1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Në 60-vjetorin e kancelares Angela Merkel

Kay-Alexander Scholz/Pandeli Pani17 Korrik 2014

Angela Merkel nuk është e suksesshme vetëm në shkallë ndërkombëtare. Prej vitesh ajo gëzon reputacion të lartë edhe në Gjermani.

https://p.dw.com/p/1CeEE
Fotografi: picture-alliance/dpa

Angela Merkel, drejtuesja e Evropës? Disa vjet më parë kjo vështirë se mund të imagjinohej në Gjermani. Përkundrazi në vitet e para të Angela Merkelit në postin e kancelares nga mediat shtohej shpesh pyetja, nëse gjermanolindorja do të arrinte ta përballonte detyrën e saj. Regjisori gjerman i Hollywood, Roland Emmerich, dukej se ishte i bindur që herët se zonja Merkel do t'ia dilte mbanë. Në blockbuster-in e tij "2012", të xhiruar në vitet 2008/09 njerëzimit i duhet të shpëtojë në disa arka moderne të Noes prej fundit të botës. Një nga anijet, ajo për Evropën, udhëhiqet nga Merkel, e cila në film flet nga ura e anijes në emër të shteteve të tjera. Kjo ishte një pikë e guximshme në skenar, për shkak se në atë kohë nuk ishte ende e qartë nëse Merkel do të rifitonte në zgjedhjet federale të vitit 2009.

.
Fotografi: Reuters

Emmerich pati të drejtë me parashikimet e tij. Merkel u bë politikania kryesore në Evropë. Dhe jo vetëm kaq: Në maj, ajo u quajt nga revista amerikane "Forbes" për të katërtën herë me radhë si "gruaja më e fuqishme në botë". Edhe revista e Nju-Jorkut "Time" e rendit Merkelin për të gjashtën herë ndër 100 njerëzit më me ndikim të botës.

Premtimi i Merkelit

Por Merkeli është e suksesshme edhe në shkallë kombëtare. Kjo pasqyrohet ndër të tjera në reputacionin e lartë që gëzon ajo prej vitesh në Gjermani. Ajo ende renditet e para në shkallën e revistës "Der Spiegel" rreth popullaritetit të politikanëve gjermanë.

Të rinjtë, dhe jo vetëm ekskluzivisht zgjedhësit ose anëtarët e partisë së saj, CDU, e konsiderojnë 60-vjeçaren si shembull. Nëse i pyesni se pse, përgjigja është shpesh: Merkeli është shumë autentike, nuk ka ndryshuar në thelb pavarësisht pushtetit të saj të madh. Ajo është ndonjëherë pak e heshtur apo e sertë, shfaq pak emocione dhe është gjithmonë e orientuar nga çështja, pra nuk është tip për show. Edhe në pamjen e jashtme ajo rrezaton prej vitesh stabilitet dhe veshjen dhe stilin e flokëve i ka ndryshuar me shumë kujdes. Ajo ka qenë për gjermanët një drejtuese shumë e besueshme gjatë viteve të krizës dhe kësaj i përshtatet mesazhi i saj qendror: Gjermania duhet të jetë pas krizës në një gjendje më të mirë se para saj.

Bildergalerie Merkel mal anders - wir gratulieren zum 60.
Fotografi: Bjorn Sigurdson/AFP/Getty Images

Plani i Merkelit doli, papunësia në Gjermani është e ulët, rritja ekonomike e mirë. Merkeli ka mbi nëntë vjet që është kancelare e Gjermanisë. Vetëm në lidhje me pyetjen se kush mund të jetë pasardhësi i saj nuk ka një përgjigje, edhe pse si e tillë konsiderohet Ursula von der Leyen. Por kjo nuk gëzon në radhët e partisë mbështetjen që ka Merkeli.

Hapat drejt pushtetit

Angela Merkel është fizikante dhe i ka ngjitur hap pas hapi shkallët e karrierës. Ajo u ngjit në skenën politike të Evropës, pasi Gjermania e kishte kaluar fazën më të vështirë të krizës. Ishte një kohë kur në BE mungonin politikanët që donin t'i merrnin frenat në dorë dhe Merkel tha se pas krizës gjendja duhet të përmirësohet jo vetëm në Gjermani por edhe në Evropë. Forcimi ekonomik i Gjermanisë e forcoi edhe fuqinë e zërit të Merkelit në Evropë.

Bashkë me ministrin e Financave, Wolfgang Schäuble, ajo arriti që ndihmat ekonomike në miliarda për vendet e krizës të jepeshin nën maksimën e ndihmave vetëm kundrejt detyrimit për reforma.

Kohët e fundit për këtë Merkelin e lavdëroi edhe Hillary Clinton, kandidate e mundshme për presidente e SHBA-së në vitin 2016. E pyetur në një emision televiziv gjerman, se pse Merkel është bërë sipas saj aq e fuqishme, ajo u përgjigj: Merkeli e ka udhëhequr me sukses Evropën përmes krizës financiare dhe asaj të borxheve. Dhe si zonja Clinton këtë mendim për Angela Merkelin e kanë shumë njerëz në botë.

Merkel in Polen 2011
Fotografi: picture-alliance/dpa

Gjermania po ecën tani me hapa të mëdhej përpara drejt një buxheti pa borxhe të reja. Po ashtu ajo së bashku me ministrin e Jashtëm Frank-Walter Steinmeier arriti të ndërmjetësonte mes Moskës, Kievit, Berlinit dhe Uashingtonit, dhe deri tani është arritur që mos ketë një përshkallëzim të gjerë të krizës në Ukrainë.

Një detyrë e re për Angela Merkelin?

Në qarqet politike të Berlinit ka disa kohë që flitet se Merkeli do të ndryshojë para përfundimit të mandatit të saj - pra në vitin 2017 - punën. Si një alternativë përmendet posti i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së. Merkeli e mohon këtë. Publikisht natyrisht që për arsye strategjike dhe politike të pushtetit nuk flitet për plane të tilla. Por kjo do të ishte e imagjinueshme. Thuhet se ky post do të zihet nga një evropian; dhe OKB-ja është duke pritur me padurim për një shef që do të nisë reformat e nevojshme.

Se ç'plane politike ose personale ka për dekadën e shtatë të jetës, Merkeli ende nuk po tregon. Por ndoshta një përgjigje e jep projekti i ri i filmit të regjisorit Roland Emmerich, seria vazhduese e filmit "Independence Day", në të cilën nuk bëhet më fjalë vetëm për probleme kombëtare, evropiane apo ndërkombëtare, por edhe për probleme ndërgalaktike.