1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Odiseja për në Evropë

Falah Elias 24 Prill 2015

Një i ri sirian arratiset nga vendi e tij për të ardhur në Evropë. Ai kalon nëpër Libi dhe Detin Mesdhe. Për të arritur qëllimin e tij, atij i duhet të përballojë shumë rreziqe dhe vështirësi.

https://p.dw.com/p/1FDjy
Fotografi: Marco Di Lauro/Getty Images

Shumë kohë ai kishte hezituar, por më në fund vendosi të largohej. Sepse aty, në Siri, jeta ishte bërë e padurueshme që prej shpërthimit të luftës. Kështu Majid al-Yousuf (emri i ndryshuar nga redaksia) nisi udhëtimin e tij të gjatë nga Damasku nëpër Turqi, Algjeri, Libi dhe Itali deri në Gjermani.

"Në Damask studjoja shkenca kompjuterike në semestrin e gjashtë", tregon Majid në bisedë me DW. "Por gjendja u bë gjithnjë e më e vështirë dhe kështu që unë e ndërpreva studimin. Ne, vëllai më i vogël dhe unë, e bindëm babanë që të shiste makinën. Xhaxhai na dha hua paratë e tjera dhe kështu i bëmë gjithsej 8000 dollarë amerikanë për t'u arratisur."

Për t'u përgatitur Majidin dhe vëllain i tij e ndihmuan shokët. Ndihmë ato gjetën edhe në rrjetet sociale. Bashkëkombasit sirianë, që ia kishin dalë të shkonin në Evropë, jepnin aty këshilla dhe informacione lidhur me rrugët më të mira. "Në këtë mënyrë ne hymë në kontakt me një grup kontrabandistësh në Algjeri, që kishte kontakte me një grup tjetër në Libi."

Në duart e trafikantëve të njerëzve

Griechenland - Füchtlinge vor Rhodos
Fotografi: REUTERS/Argiris Mantikos/Eurokinissi

Pjesa e parë e udhëtimit qe me aeroplan nga Turqia në Algjeri. "Një rrugë pa probleme", thotë Majid, "sepse kufijtë algjerianë janë të hapur për sirianët".

Nga aeroporti u nisëm drejt kufirit të Libisë. Dymbëdhjetë sirianë ishin grumbulluar, thotë Majid. "Secili prej nesh pagoi për këtë pjesë të udhëtimit 300 dollarë. Menjëherë pas nisjes ne na mori një grupi tjetër kontrabandistësh, që na çoi përtej kufirit, në shkretëtirën libiane. Pastaj na mori një grup tjetër, që na solli në bregdet. Që andej pastaj, pas disa orësh pushimi, vazhduam menjëherë udhëtimin.

"Zakonisht kontrabandistët marrin 600 dollarë për person për të kaluar në Itali", tregon Majid. "Por ne u paguam atyre 1100 dollarë secili, me qëllim që të trajtoheshim mirë në bord, të kishim për të ngrënë e për të pirë. Ne donim edhe të siguroheshim, se do të hipnim të gjithë në të njëjtën anije". Por shpejt ata e kuptuan, se i kishin mashtruar. "Ata na i morën valixhet, për të pakësuar peshën, në mënyrë që anija të mund të merrte më shumë njerëz."

Kontrabandë me njerëz fare publikisht

Në Libi Majidit i ra në sy mbi të gjitha një gjë: "Të gjithë kontrabandistët janë të lidhur me njëri-tjetrin. Secili grup kontrollon territorin e vet. Por besoj se ata të gjithë së bashku formojnë një kalim të vetëm..." Edhe diçka tjetër i ra atij në sy: "Ushtarët libianë i ndiqnin lëvizjet e arratisjeve, por ato nuk lëviznin as gishtin më të vogël .."

Gazetari gjerman Wolfgang Bauer ka pasur përvoja të ngjashme gjatë hulumtimit të tij. Së bashku me një shok ai ishte paraqitur si refugjat, që donte të kalonte nga Egjipti në Iali përmes Mesdheut. Por udhëtimi nuk u bë. Bauer shkoi në Libi. Në Misrata dhe në qytetin Zuwara, që ndodhet në skajin perëndimor të vendit, ai mund të vëzhgonte kontrabandistët nga afër. Edhe ai tregon se ata e kryenin punën e tyre hapur në publik.

Por ndryshe është gjendja në qytetin Tobruk, në lindje të vendit. Aktualisht dy qeveri pretendojnë të kenë pushtetin në Libi. Njëra prej tyre e ka qendrën në Tobruk. Ajo i lufton kontrabandistët. Në këtë mënyrë ajo synon të evitojë problemet me Perëndimin. Për shkak se Perëndimi e njeh atë si kreun legjitim të shtetit dhe jo qeverinë në Tripoli.

Horror në detin Mesdhe

Por për Majidin udhëtimi vazhdoi në Zuwara në skajin më perëndor të vendit. "Ne hipëm në një gomone të vogël, e cila na çoi te anije më e madhe. Aty filloi horrori." Në këtë anije, tregon ai, ishin mbledhur 300 njerëz. "Trafikantët urdhëruan që të gjithë të rinjtë të shkonin në dhomën e motorit, në hangar. Gratë dhe fëmijët qëndruan sipër."

Flüchtlingsboot am Frachtschiff OOC Cougar
Fotografi: picture-alliance/dpa/Opielok Offshore Carriers

"Aty poshtë ishte shumë nxehtë dhe nuk kishte ajër. Kishte vetëm një dritare të vogël. Prej saj hynte së paku një çikë ajër. Megjithatë shumë njerëz i zuri deti dhe u ra të fikët. Situata ishte e padurueshme."

Përveç kësaj ai dhe miqtë e tij ndjeheshin të mashtruar. "Sepse, edhe pse ne kishim paguar 1100 euro secili, u trajtuan sikur të kishim paguar 600."

Mbërritja në Itali

Udhëtimi zgjati gjashtë orë. Pastaj varka hasi një anije të rojes bregdetare italiane. Ekuipazhi i saj i mori udhëtarët dhe i çoi në një qendër refugjatësh, ku u dhanë për të ngrënë e për të pirë dhe strehën e tyre të parë.

Pasagjerët tregonin më vonë, se anija nuk ishte drejtuar nga një trafikant, por nga një refugjat, i cili merrte pak vesh nga navigimi i anijeve. "Ata i kishin lënë atij në dorë një pajisje GPS dhe një telefon satelitor", tregon Majid. "Në rast nevoje, ai duhej të kontaktonte me shërbimet italiane të shpëtimit."

Pas shumë peripecish Majidi më në fund arriti në Itali. Thuhet se të gjitha rrugët të çojnë në Romë, por për këtë refugjatët vetëm mund të shpresojnë. Sepse mbërritja atje nuk është kurrsesi e garantuar. Shumë prej atyre, që duan të arrijnë atje, mbytën ditë për ditë në Mesdhe. Ai bëhet varri i ëndrrave të tyre.