1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Papa kërkon paqe në mesazhin tradicional të Pashkëve

Auron Dodi (dpa,rtr)20 Prill 2014

Mesazhin e tij për Pashkët para miliona vetëve, Papa Françesk e përdori sërish për paqen. Ai u ankua për urinë në botë dhe u shpreh kundër dhunës. Një traditë të paraardhësve të tij ai e ndërpreu sërish këtë vit.

https://p.dw.com/p/1BlMu
Papa ne sheshin e Shen Pjetrit
Fotografi: Reuters

Papa Françesk kritikoi në mesazhin e tij për Pashkët dhunën në zonat e konfliktit në Siri dhe në Ukrainë dhe kërkoi paqe dhe dashuri për tjetrin. "Ne të lutemi ty, Jezu i lavdishëm, bëj që të pushojnë të gjitha luftërat, çdo armiqësi e madhe ose e vogël, e vjetër ose e re", tha ai sot (20.04.2014) para rreth 150.000 besimtarëve në Sheshin e Shën Pjetrit të zbukuruar në mënyrë festive. Veç kësaj Papa u shpreh kundër dhunës dhe shpërdorimit në botë, përpara se të shqiptonte në llozhën e Katedrales së Shën Pjetrit bekimin tradicional "Urbi et Orbi".

Nën diellin që shkëlqente në Romë, Papa bëri thirrje disa herë që t'i jepet fund dhunës. "Për të gjithë popujt e botës, ne të lutemi ty, o Zot: ti, që e mposhte vdekjen, na dhuro jetën tënde, na dhuro paqen tënde." Kreu i Kishës Katolike dënoi situatën në disa zona konflikti si Iraku, Nigeria, Sudani i Jugut, Republika e Afrikës Qendrore dhe Venezuela.

Ukrainës ai i uron një të ardhme "në frymën e unitetit dhe të dialogut". Në Siri, palët duhet të marrin "guximin, që të negociojnë për paqen, e cila pritet prej shumë kohësh."

Më parë Papa pati kremtuar me besimtarët Meshën tradicionale të Pashkëve për Ringjalljen e Krishtit. Pas kësaj, ai udhëtoi me makinë disa herë në Sheshin e Shën Pjetrit, përshëndeti pelegrinët dhe u shtrëngoi duart.

Mesha e Pashkëve në Sheshin e Shën Pjetrit
Mesha e Pashkëve në Sheshin e Shën PjetritFotografi: Reuters

Bekimin "Urbi et Orbi" - Qytetit dhe Rruzullit- e ndoqën miliona vetë në të gjithë botën përmes televizionit dhe internetit. Ashtu si vitin e kaluar, edhe këtë vit Papa hoqi dorë nga përshëndetjet e zakonshme për Pashkët në disa dyzina gjuhësh. Në vend të kësaj, ai u uroi njerëzve në italisht "një drekë të mirë" dhe Pashkë të Gëzuara.

Papa i surprizoi për Pashkët fëmijët e sëmurë duke u dërguar atyre një kamionë me vezë pashke. Veç kësaj, ipeshkvi përgjegjës për lëmosha, raportohet se shpërndau rreth stacionit të trenit Termini para dhe përshëndetje për Pashkët nga Papa ndaj të pastrehëve.

Të shtunën në mbrëmje, Papa Françesk në atmosferën e veçantë të natës së Pashkëve u pati bërë thirrje njerëzve, që të kthehen në rrënjët e besimit dhe që ta shpërndajnë këtë besim në botë.