1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pengohet një sulm eventual terrorist në Prishtinë

Bekim Shehu26 Dhjetor 2014

Në Prishtinë arrestohet një shtetas serb me 13 kilogram eksploziv në veturën e tij. Autoritetet kanë nisur zbardhjen e rastit.

https://p.dw.com/p/1EANc
Prishtina
Fotografi: picture-alliance/dpa

Policia e Kosovës arrestoi natën e së enjtes (25.12.2014) një shtetas të Serbisë, sepse në makinën e tij ai kishte mbi 12 kilogram material shpërthyes. Arrestimi i shtetasit të Serbisë dhe kapja e materialit shpërthyes u bë në lagjën Arbëria në Prishtinë, në bazë të një informacioni paraprak, që kishin autoritetet e rendit. Në një konferencë për media, ministri i Punëve të Brendshme Skënder Hyseni, tha se shoferi i arrestuar serb ka pasur qëllime të qarta të kryerjes së një sulmi terrorist.

“Policia rreth orës 21:00 ka ndaluar dhe arrestuar vozitësin e kësaj veture. Vetura është drejtuar nga një qytetar serb, i lindur e rritur në Serbi (1968) dhe mban inicialet S.G. Policët kanë gjetur afro 13 kilogram të materies për përpunim për ekskploziv”, tha Skënder Hyseni. Ministri Hyseni tha se tash për tash nuk mund të publikohen detaje të tjera, por sipas tij “ky rast do të hetohet deri në fund, me gjithë kompleksitetin që ka”.

Ndërkohë, Prokuroria Speciale e Kosovës, në një komunikatë për media thotë se “ndaj të dyshuarit është shqiptuar masa e ndalimit prej 48 orësh, nën dyshimet se ka planifikuar që materialin shpërthyes ta përdorë për “aktivitete terroriste”.“Personi në fjalë ka kryer veprën penale “përgatitja e veprës terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”.

Presidentja Jahjaga kërkon bashkëpunim me organet e rendit

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga menjëherë pas kësaj ngjarjeje takoi kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa dhe krerët e mekanizmave të sigurisë për të vlerësuar gjendjen e sigurisë në vend pas arrestimit të një të dyshuari me sasi të mëdha eksplozivi në kryeqytet.

“Presidentja Jahjaga e përgëzoi Policinë e Kosovës për profesionalizmin dhe punën e mirë në pengimin e këtij veprimi terrorist dhe në mbrojtjen e sigurisë kombëtare të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj. Presidentja Jahjaga kërkoi nga mekanizmat e sigurisë që të rrisin sigurinë e përgjithshme në Kosovë dhe apeloi te qytetarët që të bashkëpunojnë me organet e rendit, që po e hetojnë këtë incident”, thuhet në reagimin e Presidentes Jahjaga.

Presidentja, thotë se “duke marrë parasysh natyrën komplekse dhe serioze të këtij komploti të dyshuar terrorist, u bën thirrje shteteve të rajonit që të bashkëpunojnë në zbardhjen e rrethanave dhe të ndihmojnë në sjelljen e aktorëve të përfshirë në këtë akt terrorist para drejtësisë".

Presidentja Jahjaga theksoi se institucionet e Republikës së Kosovës janë të përkushtuara që Kosova të mos bëhet vatër dhe shënjestër e aktiviteteve terroriste dhe institucionet e vendit do të bëjnë çmos që siguria kombëtare e Kosovës dhe e aleatëve të saj të ruhet dhe të garantohet.