuk do t'i përgjakim / Këmbët tona të lodhura / Bredhjeve të hekurta / Duke pritur dritën mistike.” (Poezia Rini e dashur")

Transformimit që shkakton jetesa në një vend të dytë nuk i ka shpëtuar as Pali. Të jetosh në një vend të dytë nuk është lehtë. "Ne jemi me trup këtu dhe me mendje në Kosovë," rrëfen ai. “ Për t`u adaptuar në Gjermani, na duhet të ndryshojmë shumë në kokat tona. Qasja e jetës së përditshme, superstruktura ideologjike, raportet me zhvillimet ekonomike, shkencore e kulturore, ndikojnë jashtëzakonisht shumë në jetën tonë. Ne kemi ardhur këtu me një bagazh të caktuar kulturor. Na duhet shumë energji të mbajmë atë, dhe të marrim diçka të re nga ajo që na ofrohet."

Gjermania njihet si vend që ofron shumë. Por jo e gjitha ajo që ofrohet, mund edhe të përvetësohet. Sipas Palit, jetesa midis dy vendeve do të ishte pasurim i vlerave sikur: "Të kishim kushtet normale, standardin normal apo mesatar. Por, ekziston diskrepancë e madhe ekonomike midis dy mjediseve, në njërin prej të cilit bën gjithë mundin për sigurimin e të mirave të jetës dhe në tjetrin, ku baza materiale i jep hov zhvillimit shpirtëror dhe kulturor. Në rrethana të tilla ne jemi të predestinuar t`i nënshtrohemi një kulturimi, apo edhe asimilimi ndoshta të padëshiruar. Do të ishte pasurim i vlerave nëse do të mund t'i ruajmë që të dy vlerat, ato pozitive tradicionale dhe ato që gjetëm këtu."

Në foto, Pal Sokoli
Në foto, Pal SokoliFotografi: DW

Veprimtari artistike e letrare që nga rinia e hershme

Pal Sokoli ka botuar në periodikun letrar që nga vitet tetëdhjetë, në Revistën studentore "Bota e re", në gazetat "Zëri i rinisë", "Etja", "Fjala", "Rrezja", si dhe disa cikle me poezi në Revistën letrare"Shtigje", të Klubit letrar,"Gjon Nikollë Kazazi" të Gjakovës.

Me disa krijues të tjerë, ai mori në Wuppertal nismën e formimit të “Lidhjes së Shkrimtarëve, Artistëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Gjermani” dhe sot është sekretar i saj. "Gjithmonë, kur sheh se të rrezikohen vlerat e trashëguara, apo të sjella më veti në mërgatë, bëhen përpjekje për t'i mbrojtur ato. Kështu edhe unë ju përkushtova me gjithë qenien time formimit të një Lidhjeje të Shkrimtarëve që jetojnë në Gjermani, për t'i bashkuar ata, për t'i nxitur të krijojnë. Dhe ja arritëm me formimin e LSHAKSH-në Gjermani. Me të kemi bërë promovimin e shumë krijuesve të rinj, kemi bërë promovimin e 70/80 veprave të krijuesve tanë. Kemi krijuar një urë lidhëse me kulturën tonë burimore, por edhe ia prezantojmë kulturën tonë mjedisit ku jetojmë."