1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Për herë të parë në Shqipëri do të votohet me një sistem të ri zgjedhor, atë rajonal proporcional.

25 Qershor 2009

Kristaq Kume, ekspert për sistemet zgjedhore për ndikimin, që do të ketë ky sistem në konfiguracionin politik të Parlamentit të ri dhe sidomos në fatin e partive të vogla, që konkurojnë brenda dhe jashtë koalicioneve

https://p.dw.com/p/IaxM
Fotografi: DW/ Ballvora

Katër koalicione partish , dy të djathta dhe dy të majta, do të kërkojnë këtë të dielë, më 28 qershor, votën e qytetarëve të Shqipërisë. Vota e tyre do të zgjedhë 140 deputetët e Parlamentit të ri dhe më do të përcaktojë përbërjen e qeverisë së katër viteve të ardhshme.

Koalicioni i djathtë "Aleanca për ndryshim" i kryesuar nga PD në pushtet është më i madhi. Në të marrin pjesë 17 parti. Koalicioni i dytë i djathtë është " Poli i Lirisë"i drejtuar nga ish kryeministri Aleksandër Meksi, ku marrin pjesë 6 parti. Dy koalicionet e majta rivale janë:

"Bashkimi për Ndryshim" me katër parti pjesëmarëse dhe i kryesuar nga PS dhe "Aleanca Socialiste për Integrim", i përbërë nga 5 parti dhe i drejtuar nga LSI, e ish kryeministrit Ilir Meta. Veç 4 koalicioneve të mësipërme, në garën e kësaj të diele do të marrin pjesë edhe 13 parti, që do të dalin të vetme në zgjedhje. Pjesëmarrja në garë me koalicione përbën një risi, që pason atë të ndryshimit të sistemit zgjedhor: nga maxhoritar - proporcional në rajonal proporcional.

Me sistemin e vjetër u zhvilluan 6 zgjedhjet e përgjithshme paraardhëse, që përfshijnë periudhën 1992- 2005. Zgjedhjet e 28 qërshorit janë të parat që do të zhvillohen me sistemin e ri rajonal - proporcional.

Në bazë të tij Shqipëria është ndarë në 12 rajone, ku votuesit do të japin votën për koalicionin, ose partinë dhe jo kandidatët, të cilët janë përcaktuar dhe publikuar në listat e kandidatëve të koalicioneve dhe partive. Votat si për koalicionet, ashtu edhe partitë, që garojnë të vetme do të ndahen në mënyrë proporcionale sipas rajoneve. Psh Tirana, që është rajoni më i madh, ka 32 deputetë kurse Kukësi, që është rajoni më i vogël vetëm 4.

Zgjedhjet e 28 qershorit janë të parat, që do të zhvillohen me sistemin e ri rajonal - proporcional.

Kristaq Kume, ekspert për sistemet zgjedhore, thotë për DW se pjesëmarrja në zgjedhjet e 28 qershorit më shumë me koalicione sesa me parti më vete bazohet në kodin e ri elektoral të Shqipërisë. Motivi është racional dhe lidhet me vlerën e votës.

"Nëse një subjekt zgjedhor garon më vete, jashtë koalicionit, vota për të është me më pak vlerë sesa, nëse ky subjekt do të garonte brenda koalicionit," thotë Zoti Kume.

Ndodh kështu, sepse votat e çdo koalicioni llogariten me numrin e votave, që ka marrë çdo parti pjesëmarrëse ne koalicion. Pas mbledhjes së votave koalicioni jep mandatet e deputetëve për secilën parti. Për të ndarë mandatet e deputetët për koalicionet dhe partitë, që i përbëjnë ato, do të aplikohen dy formula të ndryshme: "Formula D´Hont", sipas emrit të Viktor D´Hond, jurist dhe matematicien belg i shek të 19-të, do të aplikohet për mandatet e deputetëve për koalicionet; kurse "Formula Saint Lague" sipas emrit të matematicienit francez, të gjysmës së parë të shek. 20-të Andre Saint Lague, do të aplikohet për partitë.

"E para favorizon partitë e mëdha brenda koalicioneve, e dyta partitë e vogla, po brenda koalicioneve." thotë Kristaq Kume.

Por çfarë do të ndodhë me partitë e vogla brenda dhe jashtë koalicioneve? A kanë shanse me sistemin e ri të përfaqësohen në Parlament?

"Partitë ,që janë jashtë koalicionit, rrezikojnë që vota e tyre të mos përkthehet në vende në Parlament, sepse ato garojnë me subjekte, që janë shumë më të fuqishme se ato, garojnë me bashkim partish, me koalicione , që zgjedhësit do t'ua japin partive të vogla nuk do t´u shërbejnë këtyre partive, pasi ato do të shkojnë për partite e mëdha të koalicioneve. Ka pak shanse që partitë e vogla të marrin brenda një rajoni të caktuar aq vota sa janë të mjaftueshme për të marrë një ndër deputetët e koalicionit, ku ato bëjnë pjesë. Ajo, që pres, është që votat brenda koalicioneve të shkojnë në favor të partisë së madhe.Por nga ana tjetër mënyra, sesi llogaritet shpërndarja e vendeve në Parlament, favorizon partitë e vogla më shumë, kur janë në koalicion, sesa kur garojnë më vete. Ky është edhe një marifet i partive të mëdha për të tërhequr të voglat në koalicion." thotë Kristaq Kume.

Kjo do të thotë që partitë e vogla ka të ngjarë të mos kenë asnjë deputet në Parlamentin e ri. Ato që kanë konkurruar më vete mund të dalin nga skena politike të tjerat, që kanë qenë pjesë e koalicioneve dhe vota e zgjedhësve për to ka shkuar në favor të koalicionit, mund të përfaqësohen në ekzekutiv, nëse koalicioni i tyre fiton të dielën zgjedhjet.

Sistemi i ri rajonal proporcional, me të cilin do të votohet këtë të dielë, nuk lë hapësira as për shfaqjen e dukurisë, që njihet si "ekonomizim i votës."

Kjo dukuri u shfaq në zgjedhjet e kaluara parlamentare të 2005-ës, kur e majta ndonëse fitoi 160 mije vota më shumë se e djathta, humbi pushtetin. Kjo ndodhi për shkak të sistemit maxhoritar proporcional dhe për shkak të fragmentarizimit të së majtës, me shkëputjen e Ilir Metës dhe partisë së tij. A ka vend për ekonomizim të votës në sistemin e ri zgjedhor, me të cilin do të votohet për herë të parë këtë të dielë?

" Ekonomizim i votës do të thotë që një krah do të fitonte më shumë vende në Parlament me të njëjtin numër votash, nëse ato do të hidheshin në një thes. Në kushtet, kur ka dy koalicione, vota ndahet. Nëse dy koalicionet po të ishin një do të mernin 100 vota do të çonin në Parlament le të themi 20 deputetë. Duke qenë të ndarë marrin përsëri 100 vota, njëri 70 tjetri 30, por të dy së bashku do të çojnë më pak se 20 deputetë. Samë shumë të ndahen, aq më pak deputetë çojnë në Parlament dhe e kundërta" thotë Kristaq Kume.

Zgjedhjet do të vëzhgohen nga 26 vëzhgues afatgjatë dhe 400 afatshkurtër të ODIHRI-it dhe disa qindra vëzhgues lokalë. Cilësimi i këtyre zgjedhjeve në përputhje me standartet ndëkombëtare, ose ndryshe "të lira dhe të ndershme" konsiderohet vendimtar për progresin e Shqipërisë në procesin e integrimit në BE.

Autor: Ani Ruci

Redaktoi: Angjelina Verbica