1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Opozita: në Maqedoni janë përgjuar 26 mijë qytetarë

Fatops Musliu9 Shkurt 2015

Lideri i opozitës maqedonase Zoran Zaev i akuzuar nga pushteti për bashkëpunim me agjencitë e huaja për kundërzbulim për rrëzimin e pushtetit, deklaroi për mediat, se në Maqedoni janë përgjuar mbi 26 mijë qytetarë.

https://p.dw.com/p/1EYe5
Mazedonischer Oppositionsführer Zoran Zaev
Fotografi: picture-alliance/dpa/N: Batev

Në konferencën e shtypiit (09.02.2015) lideri i opozitës maqedonase - kryetari i LSDM-s Zoran Zaev i akuzuar nga pushteti për bashkëpunim me agjencitë e huaja për kundërzbulim për rrëzimin e pushtetit, theksoi, se në radhët e mbi 26 mijë qytetarëve të përgjuar në Maqedoni janë përfshirë edhe liderë të partive politike opozitare, ministra, deputetë, gazetarë, biznesmenë, klerikë, aktivistë të sektorit joqeveritar dhe mijëra qytetarë të tjerë. “Të gjitha dëshmitë dhe dokumentet tregojnë se vendi ynë është i ndarë në dy botëra. Në njërën anë Gruevski dhe Mijallkov dhe në anën tjetër qytetarët. Kjo tregon se kush ka xhiruar dhe kush ka përgjuar”, ka thënë Zaev. Ai theksoi se për këto ndjekje dhe përgjime masive, LSDM do të ngrejë kallëzim penal kundër drejtorit të Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim, Sasho Mijallkov dhe Goran Gruevskit, i punësuar në këtë drejtori. Zaev gjithashtu shtoi se këto shërbime gjatë ditëve të kaluara kanë përgjuar mbi 300 biseda të tij, që i kishte zhvilluar me përfaqësues të opozitës.

Gjithnjë sipas Zaev, Drejtoria e Sigurimit dhe Kundërzbulimit është shndëruar në një monstër që kontrollon dhe përgjon 20 mijë qytetarë, opozitarë, gazetarë, biznesmenë, deputetë. “Ata me këtë kanë hyrë në jetën tonë private, duke folur edhe me fëmijët tanë”, ka theksuar Zaev.

Ai i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare të ndjekë me kujdes gjithçka që publikojnë. “Shkojmë hap pas hapi, për shkak të sensibilitetit të materialeve. Do dëgjoni se si unë Zoran Zaev jam ndjekur dhe përgjuar viteve të fundit, edhe kur nuk kam qenë lider i partisë. Me këtë rast është publikuar një bisedë e përgjuar e liderit të LSDM me një gazetare të Evropës së Lirë. Më pas një bisedë me një zyrtar të komunës së Strumicës dhe më pas biseda të tjera me bashkëpunëtorë partiak”.

Zaev: Janë përgjuar edhe ministrat e afërt të Gruevskit

Sipas tij, Gruevski dhe Mijallkov kanë përgjuar edhe ministren e brendshme Gordana Jankullovska dhe zëvendëskryeministrin Zoran Stavrevski. Me këtë rast u publikuan materiale të një bisede të ministres Jankullovska me zëvendëskryeministrin Stavrevski, ku ata bisedojnë për çështje politike brenda qeverisë, por edhe çështje që kanë të bëjnë me opozitën dhe përfaqësues ndërkombëtarë.

Përgjohen edhe liderët shqiptarë

Drejtoria për Sigurim dhe kundërzbulim ka përgjuar edhe Ali Ahmetin kryetarin e BDI-së, që është partner i koalicionit qeveritar të VMRO-DPMNE-s, Menduh Thaçin, kryetar i PDSH-së dhe kryetarin e RDK Rufi Osmanin. Në konferencën për shtyp u paraqitën disa materiale të përgjimit të një bisede të kryetarit të BDI-së, Ali Ahmetit me Fatmir Deharin, biseda e Rufi Osmanit me një gazetare shqiptare lidhur me zgjedhjet dhe biseda e Menduh Thaçit me një aktivist të partisë së tij.

Lideri opozitar ka theksuar se në mesin e të përgjuarve janë edhe përfaqësues të Sinodit të Kishës Ortodokse maqedonase dhe Bashkësisë Fetare Islame.

Kryetari i LSDM-së, Zaev ka paralajmëruar, se edhe ditëve në vijim do të vazhdojë me publikimin e “bombave. “Për shkak të ndjeshmërisë së momentit dhe hapësirës së kufizuar mediale, do të shkojmë me kujdes, hap pas hapi. Mirëpo do të publikojmë gjithçka, të gjitha argumentet do t'i publikojmë”, ka thënë Zaev. Megjithatë ai paralajmëroi se disa biseda private nuk do të publikohen për shkak se disa njerëz kanë qenë për kohë të gjatë në shënjestër dhe nuk do të lejojmë që edhe në të ardhmen të jenë në shënjestër. Pasi e kanë inçizuar bisedën time me vajzën time, mund të përfytyroni se çka kanë mundur të përgjojnë, thotë Zaev.

Ai shtoi se kjo bëhet për “të hapur rrugën e kthimit të lirisë dhe rrugën e Maqedonisë drejt Evropës”, kurse qeverisë i bëri apel të dorëhiqet menjëherë.