1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Panairi i Hannoverit në kohën e robotëve

Henrik Böhme7 Prill 2014

Ç'pamje do të ketë fabrika e së ardhmes? A do të kenë njerëzit atje ende një vend, apo do ta marrin krejtësisht robotët komandën? Përgjigje gjen këto ditë në Panairin e Hanoverit.

https://p.dw.com/p/1BdSz
Roboter am Stand von Siemens auf der Hannover Messe 2014
Fotografi: DW/H. Böhme

Industri për ta prekur me dorë - kështu mund t'i quash ngjarjet në sallonet e mëdha të panaireve. Këtu janë ndërtuar linja të tëra prodhimi: herë më të mëdha, herë më të vogla, herë për pjesë automjetesh, herë për këllëfë celularësh. Synimi është gjithmonë: të tregohet gjithmonë një mënyrë sa më efikase, që kursen energjinë, e zhdërvjellët për produktin e caktuar.

"Fabrikantëve ndërkombëtarë u duhet të prodhojnë në mënyrë gjithnjë e më individuale dhe të mbeten në këtë kuadër të aftë për të përballuar konkurencën. Dhe digjitalizimi e mundëson që ata të mos kenë vetëm një rrugë të ngurtë prodhimi, që të prodhojë në plan afatgjatë vetëm një produkt." Informacioni ndodhet tani tek produkti, me të drejtohen makineritë - "dhe ato mund ta llakojnë produktin të hënën ndryshe nga e marta. Dhe kjo shumëllojshmëri është ajo që tregojmë këtu". Për panairin e Hanoverit mund të konsiderohet fat, që industria gjermane ia ka caktuar vetes që para disa vjetësh temën "industri 4.0" dhe që tani rezultatet i tregojnë si koncerne të mëdha, ashtu edhe sipërmarrje të mesme."

Hannover Messe 2014 Angela Merkel
Kancelarja Angela Merkel hapi panairin e Industrisë 2014 në HanoverFotografi: Reuters

Natyrisht që në Hanover nuk gjen vetëm firma gjermane, gjithsej përfaqësohen 65 shtete me mbi 5000 ekspozues. Por gjermanët, që me produktet e tyre janë shpesh liderë të tregut botëror, duan të shkëlqejnë veçanërisht në "lojën në shtëpinë e tyre". Siemens-i ka ndërtuar për shembull një stendë gjigante në panair, ku tregon një pjesë të linjës moderne të prodhimit të automjeteve. Eckhard Ebele, përgjegjës për sistemet e automatizimit të produkteve te Siemens-i, tërheq vëmendjen për kërkesat e njerëzve, "për të pasur sa më shpejt që të jetë e mundur, produktin që dëshirojnë. Dhe kjo zhdërvjelltësi duhet garantuar." Kjo mund të arrihet me shumë përpjekje, "ose mund ta automatizosh". Në këtë mënyrë mund t'i shfrytëzosh më mirë kapacitetet e makinerive dhe mund të prodhosh me më pak energji, "unë mund të prodhoj në mënyrë më optimale". Pikërisht prodhuesit e mëdhenj janë më të interesuar në prodhim efikas: "Presioni i konkurencës në të gjithë botën është rritur."

Industriemesse Hannover Produktionsstraße
Fotografi: picture-alliance/dpa

Apel i kancelares

Panairin e hapi të dielën në mbrëmje (06.04.14) kancelarja Angela Merkel. Më parë, në mesazhin e saj me video ajo pati thënë: "Edhe për industrinë 4.0 mbetet e vlefshme fjalia: ekonomia duhet t'u shërbejë njerëzve dhe jo anasjelltas." Për Gjermaninë kjo është një ngjarje me rëndësi kyç, thotë kancelarja: "A do të arrijmë ne të mbetemi lider i tregut ndërkombëtar në sektorët tanë klasikë tradicionalë, duke bashkuar në kohën e duhur mundësitë e teknologjisë informative dhe të komunikimit"? Përndryshe në disa sektorë do të humbasin kontaktin me botën. "Këtë nuk na lejohet ta bëjmë. Prandaj unë e pres me shpresa të mëdha, po edhe me pritje të mëdha ndaj ekonomisë gjermane, panairin e Hannover-it".

Vitin e kaluar, komb partner i panairit ishte Rusia, Vladimir Putini ishte mysafir në Hanover. Aktualisht kjo do të ishte e papërfytyrueshme. Marrëdhëniet me vendin partner të 2014- nga ana tjetër, janë krejtësisht pa tensione - sepse vendi partner i këtij viti ëshë Holanda. Me 250 ekspozues prezantohen në Hanover fqinjët e Gjermanisë, pas Kinës dhe Italisë kjo është prania e tretë për nga madhësia e sipërmarrjeve të huaja në panair.