1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Plasoti: E vetmja rrugë për t'i shpëtuar atij rregjimi ishte duke u larguar në një shtet perëndimor

8 Korrik 2010

Intervistë me Thoma Plasoti, një nga 3199 shqiptarët që zgjodhi futjen në Ambasadën Gjermane si rrugëdaljen për t`iu larguar regjimit komunist.

https://p.dw.com/p/ODxa
Jeta në internim ishte e vështirë dhe e izoluarFotografi: Thoma Plasoti

DW: Zoti Plasoti ju jeni larguar nga Shqipëria në vitin 1990, duke hyrë në ambasadën gjermane? Ishit i vendosur kohë më parë të largoheshit nga Shqipëria, apo ndodhi rastësisht?

Plasoti: Po, me thënë të drejtën isha i vendosur për t’u larguar nga Shqipëria, ku jetoja në një kamp internimi në Savër të Lushnjës, ku jeta ishte tepër e vështirë dhe e izoluar dhe e vetmja shpresë ishte t’i largohesha këtij regjimi duke u larguar në një shtet perëndimor. Duke ndjekur përditë lajmet tek italiani, kuptohet fshehurazi, sepse ishte e ndaluar, dëgjova për trazirat, që ndodhën në Tiranë dhe dyndjen nëpër ambasada. Kështu mendova se kjo ishte shpresa ime e fundit për t’u larguar që andej dhe u nisa drejt Tiranës, por jo me synimin për në ndonjë ambasadë të veçantë, sidomos atë gjermane. As kisha menduar dikur gjermane, apo italiane. Rëndësi kishte që unë të dilja nga Shqipëria.

DW: Si ndodhi që hytë pikërisht në ambasadën gjermane?

Plasoti: Ishte një rastësi. Rreth orës pesë të mëngjezit, duke lëvizuar me dy të njohurit e mi nëpër Tiranë pamë që kishte lëvije të gazave të degës dhe të ushtrisë. Gjithçka ishte e frikshme, nuk dinim ç’ndodhte. Papritur u ndodha aty diku afër ambasadës gjermane dhe i thashë atyre, nqs keni dëshirë mund të vini. Unë po iki. Ata nuk dëgjuan, unë vazhdova rrugën time dhe kështu që pata fatin dhe hyra në ambasadën gjermane.

DW: Sa e vështirë ishte hyrja në ambasadë? Me sa di unë në ambasadën gjermane njerëzit kanë hyrë disa ditë rresht. Ju hytë në ditët e para, apo më vonë dhe e patët më të lehtë?

Plasoti: Mos gabohem unë kam hyrë me datën pesë.

Hyrja në ambasadë ka qënë e vështirë. Në atë kohë, kur hyra unë, jo vetëm që dera nuk ishte e hapur dhe njerzit hidheshin nga muri, por në atë kohë sigurimi i kontrollonte njerëzit që në stacion të trenit dhe i pyeste se për ku ishin nisur, dhe siç dëgjuam më vonë, shumë njerëz i kishte kthyer mbrapsht. Unë pata fat që i shpëtova kontrollit.

Albanien Wende 1990 Thoma Plasoti
Në Savër të LushnjësFotografi: Thoma Plasoti

DW: Ata kanë qenë ditë të vështira, tensioni ndjehej kudo në ajër. Policia dhe sigurimi kishin ashpërsuar kontrollet. Sa e ndjenit ju rrezikun?

Plasoti: Unë ndjeja rrezik për vetë pozicionin tim. Për vetë konditat e mia, nga isha nisur, ishte rrezik.

DW: Ju kishit edhe prindërit edhe dy motra. A mendonit për ta? A kishit biseduar me ta më parë për këtë hap, që do të bënit?

Plasoti: Absolutisht jo nuk kisha menduar dhe nuk i kisha treguar asnjëriu. Biles shumë të njohurit dhe të afërmit e mi ishin të mërzitur që unë nuk kisha treguar, por unë nuk kisha besim për të organizuar një nisje drejt Tiranës me një grup njerëzish, pasi frika ishte e madhe.

DW: Nuk mendonit se mund t’i dëmtonit ato, apo mendonit se Shqipëria do të hapej dhe nuk do te kishte më arsye për të patur frikë?

Plasoti: Pikërisht kjo ishte. Duke parë edhe ngjarjet në Rumani, me atë që ndodhi atëherë, pritej që shteti i fundit i kampit komunist ishte Shqipëria. Diçka edhe aty do të ndodhte dhe mendova të paktën ajo, që kishin ndodhur përpara për tentative arratisje apo gjëra të tjera nuk besoj se do t’i ndodhte më familjes, për arsye se ishin një turmë e madhe njerëzish, që kishin hyrë ashtu. Duhej të ishte gjysma e Shqipërisë, që do të persekutoheshin dhe kjo më jepte një faro shprese se nuk do të kishte ndonjë raprezalje. Kjo më bëri që të nisem vetem pa marrë asnjëri tjetër, që në qoftë se do të ndodhte diçka të isha unë ai, që do të paguaja dhe jo edhe të tjerët.

DW: Çfarë ndodhi pastaj?

