1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pak shpresë dhe shumë mbrojtje - hapja e tregut të punës

Sabine Kinkarc (DW Berlin)17 Korrik 2008

Kabineti qeveritar gjerman vendosi të mërkurën të lehtësojë kushtet e migracionit ekonomik për të kualifikuarit. Megjithatë, këto masa nuk mjaftojnë as për së afërmi.

https://p.dw.com/p/Ee8k
Fotografi: AP

Përfytyroheni veten të jeni me kualifikim të lartë. Ju keni përfunduar studimet me notën më të lartë, ka vite që punoni si inxhinier, teknik me përvojë apo si ekspert i informatikës në një ndërrmarrje, keni ndjekur specializime të tjera dhe fitoni para të mira.

Ndërkohë ju ndoshta keni krijuar edhe familje, keni miq - thënë shkurt ju e ndieni veten mirë dhe e keni gjetur vendin tuaj në jetë, pavarësisht se ku ndodhet ai. Cfarë do t'u shtynte t'i lini të gjitha këto, të hiqni dorë nga jeta e deritanishme dhe të emigroni në Gjermani për të punuar? Nuk iu bie ndërmend asgjë për momentin? Këtë mund ta kuptoj shumë mirë.

Por këtë nuk e kupton edhe qeveria federale gjermane. Ajo shpreson ende që do të arrijë të joshë një numër të madh akademikësh, të cilët kanë përvojë, dituri dhe kualifikim të lartë, të vijnë e të punojnë në Gjermani. Një shpresë e cila nuk është e re, por që deri tani vetëm sa na ka zhgënjyer. Në vitin 2006 një leje të përhershme qëndrimi për Gjermani e siguruan 456 persona me kualifikim të lartë, një vit më parë ishin 466.

Pengesa kryesore është paga minimale. Kush dëshiron të emigrojë në Gjermani pa asnjë pengesë, atëherë duhet të dëshmojë se do të ketë një pagë të lartë në të ardhmen, e cila i bie që të jetë dyfishi i mesatares të të ardhurave të gjermanëve. Por kush fiton kaq e më shumë? Vetëm specialistët me përvojë të gjatë e jo të rinjtë e sapodiplomuar, të cilët sa e kanë filluar jetën e tyre profesionale. Nga ana tjetër janë pikërisht ata të cilët i kërkon industria gjermane, të rinj fleksibel, të cilët janë në kërkim të punës.

Andaj programi i ri i aksionit për sigurimin e bazës së fuqisë punëtore nuk mund të kuptohet nga ndërmarrjet gjermane. Një sistem i cili nuk bazohet mbi nevojat e tregut gjerman të punës dhe në aftësinë integruese të kandidiatëve nuk mund të funksionojë. Në fushën e informatikës çdo e dyta ndërrmarrje në Gjermani informon për mosfunksionimin e duhur të biznesit si pasojë e mungesës së fuqisë së kualifikuar të punës. Shoqata gjermane e inxhinjerëve njofton për 96 mijë vende të lira të punës, që do të thotë dyfish më shumë se para katër vitesh.

Qeveria gjermane edhe pse dëgjon sinjalet e ekonomisë prapë-seprapë nuk dëshiron t'i marrë ato krejt seriozisht. Mungesa e fuqisë së kualifikuar nuk është aq e madhe, siç paraqitet nga industria, mendon ministri gjerman i punës. Përfundimisht ai nuk shqetësohet shumë për hapjen e tregut të punës, por për mënyrën se si duhet ta mbrojë atë. Tre milionë të papunë janë në Gjermani dhe ai si social-demokrat nuk mund t'i hapë aq lehtë kufijtë. Për dallim nga Gjermania vendet e tjera e bëjnë një gjë të tillë.

Masat e reja politike të qeverisë gjermane për migrimin janë megjithatë një hap në drejtimin e duhur edhe pse ato ndodhen larg prej objektivave që duhen arritur.