1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

OBT feston ditëlindjen

Rayna Breuer/exh13 Prill 2014

Organizata e Tregtisë Botërore mbush 20 vjeç. Por festimet priten të jenë të përmbajtura, pasi organizata ndodhet në krizë identiteti.

https://p.dw.com/p/1BgxN
Fotografi: picture-alliance/dpa

Arkitekte e tregtisë botërore dhe shoqëruese e rrugës së globalizimit - kjo është Organizata Botërore e Tregtisë, OBT. Kur u themelua në vitin 1994 dhe filloi punën në 1 janar 1995, pritjet ishin të mëdha. Duhej të eliminoheshin pengesat tregtare, të kufizohej proteksionizmi dhe të lehtësohej aksesi në tregje për vendet në zhvillim.

Por gjërat ndodhën ndryshe. Zënka politike, struktura të ndryshkura dhe përparim shumë i shpejtë, për të cilin organizata nuk kishte gati përgjigje të shpejta, e kanë kthyer OBT në një relike të kohëve të vjetra. "OBT është një organizatë mesjetare", tha në 2003 Pascal Lamy, ish drejtor i përgjithshëm i OBT. Më shumë se dhjetë vjet pas kësaj deklarate OBT vazhdon të qendrojë në vend, i rend nga pas globalizimit dhe lufton për besueshmërinë e vet. Çfarë ka shkuar shtrembër?

Dështimet

Në 20 vitet e ekzistencës së saj OBT ka arritur shumë, por lista e dështimeve duket e gjatë. Problemet janë pjesërisht të shkaktuara vetë: "OBT nuk arrin t'ia përshtasë rregullat e saj sfidave të reja. Dhe kjo sepse anëtarët e saj nuk janë të gatshëm të ndryshojnë strukturën e organizatës", thotë Christian Teitje, profesor për të drejtë ekonomike ndërkombëtare. Ajo që ka ai parasysh është në radhë të parë parimi i unanimitetit, i cili i merr organizatës çdo hapësirë veprimi. Sipas statuteve të OBT-së vendimet mund të merren vetëm me konsensus. Me rreth 160 vende anëtare, kjo është një detyrë herkuliane.

Ndoshta kjo është arsyeja përse e drejta e tregtisë botërore nuk ka shënuar përparime të rëndësishme 20 vitet e fundit, "gjë që nuk mund të thuhet për tregtinë botërore", thotë Achim Rogmann, profesor për të drejtën e ekonomisë së jashtme. Koha pra ka ardhur për një rishikim të gjerë të paketës së OBT-së. Rogmann sheh një padrejtësi të madhe në mungesën e përfshirjes së vendeve në zhvillim në proceset vendimmarrëse. "Ndërkohë shumica e gjerë e anëtarëve të OBT-së janë nga rrethi i vendeve në zhvillim. Por këta ashtu si dhe më parë nuk kanë njohuritë dhe burimet e nevojshme për të paraqitur vazhdimisht në negociata interesat e tyre", thotë Rogmann.

Ndërsa të mëdhenjtë duket se përdorin kritere të ndryshme: "Fuqitë kryesore ekonomike BE dhe SHBA, e përkrahin tregtinë e lirë vetëm kur është në shërbim të interesave të tyre. Ndërkohë që tregjet e tyre agrare i mbrojnë nga produktet më të lira bujqësore të vendeve në zhvillim me masa proteksioniste, kërkojnë nga vendet në zhvillim një liberalizim të tregjeve kombëtare në sektorë ku ata vetë janë më konkurrues", thotë Sven Hilbig nga organizata "Bukë për botën".

Sukseset

Por nuk duhet folur vetëm keq: në fund të fundit OBT është ende i vetmi forum ku vendosen në nivel ndërkombëtar rregullat për tregtinë botërore. Një arritje e rëndësishme është për Simon Evenett, profesor për ekonominë e jashtme dhe zhvillimin në universitetin St. Gallen, pranimi i shteteve të reja anëtare. "OBT ia ka dalë mbanë të fusë në radhët e saj vende të rëndësishme si Kina, Rusia apo Arabia Saudite."b#b

Akoma më shumë: "Procedura e sheshimit të konflikteve është elementi qendror i jashtëzakonshëm i suksesit të OBT-së. Historia e suksesit është që sot konfliktet tregtare në masë të madhe mund t'i sheshojmë në një procedurë jurikisht të rregulluar", thotë Christian Tietje. Madje edhe vendet në zhvillim mund t'i bëjnë vendet e industrializuara të mëdha dhe me influencë, t'i rikthehen arsyes. BE-së për shembull disa herë i është dashur të përshtasë rregullat e saj tregtare me rregullat e OBT-së.

Pikërisht në krizën financiare dhe ekonomike OBT dëshmoi se është në gjendje të mbajë nën kontroll proteksionizmin. Dhe kjo është në fund detyra më e rëndësishme e organizatës. "Ndryshe nga kohët e mëparshme, kriza nuk solli izolimin e tregjeve të shteteve të veçanta.

ç'drejtim po ecën OBT?

Që prej konferencës në Bali të Indonezisë, duket se ka optimizëm. Në fund të vitit të kaluar shtetet anëtare ranë dakord për një paketë, marrëveshja e parë e gjerë që prej themelimit të OBT-së. Ajo u festua si një kthesë, si përparim, madje si një mrekulli. Me lot në sy drejtori i përgjithshëm i OBT-së Roberto Azevedo shpalli rezultatin. "OBT dha rezultat të prekshëm", tha atëherë braziliani. Ishte shpëtimi i organizatës, një fije shprese, por sidoqoftë diçka. "Anëtarët treguan se edhe në situata shumë të vështira janë gati ta mbajnë në jetë OBT", thotë Tietje.

Por Simon Evenett e sheh megjithatë të zymtë të ardhmen. "Suksesi në Bali ishte vërtet një hap përpara, por shumë shpejt u bë e qartë se OBT nuk dëshëron të mbështetet në këtë impuls. Shtetet nuk janë të gatshme për kompromise, për ta bërë OBT të aftë të funksionojë", thotë Evenett.

Për të rifituar besueshmërinë e saj dhe për të luajtur edhe më tej një rol të rëndësishëm në tregtinë ndërkombëtare, është me siguri i nevojshëm një katarsis. Janë të nevojshme qasje të reja e madje edhe struktura të reja. Edhe procedurat vendimmarrëse e pengojnë OBT-në t'i përshtatet shpejt zhvillimeve të reja. Por ndryshimet në strukturë dhe kushtetutën e brendshme të organizatës mund të bëhen vetëm me një vendim unanim dhe ky duket utopik. "Nuk ka asnjë alternativë për unanimitetin. Asnjë nga fuqitë e mëdha nuk do të pranojë ndonjëherë të mundet me vota nga të tjerët", thotë Evenett.