1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

OSBE: Ukraina duhet të stabilizohet

Stephanie Höppner/Eliana Xhani10 Prill 2014

Që prej fillimit të krizës së Krimesë, OSBE ka dërguar shumë misione në Ukrainë. Nuk bëhet fjalë vetëm për mbledhje faktesh thotë eksperti i sigurisë Wolfgang Richter, por edhe për ndërtimin e një identiteti të ri.

https://p.dw.com/p/1BeXO
Wolfgang RichterFotografi: DW/N. Jolkver

Deutsche Welle: Në takimin e Këshillit të përhershëm të OSBE-së u vendos të dërgohet në Ukrainë një mision vëzhguesish prej deri 500 personash. Çfarë misioni ka OSBE në Ukrainë?

Wolfgang Richter: Vëzhguesit duhet të kontribuojnë në deeskalimin dhe stabilizimin e gjendjes. Ajo që kemi tani janë kryesisht spekulime. Është e rëndësishme që në Ukrainë të vendosen vëzhgues të pavarur, pasi vetëm faktet mund të jenë një bazë për vendime politike. Për të siguruar këtë OSBE ka vendosur ta stacionojë këtë mision në nëntë qytete, nga perëndimi deri në lindje të Ukrainës.

Krahas misionit të madh, OSBE përdor edhe gjithë repertorin e saj të instrumenteve për menaxhimin e krizave, si p.sh. "Zyrën për institucione demokratike dhe të drejtat e njeriut" me qendër në Varshavë. Ajo duhet të vëzhgojë zgjedhjet në Ukrainë në 25 maj. Komisarja e lartë për pakicat kombëtare është gjithashtu aktive me një ekip vëzhguesit. E njëjta gjë vlen edhe për të ngarkuarit e OSBE-së për lirinë e medieve. Krahas këtyre instancave autonome kemi edhe gjithë instrumentet e kontrollit të armatimeve dhe të masave për krijimin e besimit, si p.sh. inspektimet dhe vizitat vëzhguese apo fluturime, edhe mbi zonën ruse në kufi. OSBE është e vetmja organizatë e cila me prani në vend, punon për deeskalimin dhe konstatimin e fakteve.

Si mund të përfytyrohet puna e vëzhguesve me saktësi?

Vëzhguesit zgjidhen sipas një çelësi propocionalieti mes 57 vendeve anëtare të OSBE-së. Kështu mund të jemi të sigurtë se kemi në përgjithësi një përbërje neutrale në terren dhe të mos predominojë njëra apo tjetra palë. Çfarë bëjnë ata në terren? Ata vëzhgojnë, edhe me ndihmën e fotografive dhe filmave, atë që ndodh aktualisht nëpër qytetet ku tani janë formuar lëvizje proruse dhe ku sulmohen bashki apo administrata rajonale. Vëzhguesit përpiqen të konstatojnë se për cilët persona bëhet fjalë dhe kryejnë intervista, p.sh. për motivet e njerëzve. Të gjitha këto përbëjnë sfondin për vendime të mëtejshme politike. Por edhe thjesht prania e OSBE-së ka ndikim: është e vështirë të përfytyrosh që të kryhet një pushtim rus në praninë e vëzhguesve.

Ukraine Osze Beobachter auf der Krim
Vëzhguesit e OSBE-së në UkrainëFotografi: AFP/Getty Images

Vëzhguesit gëzojnë status imuniteti. Kjo megjithatë vlen vetëm për vendet që janë pjesëmarrëse. Natyrisht rreziku nuk mungon, pasi personat apo grupimet, të cilët pjesërisht shfaqen të armatosur, nuk janë pjesë e kësaj marrëveshjeje. Atëherë do të jetë detyrë e pushtetit shtetëror të garantojnë imunitetin dhe sigurinë e vëzhguesve.

Nga OSBE dëgjohet pak. Kush i lexon raportet e saj?

OSBE ka një organizim hierarkik. Kjo do të thotë që në Ukrainë kemi ekipe të veçantë në nëntë qytete. Ata duhet të merren vesh me njëri-tjetrin se çfarë kanë parë. Interpretimi politik nuk është pjesë e detyrave të tyre. Këto ekipe i raportojnë më pas drejtuesit të misionit. Dhe prej andej raportet shkojnë direkt tek shtetet e veçanta.

Çfarë mund të arrijë OSBE-ja në rastin më të mirë në Ukrainë?

Në rastin më të mirë mund të kontribuojë për deeskalimin, veçanërisht në lindje të Ukrainës. Por edhe në perëndim të vendit fjalën e kanë ende forca të armatosura. Këtu duhet bërë kujdes që monopoli i dhunës t'i kthehet shtetit dhe marrëveshjet të respektohen. Një tjetër pikë e rëndësishme: Ukraina duhet të mbetet si shtet i tërë i qendrueshëm dhe të rikthehet në paqen e brendshme. Për këtë tendencat proruse dhe properëndimore duhet të afrohen në qendrime, në mënyrë që të krijohet një lloj identiteti shtetëror. Detyrë e OSBE-së do të ishte të jepte këtu kontributin e saj. Ndryshe nga BE dhe NATO, ajo është një organizatë inkluzive, në të cilën marrin pjesë të gjitha shtetet, edhe Rusia.

Në periudhë afatgjatë OSBE mund të iniciionte edhe një proces reflektimi. Pyetja është: a ishte vërtet e logjikshme që një vend i përçarë mes tendencave proruse dhe properëndimore, të tërhiqej nga njëra anë apo nga tjetra? Në Ukrainë lëvizim në një hapësirë postsovjetike, ku të dy tendencat janë shumë pranë. Ndërsa objektivi afatgjatë i OSBE-së është një hapësirë sigurie panevropiane pa vija ndarëse dhe zgjidhje gjeopolitike.

Wolfgang Richter ka qenë vëzhgues për OSBE-në dhe sot ekspert për çështje të sigurisë në Fondacionin Shkencë dhe Politikë në Berlin.