1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Para zgjedhjeve në Bullgari: pa orientim dhe shpresë

Alexander Andreev/ Auron Dodi30 Shtator 2014

Dy vitet e fundit dy qeverive bullgare iu desh të japin dorëheqjen. Para zgjedhjeve parlamentare në pesë tetor po përvijohet një fitore e Partisë Mes i Djathtë, GERB. Shpresat për kthesë radikale janë të vogla.

https://p.dw.com/p/1DNB5
Pamflete zgjedhjesh ne Sofie
Fotografi: BGNES

Bullgarët janë kampionë të trishtuar të BE në shumë disiplina: Bullgaria është vendi më i varfër i BE me produktin më të ulët social bruto, është një vend me korrupsionin më të lartë të perceptuar si dhe, sipas një studimi të Gallupit të vitit 2012, me popullin më të palumtur. Aktualisht nuk ka thuajse fare sinjale, se gjendja mund të përmirësohet së shpejti, mendon Georgi Angelov, ekspert i ekonomisë. "Kriza politike zgjat që prej gati dy vjetësh dhe nuk ka kaluar. Ajo ushtron ndikim negativ në ekonomi dhe në investime". Kriza ruso-ukrainase, përmbytjet, deficiti buxhetor në rritje, si dhe destabilizimi i bankave e përkeqësojnë situatën edhe më tej.

Situatë e vështirë ekonomike dhe populizëm

Bullgaria është e varur në 90 përqind nga gazi rus. Përballë konfliktit ruso-ukrainas, shumë bullgarë druhen se i pret një dimër i ftohtë dhe ndoshta protesta të reja në rrugë. Anketimet e fundit tregojnë se 70 përqind e qytetarëve janë më tepër pesimistë në lidhje me qeverinë e re dhe se mbi gjysma e bullgarëve nuk pret kthesë në drejtim pozitiv.

Se ç'politikë do të ndiqet me të vërtetë pas zgjedhjeve, kjo thuajse nuk kuptohet nga programet politike të partive. Për politologun Daniel Smilov, programet e partive janë thjesht asesuarë për zgjedhje, të cilat asnjë politikan nuk i merr seriozisht dhe që nuk do t'i lexonte asnjë zgjedhës. Energji e lirë, politikë më e mirë tatimesh dhe shërbime shëndetësore të pagueshme - këto janë temat e preferuara të populistëve. Por për gjëra të tilla nuk ka hapësirë, mendojnë ekspertët. Sepse çmimet e energjisë në Bullgari edhe tani janë më të ulëtat në BE, taksën e sheshtë prej 10 përqind nuk mund ta ulësh më poshtë, një rishpërndarje e barrës së tatimeve do ta mbyste ekonominë dhe në shëndetësi sundojnë korrupsioni dhe mungesa e parave.

Korrupsioni po e shpërbën shoqërinë

Juristi Todor Yalamov pohon se që prej vitit 2009, niveli i korrupsionit në sektorin publik është rritur me dyfishin e tij. Strukturat oligarkike, që sundojnë në vend e kanë shkatërruar plotësisht besimin e qytetarëve tek institucionet, thotë Yalamov. "Bullgaria duhet t'i përgjigjet një pyetjeje kardinale: a do të mbetet në rrugën e një shoqërie oligarkike sipas modelit të Rusisë, apo do të zhvillohet në rrugë evropiane?", pyet profesori i politikës, Evgenii Dainov. Megjithatë Dainovi është optimist. "Protestat masive kundër oligarkisë kanë treguar efekt në të kaluarën", thotë Dainov.

Kjo në një kohë kur problemi nuk është vetëm "korrupsioni i vogël" në shërbimet publike. Për shuma të mëdha parash bëhet fjalë në të vërtetë në ndarjen e miliardave të BE, të cilat i ka marrë deri tani Bullgaria, për tenderat për projekte të mëdha shtetërore si dhe për dy projektet e mëdha në fushën energjitike, të cilat për momentin janë ndalur: tubacionin e furnizimit me gaz South Stream dhe centralin e dytë atomik në Danub. Këtu në të kaluarën janë zbuluar disa afera korrupsioni, por njohësit e gjendjes thonë se kjo është vetëm maja e ajsbergut.

Drejtësia dhe lufta kundër kriminalitetit

Një problem tjetër është kriminaliteti. Pas hyrjes së Bullgarisë në BE, kuotat e kriminalitetit ranë për herë të parë. Yalamov e shpjegon këtë me orientimin e kriminalitetit të organizuar dhe të kriminalitetit të vogël drejt Perëndimit. Tani tendenca ka ndryshuar, për shkak të krizës dhe të luftës më të mirë të kriminalitetit në shtetet e BE. Për një periudhë kohore, mekanizmat e BE ushtruan njëfarë presioni ndaj qeverisë, të paktën për të ndërmarrë disa hapa në reformën e drejtësisë. "Pas hyrjes në BE, ra rëndësia e këtyre mekanizmave të kontrollit. Politikanët bullgarë konstatuan se kritika nga Brukseli nuk ka pasoja praktike për ta. Herë pas here ndalohen paratë e BE, por jo më tepër."

Ndjenja e mungesës së perspektivës përcakton atmosferën e zgjedhjeve në Bullgari. Sondazhet e fundit flasin për një fitore të sigurtë të Partisë GERB, parti e mesit të djathtë, e ish-kryeministrit Boiko Borissov. Pritet një qeveri koalicioni, me bllokun e vogël reformator liberal.