1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pa orientim në xhunglën e tregut të punës

Sabine Damaschke / Eliana Xhani23 Maj 2013

Shumë të rinj në Gjermani ndërpresin aftësimin profesional dhe shumë vende mbeten bosh. Në intervistë me Deutsche Welle studiuesi i kualifikimit profesional Felix Rauner përmend shkaqet e këtij zhvillimi të gabuar.

https://p.dw.com/p/18cCY
Fotografi: Fotolia/Nico Vincentini

Sistemi gjerman i arsimit dual është një sukses në eksport. Por kjo nuk do të thotë se gjithçka shkon mirë në tregun gjerman të vendeve të kualifikimit profesional. Përkundrazi. Sipas një studimi të kohëve të fundit, në vitin 2012 janë lidhur vetëm rreth 550.000 kontrata për kualifikim profesional, numri më i vogël që prej vitit 2005. Si dhe më parë, shumë të rinj e ndërpresin kualifikimin dhe shumë vende mbeten bosh. Një nga arsyet është se nxënësit gjermanë shpesh kanë përfytyrim të gabuar për jetën e punës, kritikon studiuesi i aftësimit profesional nga Bremeni, Felix Rauner. Sipas tij kjo lidhet me orientimin e dobët profesional që ofrojnë shkollat gjermane.

DW: Z. Rauner, për të pregatitur nxënësit më mirë për tregun e punës ka një sërë iniciativash, si p.sh. kioska e shkollës apo kooperativat e shkollës. A na duhet të tilla iniciativa në çdo shkollë gjermane?

Felix Rauner: Ideja vjen nga SHBA. Atje prej disa dekadash ka iniciativa të tilla. Ideja ka ardhur edhe tek ne dhe në parim nisma të tilla janë natyrisht shumë të mira. Por kjo nuk i çliron landet gjermane nga detyra e tyre: të kujdesen sistematikisht për orientimin profesional.

Studiuesi i aftësimit profesional nga Bremeni, Felix Rauner
Studiuesi i aftësimit profesional nga Bremeni, Felix RaunerFotografi: tristan vankann/fotoetage

Në landin Nordrhein-Westfalen po synohet të arrihet pikërisht kjo me "Sistemin kalimtar shkollë-profesion". Fillimisht në projekte pilot dhe më pas në gjithë territorin e landit, nxënësit nga klasa e 8-të do të këshillohen rregullisht dhe do të ndërmjetësohen në vende praktike. A është kjo pozitive sipas jush?

E keqe nuk është, pasi është diçka më shumë se ajo që kemi pasur deri tani. Por nëse bëjmë një krahasim në plan ndërkombëtar atëherë shohim se jemi shumë prapa asaj që bëhet në vende të tjera. Në njohim vende në të cilat afrimi me botën e punës fillon që në kopësht dhe vazhdon nga klasa e parë e shkollës deri në të fundit. Sigurisht, cilësia e këtij orientimi profesional është krejt tjetër nga ajo që praktikohet në Gjermani. Në krahasim ndërkombëtar ne jemi shumë prapa sa i takon orientimit profesional.

Gjermania investon miliona në programet e orientimit profesional në shkolla. E megjithatë gati një në katër të rinj e ndërpret aftësimin profesional. Si mund të ishin përdorur më mirë këto para?

Unë nuk e di se ku shkojnë milionët. Nëse shihni statistikat zyrtare të OECD-së, do të konstatoni se ne radhitemi nga fundi sa i takon angazhimit në orientimin profesional. Kësaj i shtohet fakti që në sistemin tonë arsimor, kalimi nga shkolla në botën e punës është i përcaktuar fort nga origjina sociale. Të rinjtë me sfond migracioni mësojnë zanate të tilla si mekakinë, fëmijët nga familjet e akademikëve ndjekin studimet e larta. Kudo ku konstatohet ky fenomen, orientimi profesional është zhvilluar sistematikisht nën nivelin optimal.

Ekspertët për arsimin propozojnë ofrimin e një lënde të veçantë, "Orientim profesional". A do të ishte kjo zgjidhja e problemin tonë?

Nxënës në klasë
Nxënësit gjermanë duhet të orientohen më mirë për tregun e punës, mendojnë ekspertëtFotografi: Fotolia/Moritz Wussow

Prej mëse 50 vjetësh ne diskutojmë për mësimin e punës dhe teknikës dhe gjithçka është provuar në praktikë me shumë entuziazëm, por rezultatet nuk kanë qenë shumë të kënaqshme. Ne sapo kemi përfunduar një studim tek të rinjtë me temën profesioni dhe aftësimi preferuar profesional. Konstatuam se për shembull profesioni i teknikut stomatolog është profesion i dëshëruar vetëm tek 20 për qind e të rinjve që nisin këtë kualifikim. Por pasi mbarojë periudhën trevjeçare të aftësimit profesional i japin këtij profesioni notën më të lartë. Ndërsa në rastin e kujdestarit për kafshët, ky profesion vlerësohej shumë në fillim të periudhës së aftësimit por pas pas përfundimit të rinjtë i dhanë një notë të keqe. Përpara se të fillonin aftësimin ata nuk e dinin se çfarë i priste në këtë profesion. Rezultate të tilla janë për mua një tregues se orientimi profesional në Gjermani nuk funksionon mirë.

A ka edhe vende të tjerë krahas SHBA-së që kanë pasur probleme të ngjashme me Gjermaninë dhe sot kanë një orientim më të mirë profesional?

Kemi të bëjmë me një lloj paradoksi që vende me një sistem shumë zhvilluar dual arsimor, si Gjermania dhe Austria, janë prapa në orientimin profesional. Por ka edhe vende që ashtu si Gjermania kanë një sistem shumë të zhvilluar aftësimi profesional dhe megjithatë u ofrojnë nxënësve një orientim të mirë profesional. Këtu bëjnë pjesë p.sh. Norvegjia apo Luksemburgu. Nëse ia dalim mbanë të përmirësojmë edhe orientimin profesional dhe t'i pregatisim më mirë për tregun e punës të rinjtë, kjo sigurisht do të sjellë uljen e numrit të atyre që ndërpresin aftësimin profesional. Është e rëndësishme që të rinjve t'u tregohet që gjatë kohës së shkollës rruga për karrierën e tyre të ardhshme profesionale.