1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Portret i shoferit Behxhet Huruglica

22 Nëntor 2011

Edhe pse 44 vjeçari nga rajoni i Anamoravës nuk e realizoi dot ëndrrën e rinisë, është i lumtur me profesionin e tij.

https://p.dw.com/p/13ERI
Në foto, Behxhet Huruglica
Në foto, Behxhet HuruglicaFotografi: DW

Overati është një qytet gjerman në afërsi të Bergisch-Gladbachut, në jug të landit të Renanisë Veriore-Vestfalisë. I përmendur për herë të parë në vitin 1064, sot në këtë qytet jetojnë 27 mijë njerëz. Njëri prej tyre është Behxhet Huruglica. Jetesën ai e fiton duke punuar si shofer kamioni në një firmë transporti të lëndëve të rrezikshme. Kur e pyesin se përse e ka lëshuar vendlindjen e tij, Gjilanin e Kosovës dhe ka ardhur në Gjermani para 18 vitesh, ai nuk mund të japë një përgjigje të shkurtër: „Shkaqet e largimit janë të shumta, nisen nga ato familjare, politike, por edhe profesionale".

Jeta e një shoferi kamionësh nis herët

Dhe që atëherë jeta e Behxhetit ka ndryshuar pothuajse në tërësi: "Këtu mirrem me diçka tjetër për të mos përmendur edhe ndryshimin e tërë rrethit, ku jetoj", sqaron ai. Behxheti zakonisht zgjohet herët, që në orën katër të mëngjesit. Përpara se të niset për punë, 44 vjeçari nga rajoni i Anamoravës, që shtrihet në juglindje të Kosovës, në një automat për shitjen e gazetave në rrugë, vetëm ca metra larg shtëpisë së tij, ndalon për të blerë gazetën Express. Me kafen e mëngjesit dhe gjatë pauzave në punë e shfleton atë për të parë se çfarë të rejash kanë ndodhur në vendin, ku jeton.

Jeta e një shoferi kamionësh nis herët
Jeta e një shoferi kamionësh nis herëtFotografi: DW

Ndërsa në mbrëmje pasi ka kaluar mbi 11 orë larg shtëpisë i intereson më shumë të dijë se çfarë ka ndodhur në vendlindje. Kështu kanalet televizive në gjuhën shqipe janë pjesë e pandashme e mbrëmjeve në familjen Huruglica. Behxheti është i martuar me Eminen, me të cilën kanë tre fëmijë: Shqiponjën 17, Donikën 16 dhe Lorikun 12 vjeç. Puna e shoferit të transportit konsiderohet si një ndër profesionet më të vështira në Gjermani. Ata zakonisht bëjnë rrugë të gjata dhe me ditë të tëra nuk janë në shtëpi. Prandaj Behxheti është i lumtur se ka gjetur një vend pune në një firmë, që i mundëson atij: "Në fund të ditës të kthehem në familje pranë gruas dhe fëmijëve të mi."

"Gjithmonë shpresoja se nuk do të qëndroja gjatë..."

Jeta mes dy botërave pasurim...
Jeta mes dy botërave pasurim...Fotografi: DW

Megjithatë profesioni i shoferit nuk është ajo, që e dëshironte Behxheti në rini. Pas përfundimit të gjimnazit ai regjistrohet në Universitetin e Prishtinës, në Fakultetin e Bujqësisë. Zhvillimet politike të asaj kohe i pamundësojnë atij plotësimin e ëndrrës së rinisë për t'u bërë agronom.

Kur erdhi në Gjermani, u ndesh me vështirësitë e para: "Meqenëse nga vendlindja nuk kisha ndonjë kualifikim teknik, apo diçka të ngjashme, vështirësitë e para, me të cilat jam ballafaquar, ka qenë punësimi. Për studime kërkohej një shumë e parave dhe leja e qëndrimit dmth. dy gjëra, që unë nuk i kisha në atë kohë, kështu që as nuk e kisha menduar ndonjëherë që qëndrimi im në Gjermani do të ishte kaq i gjatë. Unë shpresoja gjatë tërë kohës që të kthehem sërish në vendlindje dhe të vazhdoja aty, ku e kisha lënë përgjysëm."

Jeta mes dy botërave pasurim...