Plasoti: Duke hyrë në territorin e ambasadës gjermane vetëkuptohet se isha në tokën gjermane isha i lirë për momentin. Aty një ditë më vonë na u komunikua nga autoritetet e ambasadës se do të bëhej çdo gjë e mundur që ne të largoheshim drejt shtetit gjerman. Kjo do të sigurohej përmes bashkëpunimit të shtetit gjerman me UNO-n dhe kjo na dha një faro ngrohjeje, një siguri që ne do të largoheshim. Për atë javë ne ndejtëm nga 3000 vetë me siguri nuk i numërova, por ishte një turmë e madhe, kemi fjetur jashtë, në kushte jo dhe aq të mira. Megjithëse personeli bëri ç’ishte e mundur për të krijuar një ambjent sa më të përshtatshëm për ne. Pas 7 ditesh u organizua e gjitha përmes ambasadës gjermane dhe UNO-s dhe ne na transferuan me autobuza, të shoqëruar nga makinat e UNO-s. Dy makina ishin përpara dhe dy prapa, me sa pamë ne nga autobuzi. Ky udhëtim u bë natën dhe kuptohet u larguam prej andej.

DW: Çfarë ndjetë pasi dolët nga ambasada, kishit frikë se mund t’ju ndodhte diçka?

Plasoti: Frikë s’mund të them se ne ishim të shoqëruar nga forcat e UNO-s, me dy makina përpara kolonës së autobuzave dhe dy makina mbrapa. Por një farö ankthi e kishim, se si do na shkonte rruga.

Albanien Wende 1990 Thoma Plasoti
Fillimi është gjithmonë i vështirëFotografi: Thoma Plasoti

DW: Si e përjetuat fillimisht jetën në Gjermani. Çfarë vështirësish patët?

Plasoti: Po fillimi është kudo i vështirë. Me thënë të drejtën, që kishim dalë prej atij vendi, ishim në Evropën perëndimore, ishim të lirë, por prapë vështirësitë ishin të mëdha. Si fillim ishte problem gjuha. Unë iu futa me vullnet kurseve të gjuhës gjermane, si hap i domosdoshëm për t’u integruar në jetën gjermane. Vështirësi ishte edhe mënyra e jetësës. Në fillim flinim katër-pesë persona në një dhomë, por synimi im ishte që dikur të komunikoja me gjuhën gjermane dhe pasi të kisha arritur aq sa mendoja unë që të komunikoja të gjeja një vend pune dhe një banesë dhe të jetoja i qetë me planet e mia për të ardhmen.

DW: Zgjati shumë derisa e realizuat këtë?

Plasoti: Nja tre vjet po. Tre vjetët e para ishin tepër tepër të vështira, derisa arritëm gjuhën, që ishte e vështirë, pastaj kërkimin e vendit të punës, kërkim banese, por pas tre vjetësh filloi çdo gjë të ecte ashtu siç kisha unë dëshirë.

DW: Si ju ndihmuan autoritetet gjermane?

Plasoti: Të them të drejtën jam i kënaqur me të tëra, çfarë është ofruar. Persa i perket kurseve kanë qenë të ofruara nga shteti gjerman unë kam ndjekur një kurs të tillë, ishte ditën, por pas një periudhe prej gjashtë shtatë muajsh unë gjeta një vend pune, kështu që e nderpreva atë kurs duke vazhduar vetë pasdite me shpenzimet e mia.

Flash-Galerie Albanien Wende Shqiperia 1990
Thoma Plasoti me bashkëshortenFotografi: Thoma Plasoti

DW: Çfarë ka sjellë në jetën tuaj Gjermania. Eshtë një vend tjetër dhe jeta merr gjithsesi një drejtim dhe zhvillim tjetër nga zhvillimi do të kishte marrë në Shqipëri?

Plasoti: Po ndryshimi për mua ka qenë shumë pozitiv. Perveç gjuhës që mbarova, mbarova edhe një shkollë profesionale, u integrova në jetën gjermane. Kishte shumë gjëra, që ne nuk i njihnim. Mënyra e të jetuarit, menyra e të qenit shtet demokratik, të lirë, mënyra e komunikimit me autoretet, zyrat civile. Eshtë diçka, që kur e kujtoj sot them, ku ishim dhe ku jemi. Ndryshime si nata me ditën për mendimin tim. Çfare të ndryshon komplet në mënyrën e të sjellurit e të edukates, që njeriu e merr këtu.

DW: A i ruani lidhjet me vendlindjen?

Plasoti: Lidhjet me vendlindjen natyrisht që i mbaj, pasi kemi edhe njerëzit tanë të afërt atje dhe shkojmë pothuajse çdo vit. Jeta ime përmes dy vendeve vazhdon të jetë e lidhur edhe përmes medias dhe televizorit, ku ndjekim gjithmonë ndryshimet, që ndodhin atje. Dëshira jonë si shqiptarë është që edhe shteti ynë të integrohet dikur në komunitetin evropian. Dhe kështu jemi të interesuar për gjithçka, që ndodh ta ndjekim pak a ashumë nga afër dhe të shikojmë çfarë ecën atje dhe si është ndryshimi i atjeshëm me këtu, duke llogaritur që ne jetojmë këtu pjesën më të madhe të kohës.

DW: Kaloni kohë të gjatë në Shqipëri?

Plasoti: Të them të drejtën jo shumë gjatë, pak a shumë një javë thuajse çdo vit.

Intervistoi: Angjelina Verbica

Redaktoi: Aida Cama