1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Planet e BQE para gjyqit

Jörn Bender, Marion Trimborn, dpa15 Tetor 2014

A i lejohet Bankës Qendrore Evropiane t'i blejë huatë shtetërore? Që prej së martës Gjykata Evropiane e Drejtësisë do të diskutojë nëse BQE do t'i lejohet kjo. Gjykata Kushtetuese gjermane ia përcolli vendimin GJeD.

https://p.dw.com/p/1DVZr
Pamje simbol - BQE
Fotografi: Getty Images/A. Dedert

Gjykata do të diskutojë për deklaratën e Bankës Qendrore Evropiane (BQE) të verës 2012, që në rast nevoje kjo bankë të blejë hua të shteteve evropiane të krizës. Gjykata Kushtetuese gjermane në Karlsruhe arriti në shkurt 2014 në përfundimin që BQE me të ashtuquajturin Program OMT (Outright Monetary Transactions) i ka kaluar kompetencat e saj: në bazë të marrëveshjeve evropiane, BQE nuk i lejohet një politikë e pavarur ekonomike. Veç kësaj, Gjykata Kushtetuese ishte të hënën e mendimit se vendimi i OMT shkel ndalimin për të bashkëfinancuar buxhetet shtetërore. Por vendimin përfundimtar, Karlsruhe ua la gjykatësve të Luksemburgut.

Çfarë është saktësisht programi OMT?

Në fillim të shtatorit 2012, Këshilli i BQE vendosi në kundërshtim me rezistencën e Presidentit të Bankës Qendrore Gjermane, Jens Weidmann, që t'i mbështesë shtetet e eurozonës në krizë, në rast nevoje me një blerje të pakufizuar të huave shtetërore. Kushtet: shtetet përkatëse duhet të paraqisnin më parë një lutje për ndihmë te Fondi i Shpëtimit i BE dhe që t'u nënshtroheshin reformave politike.

Bondet BQE ka ndërmend t'i blejë në tregun sekondar, pra nga bankat, jo direkt nga shtetet. Spanja, Italia dhe Portugalia do të përfitonin nga ulja e interesave bankare.

Cili ishte objektivi që ndiqte BQE me këtë masë?

Në verë 2012 Eurozona ndodhej para sprovës së shpërbërjes. Presidenti i BQE, Mario Draghi e pa veten të detyruar të ndërmarrë një hap historik: "BQE është e gatshme që në kuadër të mandatit të saj të bëjë gjithçka të nevojshme, për ta shpëtuar euron." Pak më vonë u ngrit Programi OMT.

Që vetëm deklarata e Draghit i qetësoi tregjet, këtë e pranojnë edhe kritikët. Shqetësimet për një falimentim shtetëror të Italisw ose Spanjës u larguan. Besimi i investuesve në hapësirën e Eurozonës u përmirësua - megjithëse BQE nuk bleu asnjë hua të vetme në kuadër të OMT-së.

Pse janë kaq të diskutueshme blerjet e huave shtetërore nga BQE?

Kritikët janë të mendimit se BQE në fund të fundit financon përmes blerjeve borxhet shtetërore. Kjo e bën të varur Bankën Qendrore nga shtetet përkatëse dhe e rrezikon pavarësinë e saj përballë qeverive. Veç kësaj kjo frenon gatishmërinë për reforma, kur shtetet e dinë se në rast nevoje do të ndërhyjë BQE.

Sa i madh është rreziku i humbjeve?

Të gjitha masat e BQE shoqërohen nga shqetësimi se humbjet e mundshme do t'i paguajë taksapaguesi. Sepse humbjet BQE mund t'ua kalojë bankave qendrore nacionale dhe Gjermania, përmes Bankës Qendrore Gjermane është me rreth 26 përqind bashkëaksionarja më e madhe e BQE. Vendimi i Gjykatës pritet pas një viti.