Viti 1993 është ngulitur në kujtesën e Behxhetit jo vetëm për faktin se është viti, kur ishte larguar nga vendlindja, por edhe për një fakt tjetër: "Jeta prej ndihmave sociale ka qenë e vështirë për mua, ka qenë një goditje e rëndë, me të cilën nuk kam mundur të pajtohem asnjëherë. Unë e kisha të vështirë ta pranojë atë lloj të jetesës. Prandaj jam munduar me mish e shpirt që për aq kohë sa do të qëndroja këtu të punoj dhe të jetojë me paranë e fituar vetë."

Në foto, Behxheti me gruan Eminen dhe fëmijët Shqiponjën, Donikën dhe Lorikun
Në foto, Behxheti me gruan Eminen dhe fëmijët Shqiponjën, Donikën dhe LorikunFotografi: DW

Gjermanët për Behxhetin ishin një popull, për të cilin kishte mësuar vetëm nga librat e historisë. Kjo ishte hera e parë që ai vinte në Gjermani për t'u ndeshur me një kulturë të re, me një mentalitet të ri. Në fillim e kishte të vështirë të integrohet në shoqërinë e re, por me kalimin e kohës, duke e kuptuar se kthimi në atdhe nuk do të ishte aq i shpejtë, siç e kishte paramenduar në fillim ai, gjërat filloi t'i shohë me një sy tjetër. Dhe tani, kur kanë kaluar gati dy dhjetëvjeçarë, jetën midis dy vendeve ai e sheh si pasurim e jo si zbehje të vlerave: "Nga këtu arrij të prek dy botëra,  botën time të vendlindjes dhe një mentalitet të ri, një kulturë të re, një botëkuptim të ri të të menduarit, të të jetuarit, kështu që kjo është vetëm një pasurim i vlerave."

Jeta multikulturore në Gjermani

Edhe pse i angazhuar shumë në punë dhe rreth familjes Behxheti ka arritur t'i ruajë kontaktet me shoqërinë e vjetër. Edhe pse takimet për shkak të largësisë nuk janë të shpeshta, ato tani kanë fituar një dimension tjetër, janë më të pasura se më parë: „Në takimet, që kemi tani, nuk jemi të vetëm, por me vete i sjellim edhe fëmijët tanë, para të cilëve shpalosim kujtime shumë interesante…"

Dhe siç e nënvizon edhe vetë Behxheti, kjo nuk ndodh shpesh, zakonisht njëherë një vit gjatë kohës së pushimeve verore. Pjesën tjetër të kohës Behxheti ia kushton familjes dhe profesionit në Gjermani: „Në firmën tonë punojnë punëtorë të nacionaliteteve të ndryshme, shumë prej tyre të ish shteteve të Bashkimit Sovjetik. Unë me të gjithë kam raporte të mira dhe nuk mund të them që ndihem as i privilegjuar, por as i diskriminuar. Për vete jam punëtor jashtëzakonisht i disiplinuar dhe i vetdijshëm për punën, që kryej dhe deri sot nuk kam pasur probleme as me kolegët, as me udhëheqjen e firmës sonë.“

Behxheti në kamionin e tij të punës
Behxheti në kamionin e tij të punësFotografi: DW

Meqenëse fëmijët e çiftit Huruglica kanë lindur në Gjermani ata kanë arritur të integrohen mirë në shoqërinë e këtushme. Dhe ndërkohë që ata preokupohen më shumë me mësimet dhe jetën në Gjermani, Behxheti vazhdon jetën midis dy botërave të tij: „Është dëshirë e çdo bashkatdhetari, çdo personi, që jeton në diasporë, që të krahasojë vendin, ku jeton, me vendlindjen dhe ritmin e jetës, dinamikën e zhvillimit dhe rregullat e shtetit, ku jeton, ta shohë edhe në vendlindje. Kjo ndoshta për syrin tonë të një bashkatdhetari, që jeton larg vendlindjes, është e arsyeshme por ndoshta është jo e arsyeshme për ata, që jetojnë në Kosovë. Këtu rregullat janë të tjera dhe nuk mund të krahasohem me ato në vendlindje….“

Autor: Esat Ahmeti

Redaktoi: Angjelina Verbica