1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pokeri i BE-së për postet e larta

Bernd Riegert / Pandeli Pani30 Gusht 2014

Kryetarët e shteteve dhe qeverive të BE-së do të merren në takimin e tyre jo vetëm me çështjen e komisionerëve të ardhshëm të BE-së. Zhvillimet në Ukrainë dhe sanksionet ndaj Rusisë do të zënë në pjesë të madhe të tij.

https://p.dw.com/p/1D3t1
Fotografi: Reuters

Ditët e fundit Presidenti i Këshillit të Bashkimit Evropian, Herman Van Rompuy, i cili po largohet nga detyra, u përpoq në biseda telefonike me kryeministrat e vendeve të BE-së që të bëjë gati paketën e personelit për Samitin Special. Zyrtarisht, nuk janë dhënë shpjegime për postet e ardhshme të komisionerëve. por sipas burimeve diplomatike po bëhet e qartë se ministrja e Jashtme italiane Federica Mogherini do të jetë e ngarkuara për politikën e jashtme dhe të sigurisë, pra një lloj ministre e Jashtme e BE-së.

Favoritë për postet e larta : Mogherini dhe Tusk

Gjatë muajve të fundit ka pasur shumë diskutime nëse Federica Mogherini është personi i duhur për këtë post. Vendet lindore të BE-së e kritikojnë atë se mban një qëndrim miqësor ndaj Rusisë. Politikanë të tjerë, si Elmar Brok (CDU), kryetar i Komisionit të Jashtëm të BE-së, mendojnë se ajo nuk ka shumë përvojë. Por kampi socialist i kryeministrave të vendeve të BE-së e mbështesin me forcë socialisten Mogherini. Shumë shteteve anëtare që kanë ndjekur vitet e fundit në mënyrë të pavarur prej shefes për politikën e jashtme të BE-së politikën e tyre të jashtme, u vjen ndoshta shumë për shtat, nëse shefja e re e politikës së jashtme nuk është shumë e fortë, spekulon eksperti i BE-së Janis Emmanouilidis: "Por në të njëjtën kohë kjo tregon situatën edhe kufijtë e politikës së jashtme evropiane, dhe se sa e vështirë është për shtetet anëtare që të arrijnë një pikë të përbashkët në këto çështje delikate të politikës së jashtme."

EU-Außenministertreffen in Brüssel 22.07.2014
Fotografi: picture-alliance/dpa

Në rast se postin e të ngarkuarës për politikën e jashtme e merr zonja Mogherini, atë të Presidentit të Këshillit të Bashkimit Evropian pritet ta marrë një evropianolindor. Kryeministri polak Donald Tusk, kishte nguruar deri tani për të marrë përsipër një post të tillë. Por zëdhënësja e tij deklaroi në Varshavë se ndoshta Tusku mund të bindet. Në një rast të tillë, mendon Janis Emmanouilidis nga "European Policy Centre" presidenti do të jetë poli i kundërt i së ngarkuarës për politikën e jashtme sa i përket politikës ndaj Evropës Lindore.

Donald Tusk
Donald TuskFotografi: Reuters

"Peshqit" nuk i do njeri

Në Komisionin e BE-së ka poste të ndryshme komisionerësh. Por postet e komisionerëve për peshkimin apo për mbrotjen ndaj katastrofave nuk i do njeri, thotë një diplomat në lidhje me listën e dëshirave që i kanë dërguar shtetet anëtare Presidentit të ri të Komisionit Jean Claude Juncker. Komisari gjerman Günter Oettinger, i cili është përgjegjës për energjinë dëshiron postin e komisionerit për tregtinë. Por këtë post e synon edhe kandidati britanik Jonathan Hill. Franca dëshiron postin e komisionerit për monedhën e përbashkët dhe propozon socialistin Pierre Moscovici. Gjermania është kundër tij, sepse ka frikë se pas kësaj mund të fillojë zbutja e kursit të kursimeve. Dhe me sa duket Jean-Claude Juncker nuk do të arrijë ta realizojë qëllimin që i kishte vënë vetes që të paktën një e treta e 28 komisionerëve të jenë femra.

Ekipi i Jean-Claude Junckerit duhet të miratohet edhe prej Parlamentit Evropian. Dhe parlamenti me siguri që nuk do ta miratojë lehtë komisionin, sepse do të tregojë që edhe ai ka pushtet. Komisioni i ri pritet të fillojë nga puna më 1 nëntor.