1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

PISA 2013 - Gjermania përmirësohet dukshëm

Janine Albrecht/Lindita Arapi3 Dhjetor 2013

Pas tronditjes që shkaktuan në vitin 2011 në Gjermani rezultatet e studimit ndërkombëtar për arsimin, PISA, këtë vit vihen re përmirësime. Por prejardhja sociale vazhdon të luajë një rol të rëndësishëm në rezultatet.

https://p.dw.com/p/1ASFM
Fotografi: Fotolia/comgold36

Nëse do të vazhdonin të jetonin ende si Adam Riese dhe Johann Wolfgang von Goethe mund të jenë të kënaqur. Nxënësit gjermanë kanë dalë shumë mirë në testin e pestë ndërkombëtar për rezultatet mësimore, PISA, më mirë se kurrë më parë. Për herë të parë rezultatet e nxënësve gjermanë në matematikë, shkencat natyrore dhe lexim kanë qenë mbi mesataren e 510.000 nxënësve të testuar nga mosha 15-16 vjeç në 65 shtete.

Testi ndërkombëtar i lëndëve mësimore i organizuar nga Organizata për Bashkëpunimin Ekonomik dhe Zhvillimin, OECD u prezantua të martën (03.12.) në Berlin. Me rezultatet e përgjithshme nxënësit gjermanë zunë vendin e 16 - një përmirësim i dukshëm krahasuar me rezultatet e viteve të kaluara. Gjermania zinte vendin e 22 nga 32 vende të testuara - shokuese për Gjermaninë, vendin e mendimtarëve dhe poetëve.

Symbolbild PISA-Studie
Gjatë testit nga PISAFotografi: picture-alliance/dpa

Matematika mbetet fushë e preferuar e djemve

Manfred Prenzel, dekan i "School of Education" në Universitetin Teknik të Mynihut dhe menaxher i projektit PISA për vitin 2012 shprehet se "Shoku i përgjithshëm që shkaktoi Pisa në vitet e kaluara e vuri arsimin në qendër të vëmendjes politike dhe publike." Kjo bëri që të jetësoheshin një sërë ndryshimesh në sistemin arsimor gjerman - madje me sukses siç e treguan edhe rezultatet e testit të fundit. Kështu për shembull mori një rëndësi të veçantë edukimi i fëmijëve në kopshte si një çelës i rëndësishëm i rezultateve të mëvonshme në shkollë. Nga ana tjetër u futën testet gjuhësore për të kuptuar deficitet gjuhësore për fëmijët me prejardhje të huaj, si edhe u bënë përmirësime në specializimin e mësuesve.

Nxënësit gjermanë kanë arritur rezultate të mira në matematikë. Me 514 pikë të arritura atë e kaluan mesataren e OECD-s duke qenë kështu në pararojë me një gjysmë viti shkollor krahasuar me të tjerët. Por djemtë kanë arritur rezultate më të mira se sa vajzat. Drejtoresha për arsimin në OECD, Barbara Ischinger u drejton një apel shqetësues prindërve, politikanëve dhe mësueve në Gjermani: "Duke pasur parasysh aftësinë konkurruese të Gjermanisë, duhet bërë gjithçka për të zgjuar interesin e vajzave në këtë drejtim."

Lista kryesohet nga vendet aziatike

Vende të tjera duket se kanë gjetur mekanizma më të mirë për të zgjidhur këtë çështje. Ashtu si edhe në testin e vitit 2009, vendet aziatikojugore kryesojnë listën. Në Top-Ten - pra në dhjetë më të mirët në lëndën e matematikës renditen shtatë vende dhe rajone nga Azia. Numrin më të madh të pikëve (613) e ka kapur Shangai. Vendin e dytë e zunë nxënësit nga Singapori dhe Hong-Kongu. Ndërsa në Europë vendin më të mirë e kanë zënë nxënësit zviceranë, ata nga Lihtenshtajn, Finlanda ka rënë duke zënë vendin e 12.

Schule China Unterricht
Orë mësimi në KinëFotografi: picture alliance/Photoshot

Mbështetje për nxënësit me prejardhje të huaj

Megjithëse Gjermania ia ka dalë si i vetmi vend krahas Turqisë dhe Meksisës të përmirësojë rezultatet në matematikë, nxënësit me prejardhje të huaj ende kanë probleme. Ata mbesin mbrapa gati me një gjysmë viti shkollor krahasuar me nxënësit gjermanë. Andreas Schleicher, koordinator i testit PISA të OECD-së thotë se ky problem ka lidhje edhe me personelin mësimor në Gjermani. "Padrejtësia sociale në Gjermani ka më shumë lidhje me vlerësimin e mësuesve se sa me rezultatet e nxënësve."

Shumë fëmijë nënvlerësohen për shkak të prejardhjes së tyre dhe për këtë nuk arrijnë rezultatet e duhura. Schleicher thekson rolin e mësuesve në këtë drejtim. Si shumë ekspertë të tjerë të arsimit, Schleicher mbron idenë e të mësuarit bashkë për një kohë më të gjatë në Gjermani dhe mosndarjen e fëmijëve që pas klasës së IV.