1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Secili sheh punën e vet

Christopf Hasselbach15 Janar 2015

Kontrabandistët zbulojnë vazhdimisht mënyra të reja, për të sjellë njerëz në Evropë. BE është i pafuqishëm dhe i përçarë në reagimin e tij.

https://p.dw.com/p/1EKfp
Fotografi: picture-alliance/Italienische Marine/dpa

Në vitin 2014 më shumë se 276.000 persona kanë hyrë ilegalisht në Europë. 140 përqind më shumë se një vit më parë, këto janë shifrat e Komisionit Europian. Dhe shumica më e madhe e këtyre njërëzve ka ardhur nga deti Mesdhe. Metoda e fundit e kontrabandistëve është dëshmuar sa mizore, aq edhe fitimëprurëse. Ata blejnë anije mallrash të dala nga përdorimi, fusin në to qindra refugjatë, i marrin secilit prej tyre disa mijëra euro dhe rrugës kapiteni braktis anijen dhe e çon atë me sistem komandues me autopilot drejt Italisë. Para pak kohësh dy anije të tilla fantazmë, "Ezadeen" dhe "Blue Sky M", secila me disa qindra refugjatë në bord, do të ishin përplasur me shkëmbinjtë e bregdetit italian, sikur rojet bregdetare italiane të mos i kishin ndaluar dhe shpëtuar refugjatët.

Kontroll jo efektiv

Komisioneri i BE për çështjet e Brendshme, Dimitris Avramopoulos, kërkoi tani në një fjalim para Parlamentit Europian "veprim të vendosur dhe të koordinuar" të BE-së kundër metodave të reja të konstrabandistëve. "Europa duhet të veprojë. Nuk kemi kohë për të humbur." Kërkohet angazhim nga shtetet anëtare, por kur bëhet fjalë konkretisht për politikën ndaj refugjatëve, secili shikon punën e tij. Nëse ka ndonjë aksion të përbashkët, atëherë ai nuk duhet të kushtojë sa më pak. Pasi Italia përfundoi vitin e kaluar misionin e saj të shpëtimit "Mare Nostrum", vendin e tij do ta zërë misioni i BE-së "Triton" i koordinuar nga agjencia evropiane për mbrojtjen e kufirit. Por ai nuk është një pasardhës i vërtetë. Në rradhë të parë zona, ku vepron "Triton", është shumë e kufizuar, anijet e kontrabandistëve, në kohën që ndodhen në ujërat ndërkombëtare, mund të udhëtojnë pa u penguar.

Anijet patrullluese evropiane të Frontex-it kërkojnë anjijet e refugjatëve
Anijet patrullluese evropiane të Frontex-it kërkojnë anijet e refugjatëveFotografi: DW/B. Riegert

Turqia mbyll njërin sy

Kësaj i shtohet edhe fakti që vendi më i rëndësishëm tranzit Libia më shumë se tre vjet pas rrëzimit të sundimtarit Muhammar Gaddafi praktikisht nuk ka më rend shtetëror. BE nuk ka se me kë të bashkëpunojë, kur është fjala për të penguar lëvizjet e refugjatëve në skajin jugor të Mesdheut. Grupi i PPE në Parlamentin Europian i bën thirrje të gjithë Bashkimit Europian për angazhim në këtë vend afrikanoverior: "Libia nuk duhet të bëhet një Siri e dytë." Së bashku me partnerët ndërkombëtarë BE duhet të ndihmojë për ndërtimin e strukturave shtetërore funksionuese. Në Turqi BE ka natyrisht një bashkëbisedues, i cili do të hyjë në BE dhe që për këtë arsye duhej të ishte shumë i gatshëm për të bashkëpunuar. Megjithatë gjithnjë e më shumë anije me refugjatë dhe pikërisht "anije fantazmë" nisen nga portet turke dhe me sa duket autoritetet turke shpesh herë mbyllin njërin sy. BE pret që Turqia të bëjë diçka kundër kësaj dhe po zhvillon bisedime me Ankaranë për këtë çështje.

Frikë nga konfliktet e importuara

Megjithatë e gjitha kjo nuk do ta ulë numrin e refugjatëve, që vijnë në Europë, sidomos në një kohë që vendet fqinje të Sirisë janë të mbingarkuara me refugjatë. Prandaj Avramopulos u bën thirrje shteteve anëtare, që të jenë më zemërgjera, sidomos duke patsr parasysh mjerimin në Siri: "Njerëzit nuk duhet të rrezikojnë jetën, për të kërkuar mbrojtje në Europë." Megjithëse deri tani gatishmëria për të pranuar refugjatë në Europë nuk ka qenë e madhe, shumë njerëz në Europë duket se janë bërë më skeptikë për shkak të dhunës islamike. Disa kanë frikë se bashkë me refugjatët vijnë edhe ekstremistë të dhunshëm. Këtë e kundërshtoi socialidemokrati italian Gianni Pittella në Parlamentin Europian: "Terroristët nuk kanë nevojë për një udhëtim të tillë në det. Ata financohen nga rrjetet terroriste, ata kanë para", tha Pittella.

Terroristët islamistë si në Paris s'kanë nevojë për ikje me anije nëpër det
Terroristët islamistë si në Paris s'kanë nevojë për ikje me anije nëpër detFotografi: AFP/Getty Images/T. Samson

Udhëtimi vazhdon pa pengesa për në Gjermani

Një politikë e koordinuar dhe gjithëpërfshirëse europiane për refugjatët nuk ekziston. Sistemi Dublin, sipas të cilit një refugjat duhet të kërkojë azil në vendin, në të cilin ai shkel për herë të parë tokën evuopiane, ekziston vetëm në letër. Vendi më i rëndësishëm i mbërritjes Italia i shmang mysafirët e paftuar në mënyrën e vet: Ajo i lë zakonisht refugjatët që të udhëtojnë drejt veriut, për shembull në Gjermani. Kontrolle kufitare ndërmjet vendeve të zonës Shengen, në të cilën bëjnë pjesë shumica e vendeve të BE-së, nuk ka më.

Dieter Romann, President i Policisë Federale, u shpreh në fillim të javës në gazetën Frankfurter Allgemeine Zeitung: "Nëqoftëse hyrjet ilegale të personave pa të drejtë hyrjeje bëhen momentalisht vetëm në shtetet e sigurta fqinje të RFGJ-së, kjo nuk flet patjetër për një sistem funksional të Shengenit dhe Dublinit." Nga kapja e një personi në Itali dhe mbërritja e tij në Gjermani shpesh nuk kalojnë më shumë se tri ditë. Kjo ishte një kritikë shumë e hapur e një shefi të një autoriteti gjerman të sigurisë.

Vazhdimisht kërkohet që BE duhet t'i shpërndajë në mënyrë të drejtë refugjatët, kryesisht në përputhje me numrin e popullsinë dhe fuqinë ekonomike të vendeve të saj anëtare. Por shumica e vendeve, që do të merrnin pastaj më shumë njerëz, hezitojnë. Sistemi i vjetër ka marrë fund, por i riu nuk duket gjëkundi.