1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Shkenca & Edukimi

Për ngritjen e shkollave private në Maqedoni

Ligji për arsim fillor në Maqedoni do të mundësojë që për herë të parë të mund të themelohen shkolla fillore dhe të mesme private ku mësimi do të zhvillohet në gjuhën angleze, gjermane ose franceze.

Fëmijë në mësim

Me ndryshimet në ligjin për arsimin fillor dhe të mesëm për herë të parë në Maqedoni ministria e Arsimit dhe komunat do të kenë mundësi të themelojnë shkolla fillore dhe të mesme private, në të cilat mësimi do të zhvillohet në gjuhën angleze, gjermane dhe franceze. Byroja për zhvillimin e arsimit është institucion profesional në përbërje të ministrisë së arsimit e cila jep vlerësime në aspektin e zhvillimit dhe përparimit të arsimit dhe edukimit në shkollat e Maqedonisë.

“Një ndër kompetencat më të rëndësishme të Byrosë është edhe propozimi dhe përgatitja e planeve mësimore, gjithashtu edhe ngritja e iniciativës për përpilimin e programeve mësimore. Ndaj edhe për këto ndryshime në ligj do të jemi gjithsesi të përgatitur për të bërë ndyshimet në fjalë”, shprehet Ajshe Sylejmani zëvëndës drejtore e Byros për zhvillimin e arsimit.

Fëmijë të shkollës fillore

Funksionimi i shkollave fillore dhë të mesme private në gjuhë të huaja është një mundësi dhe një lehtësim i jashtëzakonshëm për të gjithë ata të rinjë që dëshirojne të vazhdojnë studimet jashtë vendit. Por, sipas Ajshe Sylejmanit realizimi i këtij projekti mund të hasë në vështirësi për shkak të mungesës së kuadrove të profesionalizuara në fusha të posaçshme. “Bëhet fjalë për realizimin e tërë procesit mësimor në gjuhë të huaj dhe kjo krijon vështirësi sepse lënda përkatëse, p.sh matematika ka terminollogjinë e saj adekuate dhe paraqet vështirësi për një arsimtar gjuhe që ta ligjerojë atë, pra, duhet të jetë arsimtarë që ka mbaruar matematikën në gjuhë të huaj,” thotë Ajshe Sylejmani.

Në komunën e Çairit ka interesim të dukshëm për themelimin e shkollave fillore dhe të mesme private, sepse në këtë mënyrë arsimi do të jetë në hap me sistemet arsimore në rajon thotë Shefqet Zekolli, përgjegjës për arsim në komunën e Çairit. Në këtë ligj ka zbrazëtira, kundërthënie dhe një lloj të diskriminimit. “Nga vetë fakti se këtu mundësohet që të hapen shkolla private në gjuhën angleze, por jo edhe në gjuhën e vet qytetarëve të Maqedonisë që do të thotë në gjuhën maqedone dhe shqipe”, shprehet Shefqet Zekolli.

Fëmijë të shkollës fillore

Ekzistimi i shkollave fillore publike dhe private do të ndikojë dukshëm në ngritjen e cilësisë dhe konkurencës në sferën e arsimit, gjë që deri më tani i ka munguar sistemit arsimor në Maqedoni. “Do të garohet në cilësi. Vetë prindërit do të mund të zgjedhin shkollat dhe arsimtarët ku janë më cilësor dhe aty do t`i dërgojnë fëmijët e tyre”, thotë Zekolli.

Mundësia për hapjen e shkollave fillore dhe të mesme private është mirëpritur nga Lidhja e Arsimtarëve Shqiptare dhe Unioni i nxënësve të shkollave të mesme, ide të cilën e kanë përkrahur edhe nxënësit. “Një numër i vogël i nxënësve arrijnë që t`i përvetësojnë gjuhët e huaja. Si organizatë përkrahim këtë iniciativë për arsye se do të na ndihmojë për ngritjen e arsimimit, do tu ndihmojë studentëve që në të ardhmen t`i vazhdojnë studimet jashtë vendit”, shprehet përfaqësuesja e Unionit të nxënësve.

Funksionimi i shkollave fillore dhe të mesme private do të mundë të realizohët nga një shtatori i këtij viti.

Autor: Fatos Musliu

Redaktoi: Aida Cama