1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Portret Gastarbeiter

17 Tetor 2011

Nazmi Nuha nga fshati Jezercë i Kosovës është ndër punëtorët emigrantë të brezit të parë të ardhur në Gjermani. Ai nuk e harron mikpritjen e popullit gjerman.

https://p.dw.com/p/12tYi
Nazmi NuhaFotografi: DW

Pranë stacionit qendror të trenit (HBH) në Dyseldorf ndodhet prej gati 20 vitesh zyra e agjencisë së udhëtimit „Dituria“. Kjo zyrë nuk i shërben shqiptarëve vetëm për bileta udhëtimi për në vendlindjet e tyre, por edhe si pikë komunikimi mes tyre. Unë takoj disa nga ata, veçanërisht nga Kosova. Në mesin e tyre është edhe Gastarbeiter-i i vjetër (siç quhen në Gjermani punëtorët emigrantë të viteve 60-të) , Nazmi Nuha, ose siç i thonë të gjithë „baci Nazmi“.

Ai vjen shpesh aty, si në shtëpinë e vet, jo vetëm për faktin që këtë agjenci e drejton njëri prej djemve të tij, por edhe për faktin se ai ka një jetë të tërë në këtë qytet dhe ka qenë një nga organizatorët e shumë aktiviteteve të zhvilluara me bashkëatdhetarët e tij.

Baci Nazmi shoqërohet gjithnjë nga nipat ose mbesat e tij, që nuk janë pak por tetë nga tre djem dhe një vajzë që ka ai.

Ankunft Türkische Gastarbeiter - Entwicklung der Migration nach Deutschland
Fotografi: picture alliance / Beynelmilel

Ardhja në Gjermani, ndihmë për familjet në Kosovë

„Edhe pse shtëpinë e kam plot me fëmijë, nuk mund të rrij pa i takuar shokët e mi, bashkëmoshatarët e mi me të cilët kemi udhëtuar një rrugë kaq të gjatë kurbeti, mbi 40 vjet. Kemi ndarë shumë halle bashkë, edhe pjatën me fasule dikur e ndanim  me shokët. Ishim si një familje, sepse kurbeti na lidhi më shumë. Të gjithëve na mungonin prindërit, vëllezërit, motrat. Ata ishin në Kosovë dhe prisnin nga ne ndihma financiare. Për këtë edhe erdhëm këtu”, thotë Baci duke u kthyer në kujtimet e 40 vjetëve më parë.

Qysh i ri Nazmi Nuhës nga Jezerci i Ferizajit i duhej të punonte shumë sepse familja e tij ishte e madhe dhe shumë e varfër. Në ato vite ish-Jugosllavia kishte bërë marrëveshje me Gjermaninë për tërheqjen në Gjermaninë Perëndimore të punëtorëve nga të gjitha ish-republikat jugosllave, pra edhe nga Kosova. Ishte 12 qershor 1969, kur Nazmiu i ri mori rrugën e kurbetit për të ndihmuar familjen e tij. Por ai nuk ishte vetëm. Qindra shqiptarë nga fshatrat e ndryshme të Kosovës e panë këtë mundësi si një zgjidhje të përkohshme për t'u punësuar në Gjermani dhe për të ndihmuar familjet e tyre. Ruga nuk ka qenë e lehtë, thotë ai.

Ai kujton impresionit gjatë udhëtimit për në Gjermani: “Jemi nisur nga Ferizaji me dy autobusë nga agjencia Kosovatrans dhe kemi udhëtuar deri në Munih. Gjatë rrugës u impresionuam të gjithë, kur kaluam nëpër Austri. Pamjet e mrekullllueshme dukeshin mjaft interesante për ne nga që na kujtohej vendi ynë”.

Nuk harrohet mikpritja e popullit gjerman

Nga ish-Jugosllavia  erdhën bashkë me mua rreth 800 gastarbeiter, kujton baci Nazmi. Ai u vendos në firmën e njohur të ndërtimit Hochtief . Vështirësia e parë ishte komunikimi me gjermanët pasi ata nuk kishin fare njohuri. Mgjithatë: “As sot nuk mund ta harroj mikpritjen e popullit gjerman në atë kohë”. Baci Nazmi kujton: “Qytetarët gjermanë na u gjendën pranë me rroba dhe sende që na mungonin si fillim. Ata na krijuan nëpër dhomat tona një ambjent mjaft komod, duke na bërë të ndihemi si në shtëpitë tona. Ata nuk përtonin të na ndihmonin edhe në punë, të na shpjegonin çdo gjë për t'u aftësuar më mirë dhe më shpejt në zanatin tonë”, vazhdon ai më tej.

Gastarbeiterfamilie aus dem Kosovo
Nazmi dhe Sofia NuhaFotografi: DW

Integrimi në atdheun e dytë

Vitet kalonin dhe Nazmi Nuha një ditë u martua me Sofien nga Kosova. Më pas lindën tre djemtë dhe një vajzë. Fillimisht ata qëndruan në Ferizaj, por më vonë, meqenëse baci Nazmi punonte dhe fitonte mirë në firmën Hochtief, që siç thotë ai e ka në zemër, ai e solli të gjithë familjen në Dyseldorf. Në firmën Hochtief ai ndjehej shumë i respektuar dhe shumë i nderuar. Kur doli në pension pas 35 vjetësh punë, drejtori i firmës e kishte thirrrur në zyrë për t'u ndarë. Bisedën me të ai e tregon i përlotur: "Nuk ishte vetëm një bisedë lamtumire, por një bisedë shumë mbresëlënëse. Unë i shpreha mirënjohjen për Gjermaninë dhe popullin gjerman që në ditët më të vështira të luftës në Kosovë dhe trazirave të atjeshme, ata mbajtën rreth 500 mijë kosovarë këtu…..Ndërsa ai më tha: Dera jote është gjithmonë e hapur Herr Nuha”.

Paralelisht me punën baci Nazmi dhe shumë Gastarbeiter të tjerë nga Kosova do të krijonin me ndihmën e autoriteteve gjermane një klub kulturor në zemër të Dyseldorfit. Pra u krijua një komunitet kosovar, i cili përveç ruajtjes së traditave kulturore dhe zakoneve, klubin e ktheu në një vatër për të shuar edhe mallin për vendin e tyre.

Gastarbeiterfamilie aus dem Kosovo
Familja Nuha me nipa e mbesaFotografi: Nuha


Vitet 80 dhe 90 ishin vitet më të vështira për Kosovën. Baci Nazmi bashkë me bashkëvendasit e tij nuk mund të qëndronte indiferent për këto ngjarje. Ai do të merrte pjesë në shumë demonstrata që zhvilloheshin në Gjermani dhe në mbarë Europën për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës. “E kujtoj si sot ditën kur u çlirua Kosova. Të gjithë ishim të gëzuar. Endrra jonë ishte realizuar”.

Sot baci Nazi ka dalë në pension. Fëmijët janë martuar dhe e kanë shtuar familjen Nuha me nipa dhe mbesa. Ai është krenar si baba dhe si një gjysh i lumtur, pasi siç thotë ai “ fëmijët e kanë gjetur veten në Gjermani, janë shkolluar, punësuar dhe janë tërësisht integruar këtu“.

Edhe për mua Gjermania, ku kalova mbi 40 vjet të jetës sime, është bërë atdheu im i dytë, thotë tërë krenari baca Nazmi.

Autore: Mimoza Kelmendi

Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora