1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Në qershor Kosova dorëzon raportin për heqjen e vizave

Bekim Shehu/Prishtinë8 Prill 2015

Me 20 prill Këshilli Kombëtar për Integrim Evropian vlerëson progresin në përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave. Sipas vëzhguesve angazhimi i qeverisë në hapat e fundit mund të sjellë një raport pozitiv.

https://p.dw.com/p/1F48b
Kosovo Hauptstadt Pristina
Fotografi: picture-alliance/dpa

Në fund të muajit prill, Këshilli Kombëtar për Integrime Evropiane i kryesuar nga presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, do të mblidhet për të analizuar çështjen e liberalizimit të vizave, përkatësisht progresin në përmbushjen e kritereve të kërkuara nga Komisioni Evropian. Kështu ka deklaruar Adrian Prenkaj, këshilltar për integrime europiane i Presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga. Sipas tij Kosova është në fazën e fundit të përmbushjes së kritereve të mbetura.

“Jemi në fazën e fundit të përmbushjes së kritereve të mbetura në dialogun për liberalizim të vizave. Presidentja Jahjaga do të thërrasë më 20 prill takimin e radhës të Këshillit Kombëtar për Integrim Evropian, ku do të vlerësohet progresi i deritanishëm, si dhe hapat e ardhshëm në përmbylljen me sukses të këtij procesi”, ka thënë Adrian Prenkaj.

Muaji qershor tashmë disa herë po përmendet si koha, kur Kosova përmbush të gjitha kriteret në procesin e liberalizimit të vizave, ndërsa me pas, siç thuhet, është në duar të Komisionit Evropian që ta marrë vendimin politik.

Bekim Çollaku, ministër për Integrime Evropiane
Bekim Çollaku, ministri për Integrime EvropianeFotografi: DW/B. Cani

“Sa i përket procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, deri në muajin qershor do të jenë të përmbushura të gjitha kriteret për këtë proces dhe pastaj raporti final do t'i dërgohet Komisionit Evropian për vlerësim e më pas pritet të ndodhin edhe hapat e tjerë”, tha Bekim Collaku gjatë një vizite, që zhvilloi të marten (07.04) në Paris, ku me zyrtarët francezë diskutoi pikërisht raportet kontraktuale BE-Kosovë, që pritet të ndodhin me nënshkrimin e marrëveshjes së MSA-së këtë verë dhe procesin e liberalizimit të vizave.

Komisioni Evropian, më 19 janar të vitit 2012 nisi dialogun për liberalizimin e vizave me Kosovën. Udhërrëfyesi për viza iu dorëzua autoriteteve të Kosovës më 14 qershor 2012. Udhërrëfyesi ishte një listë gjithëpërfshirëse reformash, të cilat Kosovës i është kërkuar t'i përmbushë, që nga pasaportat biometrike, nënshkrimi i marrëveshjeve për riatdhesim, ndalja e migrimit ilegal, demarkacioni i kufirit të Kosovës me vendet fqinjë, regjistrat civilë e shumë kritere të tjera deri te miratimi i një sërë ligjesh, që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut.

Bashkimi Evropian vazhdon të kritikojë institucionet e Kosovës që nuk kanë përmbushur kriteret, ndërsa nga Qeveria e Kosovës fajin tash ia hedhin Brukselit, që nuk po e merr vendimin final për lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës. Kosova vazhdon të mbetet i vetmi vend në Evropë me regjim vizash për zonën Shengen.

Por si e shohin gjithë rrjedhën e këtij procesi njohësit e integrimeve evropiane?

Fisnik Korenica, nga Grupi për Studime Politike dhe Juridike, i tha Deutsche Welles se institucionet e Kosovës para se ta adresojnë problemin te Komisioni Evropian për vonesa, duhet ta dëshmojnë, se i kanë përmbushur kriteret e kërkuara.

“Pa i adresuar në tërësi kushtet e udhërrëfyesit dhe dy palët e rekomandimeve konkrete, që kanë ardhur nga Komisioni Evropian (të fundit në korrik 2014), ne nuk mund të fillojmë fushatën e fajësimit të Komisionit Evropian, apo edhe të shteteve individuale. Në këtë relacion Qeveria është përpjekur që t'i adresojë shumicën prej kritereve, por ka shumë pak rezultate të prekshme, sidomos në bllokun tre të Udhërrëfyesit, sa i takon dëshmisë konkrete të luftës ndaj korrupsionit të lartë politik dhe krimit të organizuar. Ka gjithashtu pak dëshmi të përmirësimit të luftës ndaj krimit në përgjithësi dhe institucionet e drejtësisë po japin shenja shumë të ngadalshme të pavarësisë përballë ndikimeve politike”, thotë Fisnik Korenica.

Analisti Fisnik Korenica thotë se nëse qeveria e Kosovës angazhohet maksimalisht dhe seriozisht në përmbushjen e kritereve të mbetura, atëherë mund të pritet shumë shpejt një raport pozitiv nga Komisioni Evropian.

NO FLASH Kosovo Pass Passport Pristina Albanien
Fotografi: picture-alliance/dpa

“Qeveria ende nuk ka ndërmarrë një strategji konkrete të adresimit të gjendjes së personave, që janë rikthyer dhe që do të rikthehen forcërisht e që i përkasin valës së fundit të migracionit dhe riintegrimit të qëndrueshëm të tyre në shoqërinë kosovare. Mungesa e luftës ndaj trafikantëve të migrantëve është një tjetër indikator, që reflekton për këtë joseriozitet. Megjithatë, nëse Qeveria angazhohet plotësisht dhe seriozisht, një raport pozitiv i Komisionit është i mundshëm, me kushtin që Qeveria të zgjohet nga gjumi dhe të japë rezultate konkrete.

