1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Në kërkim të koncepteve - Situata e imigrantëve dhe refugjatëve në Greqi

Panagiotis Kouparanis21 Nëntor 2008

13 për qind e banorëve të Greqisë janë migrantë dhe refugjatë. Por në Greqi mungon një politikë për migracionin. Gazetarja Anna Koktsidou në një seri reportazhesh tërheq vëmendjen ndaj situatës së refugjatëve.

https://p.dw.com/p/FyxZ
Refugjatë në brigjet grekeFotografi: picture-alliance/ dpa

Në kryeqytetin Athinë një ndër katër banorë është imigrant. Megjithatë atje ende mungojnë masa të përshtatshme politike që kanë si objektiv integrimin e imigrantëve. Gazetarja Anna Koktsidou në një seri reportazhesh tërheq vëmendjen ndaj situatës së refugjatëve dhe migrantëve në shtetin ballkanik. Për këtë të martën (18.11.) ajo mori çmimin për gazetarët "Të shkruash për Evropën Qëndrore dhe Lindore".

Gjatë 18 viteve të fundit Greqia është shndërruar nga një vend emigrantësh në një vend imigrantësh. Thuajse 1,5 milionë nga 11 milionë banorët e vendit janë migrantë, thotë gazetarja Anna Koktsidou. Gjysma e imigrantëve janë shqiptarë, të cilët pasohen në numër nga bullgarët, rumunët, ukrainasit dhe gjeorgjianët. Shumë prej tyre kanë imigruar ilegalisht për arsye ekonomike.

Ekonomia greke e varur nga puna e migrantëve

Ekonomia greke tashmë nuk mund të bëjë pa këta njerëz. E megjithëse kjo dihet nga të gjithë, në Greqi nuk ka madje as fillesa të një politike zyrtare migracioni, nëse të tilla nuk quhen dëbimet në masë të migrantëve gjatë viteve '90 dhe legalizimet e shumta pak vjet më parë.

Griechenland Flüchtlinge aus dem Irak
Mjaft migrantë jetojnë ilegalisht në Greqi. Në pamje një katërvjeçare refugjate nga IrakuFotografi: AP

Kështu shprehet gazetarja me origjinë greke Anna Koktsidou, e cila kritikon mungesën e masave shtetërore për integrimin e imigrantëve. "Kemi të bëjmë vetëm me aksione individuale dhe jo me një plan integrimi. Ofrohen disa kurse gjuhe, ka disa shkolla ndërkulturore, por në përgjithësi imigrantët duhet të kujdesen vetë për t'u integruar. Përsa kohë ka punë edhe integrimi shkon shumë mirë. Kur imigranti ka një punë të ligjshme, që nuk është dhe aq e lehtë në Greqi, ai mund të marrë edhe një leje qëndrimi dhe të qëndrojë legalisht në vend."

Kjo është e vërtetë për dy të tretat e imigrantëve. Të tjerët qëndrojnë në Greqi në mënyrë të paligjshme. Fjala është kryesisht për refugjatë. Si vend mesdhetar në kufijtë e jashtëm të BE-së, Greqia së bashku me Italinë, Spanjën dhe Maltën janë edhe streha e parë dhe e fundit për njerëzit që janë të shtrënguar të lënë vendet e tyre. Sipas marrëveshjes së Dublinit, refugjatët duhet të kërkojnë azil në atë vend anëtar të BE-së, të cilin kanë shkelur të parin. Për këtë arsye shumë prej imigrantëve të paligjshëm, qëndrojnë pikërisht në këto vende të BE-së. Megjithë numrin e madh të azilkërkuesve që kanë hyrë ilegalisht në Greqi, mungon çfarëdo lloj koncepti për sjelljen me këta njerëz.

Gjendja e migrantëve

Situata është katastrofale, thotë gazetarja Anna Koktsidou: "Refugjatët në Greqi flenë në rrugë, në parqe mbi stola. Ata marrin me qera banesa të vogla 10 vetë bashkë dhe flenë atje me rradhë. Kuota e pranimit të azikërkuesve është në Greqi më e ulët se në të gjitha vendet e tjera anëtare të BE-së. Pasi refugjatët vijnë në Greqi, ata kapen por lihen si rregull të lirë pas 30 ditësh pasi autoritetet nuk dinë çfarë të bëjnë me ta. Refugjatëve u kërkohet të kujdesen vetë për të lëshuar Greqinë, gjë që natyrisht askush nuk e bën. Ata qëndrojnë të gjithë në Greqi."

Albaner Ankunft in Griechenland 2004
Shqiptarë duke zbritur në Greqi. Numrin më të madh të huajve aty e përbëjnë shqiptarëtFotografi: picture-alliance/ dpa

Sipas Anna Koktsidou-s autoritetet që duhet të kujdesen për ta janë të mbingarkuar, pasi kanë mungesë personeli. Përkujdesjen për refugjatët, që është në të vërtetë detyrë e shtetit, e marrin përsipër organizatat joqeveritare. "Këshilli i refugjatëve" në Athinë është kujdesur për më shumë se gjysmën e 25.000 refugjatëve që kanë paraqitur vitin e kaluar kërkesë për azil në Greqi. Organizata u ka dhënë atyre informacione, i ka ndihmuar në mbushjen e kërkesës së azilit dhe i ka përfaqësuar juridikisht tek autoritetet greke. Kjo është e nevojshme pasi në pjesën më të madhe të rasteve kërkesa për azil refuzohet.

Dimensionet e fluksit të refugjatëve e kanë mbingarkuar Greqinë, thotë Anna Koktsidou. Ndërkohë që në Gjermani vitin e kaluar kanë hyrë ilegalisht 20.000 deri 25.000 refugjatë, në Greqi ky numër ka qenë 120.000, tregojnë hulumtimet e gazetares Anna Koktsidou. Greqia dhe vendet e tjera të BE-së të prekura më rëndë nga problemi i migracionit të paligjshëm, nuk mund ta zgjidhin vetë problemin. Kjo është detyrë e BE-së, thotë Koktsidou.