1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Piloti i Germanwings prej vitesh pranë vetëvrasjes

aud (tgsch, dw)30 Mars 2015

Piloti i dytë i Germanwings është trajtuar para disa vjetësh sepse rrezikohej të vriste veten. Kohët e fundit patën pasuar edhe vizita të tjera të mjeku, njoftoi Prokuroria e Dyseldorfit.

https://p.dw.com/p/1EzfA
qirinj ne meshe te permortshme per viktimat e Germanwings
Fotografi: Getty Images/T. Lohnes

Për shkak të mendimeve për të vrarë veten, piloti i dytë i avionit të rrëzuar të Germanwings-it është trajtuar nga ana psikoterapike. 27 vjeçari ka qenë, para se të merrte licencën e pilotit "për një periudhë të gjatë kohe në trajtim psikoterapik, me shënim rrezikimin për të vrarë veten", njoftoi Prokuroria e Dyseldorfit.

Por në vizitat e tij kohët e fundit, atij nuk i ishte dëshmuar as rrezik për veten dhe as për të tjerët. Të dhëna për probleme organike nuk ka në dokumentat e mjekëve. Gjithashtu vazhdojnë të mungojnë dëshmi se ai e kishte përgatitur ose kishte ndër mend ta kryente një akt të tillë.

Shumë dokumente tashmë janë vlerësuar

Rreth 100 hetues të komisionit të posaçëm "Alpet" aktualisht po kontrollojnë ambjentet ku ka qarkulluar piloti. Shumë dëshmitarë janë marrë në pyetje. Një pjesë e madhe e materialit të konfiskuar nga kontrollet e banesave tashmë janë përpunuar, bëri të ditur Prokuroria.

27 vjeçari dyshohet se e ka rrëzuar me qëllim avionin Airbus 320 të martën e kaluar. Të 150 njerëzit në bord vdiqën.

Pas rrëzimit të avionit të Germanwings-it në Alpet franceze, hetuesit ndërkohë kanë siguruar ADN-në e 78 personave. Këto të dhëna do të krahasohen me të dhënat e anëtarëve të familjes, për të identifikuar të vdekurit, tha Prokurori i Marsejës, Brice Robin.