1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Opozita kundërshton marrëveshjen e drejtësisë Kosovë-Serbi

Bekim Shehu11 Shkurt 2015

Partitë opozitare në Kosovë thonë se marrëveshja për drejtësinë e nënshkruar në Bruksel, komprementon rendin kushtetues të Kosovës. Analistët thonë se ajo mundëson integrimin e serbëve në institucionet e Kosovës.

https://p.dw.com/p/1EZio
Kosovo Parlament
Fotografi: DW/B. Shehu

Partitë opozitare në Kosovë marrëveshjen për drejtësinë; e nënshkruar në Bruksel ndërmjet kryeministrit të Kosovës Isa Mustafa dhe kryeministrit të Serbisë Aleksander Vuqic, e kanë cilësuar marrëveshje; që siç thonë, e komprementon rendin kushtetues të Kosovës. Kryeministri, Isa Mustafa, tha se me nënshkrimin e kësaj marrëveshje "është siguruar që Kosova të ketë një sistem unitar të drejtësisë në gjithë territorin e saj".

Por, me këtë vlerësim të kryeministrit nuk po pajtohet opozita në Kosovë. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e udhëhequr nga Ramush Haradinaj, e vlerësoi si të domosdoshme transparencën dhe llogaridhënien e qeverisë së Kosovës për marrëveshjen e arritur mbi drejtësinë, më 9 shkurt 2015, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.

“Aleanca shpreh shqetësimin për nxitimin, që të arrihet marrëveshje për drejtësinë, i cili rezultoi me improvizim, që paraqitet përmes kuotave të veçanta dhe që komprementon rendin kushtetues të Kosovës. Aleanca konsideron se mungesa e diskutimit paraprak dhe konsultimeve më të gjera me partitë politike dhe ekspertët e pavarur për marrëveshjet e tilla, sidomos të kësaj të fundit për drejtësinë, nuk i kontribuon qartësisë dhe vendosmërisë për mbrojtjen e interesave shtetërore të Kosovës dhe të rendit kushtetues”, thuhet në deklaratën për media të kësaj partie.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës thotë se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i lehtësuar nga Bashkimi Evropian, duhet të reduktohet në një temë të domosdoshme, që është njohja e shtetësisë së Kosovës nga ana e Serbisë.

Kurti: "Marrëveshja për drejtësinë është arritur në mënyrë tinëzare."
Kurti: "Marrëveshja për drejtësinë është arritur në mënyrë tinëzare."Fotografi: picture-alliance/dpa

Edhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili në vazhdimësi e ka kundërshtuar dialogun me Serbinë, thotë se marrëveshja për drejtësinë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është arritur në mënyrë tinëzare.

“Kemi një marrëveshje të re, që bëhet në Bruksel, se si të ndahet gjyqësia e Kosovës nga Mustafa e Vuçiqi midis serbëve e shqiptarëve gjithmonë me një kryetar serb aty. Nuk kemi se si ta shohim, për shkak se edhe bisedimet e zhvilluara në Bruksel edhe marrëveshja atje janë zhvilluar tinëz popullit të Kosovës dhe Kuvendit të Republikës”, thotë Albin Kurti. Sipas Kurtit dialogu nuk ka si qëllim normalizim e marrëdhënieve në mes Kosovës e Serbisë, por është dialog sipas tij, për sabotimin e shtetësisë së Kosovës.

Ndërkohë Naim Rashiti, analist nga Grupi i Ballkanit për Politika, thotë se në veri të Kosovës kurrë nuk kanë funksionuar gjykatat dhe ligji, prandaj në këtë linjë ai thotë se kjo marrëveshje rregullon diçka për herë të parë në veri të Kosovës.

Naim Rashiti: "Kjo do të thotë integrim i serbëve në institucionet e Kosovës."
Naim Rashiti: "Kjo do të thotë integrim i serbëve në institucionet e Kosovës."Fotografi: International Crisis Group

“Në veri kurrë nuk ka funksionuar gjykatë dhe ligj i Kosovës. Deri në vitin 2008 kanë funksionuar gjykatat e UNMIK-ut me gjykatës e prokuror serb e shqiptar. 16 gjykatës serb kanë punuar ne gjykatën në veri deri në vitin 2008. Pas shpalljes se pavarësisë në vitit 2008, gjykatësit serb kanë ikur në gjykatën serbe në Zvecan, ku edhe tani punojnë. Shqiptarët nuk janë lejuar të kthehen në vendin e punës. Pa u marrë me atë se kush ishte fajtor për atë situatë, e rëndësishme është të dihet se gjyqësori kosovar nuk funksion ne veri”, thotë Naim Rashiti.

Sipas tij “me marrëveshjen e re, ruhet juridiksioni territorial i gjykatës themelore, integrohen e punësohen gjykatës e prokurorë serbë e shqiptarë për të punuar bashkë e implementuar ligjin e Kosovës. Kjo do të thotë integrim i serbëve në institucionet e Kosovës”, thotë Naim Rashiti.

Sidoqoftë qeveria e Kosovës akoma nuk e ka bërë publike marrëveshjen për drejtësinë e nënshkruar ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa dhe kryeministrit të Serbisë, Aleksandër Vuciq. Mirëpo sipas zyrtarëve të qeverisë së Kosovës kryeministri Isa Mustafa do ta njoftojë parlamentin për marrëveshjen dhe kjo me gjasë do të ndodhë ditën e enjte, kur është caktuar të mbahet një seancë plenare.