1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

100611 Jugendarbeitslosigkeit Europa

21 Qershor 2011

"Të rinjtë janë e ardhmja", thuhet në të gjitha fjalimet e politikanëve, kur flitet për rëndësinë e moshave të reja. Mirëpo realiteti duket ndryshe. Në shumë vende të Evropës një pjesë e madhe e të rinjve janë të papunë.

https://p.dw.com/p/11gGT
Fotografi: Dianne Aston

"Ne kërkojmë më shumë të drejta: një vend të përhershëm pune, një rrogë, që do të na mjaftonte, shanse për banesë dhe një të ardhme më të sigurtë."

Papunësia më e lartë tek të rinjtë është në Spanjë

Jugendarbeitslosigkeit
Fotografi: DW

Të rinjtë e Spanjës janë të trishtuar. Gati çdo i dyti është i papunë. Papunësia e 25 vjeçarëve është 44 %, që është niveli më i lartë në Evropë. Shumë prej tyre kanë përshtypjen se i takojnë një "brezi të humbur". Është kjo një gjeneratë, e cila duhet të paguajë çmimin e një krize, të cilën nuk e ka shkaktuar ajo.

Rinia spanjolle ka protestuar javët e kaluara edhe në rrugë

Protestat e të rinjve të dëshpëruar në Madrid, Barcelonë dhe qytetet tjera të mëdha spanjolle kanë gjetur vend në shtypin e shumë vendeve në mbarë botën.

Një prej shkaqeve për këtë gjendje të mjeruar është gjendja në industrinë e drurit, që është një prej sektorëve më të rëndësishëm të ekonomisë spanjolle. Pas krizës së imobilieve në Spanjë ka rënë prodhimtaria në industrinë e drurit për 70 %. Dikur në këtë sektor puntorët kanë fituar mirë, tani janë të papunë.

Por Spanja nuk është një rast i vetëm

Jugendarbeitslosigkeit im Vereinigten Königreich
Fotografi: Dianne Aston

Kur bëhet fjalë për papunësinë e të rinjve në Bashkimin Evropian, Greqia, Irlanda dhe Italia kanë një shkallë të lartë të papunësisë të të rinjve prej 30 %. Në dhjetor të vitit 2010 papunësia e të rinjve në 19 prej 27 vendeve anëtare të BE-së ishte më e lartë se 20 %. Eskperti gjerman për tregun e punës, Holger Schäfer, thotë se të rinjtë janë viktima më e madhe e krizës ekonomike: "Të rinjtë e kanë më të vështirë në kohën e krizave ekonomike, sepse ata nuk kanë ndonjë periudhë të gjatë punësimi. Do të thotë, ata janë në punë për një kohë më të shkurtër dhe nuk kanë vendime për punë të përhershme. Në rastet e reduktimeve, ata janë viktima më e shpeshtë."

Politika ka pak mundësi të veprojë në rastet e tilla

Masa më e rëndësishme është ringjallja ekonomike, thotë Schäfer: "Koniuktura luan një rol të rëndësishëm në zhvillimin e tregut të punës për të rinjtë. Nga kjo varen edhe ofertat për aftësime të mëtejmë, që më së miri shihet nga zhvillimet në vendet e kapluara nga kriza. Spanja për shembull në vitin 2006 ka pasur një papunësi të të rinjve me "vetëm" 18 %, pra shumë më pak se sot."

Në Gjermani gjendja është relativisht e mirë

Jugendarbeitslosigkeit
JugendarbeitslosigkeitFotografi: DW

Gjermania për dallim prej shumë vendeve të tjera të BE-së gjendet në një pozitë shumë më të mirë. Ekonomia gjermane po rritet, eskporti po përjeton bum, konsumi është në nivel të lartë. Papunësia e të rinjve është nën 10 %, sikur edhe në Austri, apo Holandë.

Përveç zhvillimit ekonomik, një rëndësi të madhe luan edhe shkollimi në drejtimet e duhura. Rene Rudolf, drejtor i Drejtorisë për politikën e të rinjve në sindikatat gjermane, thotë: "Besoj se sistemi i shkollimit tek ne është ndër më të mirët në botë dhe ofron mundësi të mira për të rinjtë. Ky është një aspekt pozitiv, që të rinjve u ofron mundësi për punësim në profesionet e tyre."

Autor: Nils Naumann/Bahri Cani

Redaktoi: Angjelina Verbica