Ndonëse plotësimi i kritereve për liberalizimin e vizave vazhdimisht është thënë se është një proces teknik, në Kosovë ky proces nga shumë udhëheqës të institucioneve interpretohet edhe si një proces, apo kriter shtesë politik i pashkruar, që Komisioni Evropan po e perdor në raport me Kosovën. Analisti Fisnik Korenica “kriterin politik” e ndërlidh edhe më faktin e valës së fundit të migrimit ilegal të kosovarëve, që ndodhi në fund të vitit 2014 dhe fillim të vitit 2015.

“Ka rëndësi shumë të madhe edhe përshtatshmëria politike e Kosovës për shumë shtete individuale të zonës Shengen, sidomos për disa nga ato, që janë të acaruara nga Kosova për shkakun e valëve të fundit të migrimit të paligjshëm. Megjithatë në fazën, që jemi, ne nuk mund ta dimë, nëse këto vende do të japin votën kundër Kosovës në votimin e raportit të Komisionit në Këshill. Pa i pas permbushur kriteret teknike, dhe pa e pas marrë dritën e gjelbërt nga Komisioni Evropian, të gjitha aludimet për kinse politikën ndryshe të disa vendeve anëtare ndaj Kosovës janë spekulime. Kur çështja të ketë mbërritur në Këshill, pra pas propozimit pozitiv të KE-së, vota kundër e ndonjë anëtari të zonës Shengen do të mund të përkthehej në një drejtim të tillë. Por kjo është herët të vlerësohet”, thotë Fisnik Korenica.

Refugjatë nga Kosova
Refugjatë nga KosovaFotografi: Armend Nimani/AFP/Getty Images

Edhe një njohës tjetër i integrimeve evropiane, Fatmir Curri nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile ( KCSF ), i tha Deutsche Welles, se viti 2014 ishte një vit i ngecjes së Kosovës në procesin e përmbushjes së kritereve për liberalizimin e vizave.

“Që nga hapja e dialogut të vizave në vitin 2012 Kosova ka patur trend të mirë të zbatimit të tij, por viti 2014 ka shënuar stagnim në zbatim, si pasojë e zgjedhjeve të përgjithshme dhe mungesës se qeverisë për 6 muaj. Kosova ka zbatuar mjaft nga kërkesat, por disa shumë të rëndësishme mbeten të plotësohen kete vit, siç është pakoja e 4-5 ligjeve për gjykatat dhe prokurorinë, fillimi i çertifikatave të sigurta, demarkacioni i kufirit me Malin e Zi dhe shënimi i trendit pozitiv në shtyllën e 3-të të rendit dhe sigurisë publike, që lidhet me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, thotë Fatmir Curri.

Sipas tij dhe Komisioni Evropian bart pjesën e vet të fajit, meqë nuk ka përdor gjuhë të njëjtë gjatë vlerësimit të kritereve të Kosovës, ashtu siç ka përdorur për vendet e rajonit. Fatmir Curri thotë se kriter politik në procesin e liberalizimit të vizave nuk ka pasur për vendet e rajonit, kriter të tillë deri tash nuk ka as për Kosovën, por zhvillimet politike dhe momentumi gjithsesi kanë ndikimin e vet.

“Zhvillimet politike dhe momentumi, nëse mendoni, atëhere po, kjo ka peshën e vet, meqë kishte një frymë pozitive për heqje të vizave para 3-4 vitesh. Sa i përket Kosovës, përpos zbatimit të kërkesave nga udhërrëfyesi, si shtesë do të shikohet ndikimi i heqjes së vizave në nivelin e sigurisë në BE dhe trendi i përgjithshëm i migrimit. Për të matur këto, do të shikohet shkalla e refuzimit të vizave, shkalla e atyre që refuzohen të hyjnë në zonën Schengen, numri i atyre që zihen ilegalisht duke qëndruar në BE, numri i azilkërkuesve dhe shkalla e përgjigjeve për kërkesat e vendeve të BE-së për të riatdhesuarit. Zhvillimet e muajve të kaluar do të kenë trend negativ në këta indikatorë. Pra edhe nëse plotësohen të gjitha kërkesat nga udhërëfyesi i vizave, me këta indikatorë Këshilli i Evropës do ta ketë të vështirë t'i bindë vendet anëtare në këshill për të hequr vizat për Kosovën”, thotë Fatmir Curri, drejtor i programit për integrim evropian, në KCSF.

Avramopoulos: Rruga nuk është e largët, por normalisht duhen plotësuar kriteret.
Avramopoulos: Rruga nuk është e largët, por normalisht duhen plotësuar kriteret.Fotografi: picture-alliance/dpa/B. von Jutrczenka

Sidoqoftë zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian tashmë disa herë e kanë përsëritur se Kosova ndodhet në kilometrin e fundit të procesit të liberalizimit të vizave. Këtë e tha gjatë një vizite në Prishtinë në fund të muajit shkurt vetë Komisioneri për Çështje të Migrimit dhe Shtetësi në Bashkimin Evropian, Dimitris Avramopoulos.

“Së shpejti do të jepet një lajm i mirë për Kosovën rreth liberalizimit të vizave. Rruga nuk është e largët, por normalisht duhen plotësuar kriteret. Kosova duhet të shënojë disa përparime të ndjeshme në luftimin e korrupsionit dhe migrimit të paligjshëm, para se të marrë datën e liberalizimit”, tha Dimitris Avramopoulos.