1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

PKK: Lamtumirë armë?

Thomas Seibert2 Mars 2015

Kryetari i PKK, Öcalan u ka bërë thirrje luftëtarëve të Partisë Punëtore të Kurdistanit që t'i japin fund përfundimisht luftës së armatosur kundër shtetit turk. A ka shpresë për fundin e një lufte më se 30 vjeçare?

https://p.dw.com/p/1EjJZ
Demonstrate ne Stamboll
Fotografi: Reuters/M. Sezer

Për një "shprehje historike të vullnetit" foli politikani turk i kurdëve Sirri Süreyaa Önder të shtunën, pas një takimi të disa parlamentarëve kurdë me zëvendëskryeministrin turk, Yalcin Akdogan dhe përfaqësues të tjerë qeveritarë në Stamboll. Önderi lexoi një deklaratë të Öcalanit, të arrestuar që në vitin 1999. Öcalani negocion që prej dy vjetësh me qeverinë turke për një zgjidhje paqësore të konfliktit të kurdëve. Sipas kësaj, PKK duhet ta vulosë edhe formalisht në një kongres në pranverë lamtumirën nga armët.

Shpresë për paqe

Shpresa për fundin e konfliktit të përgjakshëm të kurdëve është një nga temat më të rëndësishme të politikës së brendshme në Turqi, pak para zgjedhjeve parlamentare më 7 qershor të këtij viti. Një përfundim me sukses i negociatave me Öcalanin para ditës së zgjedhjeve do t'i jepte qeverisë së kryeministrit Ahmet Davutoglu mbështetje të madhe, mendon studiuesi i opinionit, Adil Gür. Veç gjendjes ekonomike, është procesi i paqes midis Turqisë dhe kurdëve që është për shumë njerëz faktori vendimtar në vendimin në zgjedhje, i thotë Gür Deutsche Welle-s. Këtë e shpjegon një vështrim pas në të kaluarën e përgjakshme: më shumë se 40.000 vetë e kanë humbur jetën, që kur PKK nën Öcalanit rrëmbeu armët në vitin 1984. Në shumë vite të luftës, në zonat e kurdëve në Anadollin Juglindor u shkatërruan disa mijëra fshatra, miliona vetë u bënë refugjatë në vendin e tyre ose në Evropë. Pati periudha kur PKK e transportoi terrorin në pjesën tjetër të Turqisë, ndërsa shtetit turk veproi me ekzekutime pa gjyq kundër kurdëve - mijëra krime deri sot janë të pasqaruara. Miliona turq u rritën nën hijen e luftës.

Paqartësi për lëshimet

Vetëm pak vjet më parë tek të dyja palët zuri vend bindja, se konflikti nuk fitohet me mjete ushtarake. Kur shërbimi i fshehtë turk MIT nisi me rekomandim të kryeministrit të atëhershëm dhe të presidentit të sotëm të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan në fund të 2012-ës negociatat e fshehta me Öcalanin, diskutohej në radhë të parë armëpushimi, që ka hyrë në fuqi që në pranverë të 2013-ës dhe pak a shumë respektohet. Tani është i prekshëm një dimension i ri, është e sigurtë qeveria: ekziston shansi për një Turqi më demokratike, deklaroi Davotuglu të shtunën (28.02).

Por ende dihet pak për përmbajtjen e negociatave midis MIT dhe Öcalanit. Kurdët kërkojnë vetëvendosje më të madhe rajonale dhe kulturore dhe liri më të madhe gjuhësore, para së gjithash në sektorin e arsimit. Edhe një ripërkufizim i konceptit të nënshtetatsit, deri tani me vulë turke-nacionaliste bën pjesë në katalogun e kërkesave. Veç kësaj spekulohet për një amnesti për anëtarët e PKK-së dhe për lirimin e Öçalanit. Por cilat lëshime është e gatshme të bëjë vërtet Ankaraja është e paqartë.