1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Pa Francën Gjermania mbetet vetëm"

Jeanette Seiffert /aud22 Shtator 2014

Nuk është vizitë e zakonshme vizita e kryeministrit francez Valls në Gjermani: "motori gjermano-francez" kërcet me të madhe. Politologia Ulrike Guérot kërkon më shumë mirëkuptim për fqinjin francez.

https://p.dw.com/p/1DGZu
Ulrike Guerot

Deutsche Welle: Presidenti francez, François Hollande ka shpallur se nuk do të ndërmarrë masa të tjera kursimi. Edhe për reforma Parisi kërkon më tepër kohë. Kur Kryeministri francez do të takohet të hënën (22.09.14) a do të përballen dy koncepte të ndryshme financiare dhe politike me njëra-tjetrën?

Po dhe jo. Franca që me ardhjen në pushtet të François Hollande në vitin 2012 më tepër ka manovruar, Hollande është mbështetur shumë në krahun e majtë të socialistëve të tij dhe tek të Gjelbrit. Po emërimi i Valls- dhe ai është kryeministri i tij i tretë- duhet parë si sinjal se synohet të ndërmerret shumë qartë hapi reformues. Dhe këtë Valls edhe do të jetë në gjendje ta bëjë: për zgjedhjet e ardhshme presidenciale në vitin 2017 ai nuk ka ambicie të tij politike, pra ai mund t'ia lejojë vetes që të ndërmarrë masat e thella në sektorin e pensioneve, të arkave të sigurimeve shëndetësore, në kursimet në buxhet. Deri tani, të gjitha reformat janë bërë me gjysmë zemre. Hapave, që vende të tjera si Greqia, Portugalia dhe Italia i kanë ndërmarrë ndërkohë, Franca deri tani u ka bërë bisht - pa folur për Gjermaninë, që i ka ndërmarrë me "Agjendën 2010" para dhjetë vjetësh.

Pse e kanë francezët kaq të vështirë të bëjnë reforma?

Për këtë ka shkaqe shumë të ndryshme, edhe në aspektin psikologjik. Francezët kanë një shprehje të bukur që thotë: francezët bëjnë për cdo përvjetor nga një revolucion, por jo reforma. Kështu që i gjithë presioni mblidhet dhe dikur njerëzit dalin në rrugë.

Francën dhe Gjermaninë nuk mund t'i krahasosh me njëra-tjetrën

Francën dhe Gjermaninë nuk mund t'i krahasosh me njëra-tjetrën. Njëri nga shkaqet, e thënë fare thjeshtë është gjeografia. Ne bëjmë sikur francezët thjesht mund ta kopjojnë modelin gjerman, me shtresën e mesme të fortë, me sistemin dual të arsimit. Prandaj unë them gjithmonë: po të kesh udhëtuar ndonjëherë me veturë nga Dijon-i në Bordeaux, pra nga Franca Lindore në Francën Jugore, të bie të udhëtosh kryesisht përmes 500 km fusha me lule dielli. Gjendja nuk është si në Gjermani, cdo 20 km një dalje autostrade me një zonë industriale, ku gjen ca sipërmarrje të vogla e të mesme. Kjo strukturë homogjene politike dhe gjeografike atje nuk ekziston, po ka një dallim të madh midis qytetit dhe fshatit.

Në thelb, për momentin, Franca përjeton një lëndim narcisti: ndodhet në Perëndim të BE dhe e sheh veten papritur në periferi, me zgjerimin në Lindje të BE dhe me gjithë shtimin e eksportit drejt Lindjes. Franca e ndiente veten fituese të Luftës së Dytë Botërore - dhe tani rrëshket kaq shumë ekonomikisht përballë Gjermanisë, që ka pozitë kaq të mirë: në mes të Evropës, me teprica në eksport, dhe që edhe në futboll fiton 7:1 kundër Brazilit. Francezët kanë një problem madhor me margjinalizimin - dhe këtë mund ta kuptosh në njëfarë mënyre.

Të krijohet përshtypja se francezët po merren për momentin vetëm me veten: Hollande kalon nga një kizë e brendshme politike në tjetrën. A mund të mbështetet ende Gjermania te Franca si partnere?

Cili vend nuk merret për momentin me veten? Ajo që po ndodh është se francezët po e vënë re gjithnjë e më shumë se janë bërë i sëmuri i Evropës dhe që natyrisht shumë vështrime drejtohen nga Franca.

Po kjo ka të bëjë edhe me natyrën e marrëdhënieve gjermano-franceze: ne gjermanët nuk mund t'ia lejojmë vetes që Franca të bierë poshtë. Sepse në pesë vitet e krizës së euros ne e pamë që nuk mund të veprojmë vetëm në Evropë. Edhe kur duam ta përcaktojmë të vetëm kursin - kjo nuk funksionon, sepse vendet e tjera ngrihen në protestë kundër "diktatit gjerman".

Punët mund të ecin vetëm se bashku me Francën. Kur Franca ndihet e fyer dhe nuk vepron së bashku me gjermanët, atëherë bllokohet gjithcka.

Intervistën e zhvilloi Jeanette Seiffert

Politologia Ulrike Guérot (datëlindja 1964) bën kërkime në Fondacionin Open Society Initiative for Europe http://www.opensocietyfoundations.org/about/offices-foundations/open-society-initiative-europe:Stiftung për të ardhmen e demokracisë në Evropoë. Guérot ka mbrojtur doktoraturën me një punim për socialistë francezë.