1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Një sondë kozmike 3D për studimin e Rrugës së Qumështit

Fabian Schmidt / Pandeli Pani19 Dhjetor 2013

Sonda GAIA do të dokumentojë rreth një miliardë yje dhe mund të zbulojë edhe milionë yje të tjerë.

https://p.dw.com/p/1Ac1W
Fotografi: ESA-CNES-Arianespace / Optique Vidéo du CSG - L. Barthet Barateig

Asnjë teleskop i drejtuar nga toka, teleskop kozmik apo sondë kozmike nuk ka bërë punë në mënyrë GAIA. I ashtuquajturi interferometër global astrometrik do të vëzhgojë për astrofizikantët për pesë vjet hapësirën kozmike në një distancë prej 1.6 milion kilometra dhe do të përcjellë të dhëna në Tokë.

Sonda e nis udhëtimin e saj më 19 dhjetor 2013 në një raketë ruse Sojus nga qendra kozmike në Guajanën Franceze. Raketa do ta çojë sondën në pikën Lagrange L2 në hapësirën kozimike, e cila është katër herë më larg se Hëna nga Toka. Kjo pikë mban emrin e austronomit italian Joseph-Louis Lagrange, i cili e përllogariti atë teorikisht në shek. XVIII.

Në pikën Lagrange L2 forcat e gravitetit të Tokës dhe të Diellit në mënyrë të tillë që një satelit që rrotullohet rreth Diellit ka gjithmonë një pozicion të pandryshueshëm ndaj Tokës. Pra nëse e vëzhgojmë Tokën nga kjo pikë duket sikur kemi gjendje të plotë mungesë graviteti. Kurse stacioni kozmik ISS kthehet gjithmonë nga Toka dhe koordinatat e tij duhen përllogaritur vazhdimisht, kurse ato të GAIA-s jo.

GAIA-sonda kozmike
Fotografi: ESA-CNES-Arianespace / Optique Vidéo du CSG - P. Baudon

Një aparat fotografik digjital që mund të bëjë më shumë

Sonda është e pajisur me një teleskop optik klasik, i cili është i lidhur me nje mori detektorësh me pixel - të ngjashëm me një aparat fotografik digjital gjigant me më shumë se një miliardë pixel. Objektivi i sondës është aq i mirë sa mund të dallojë edhe prej 1000 miljesh larg një qime flok njeriu.

Por detektorët e aparatit mund të bëjnë shumë më tepër se chip-i i një aparati fotografik digjital. Ekzistojnë tri lloje detektorësh dhe secili lloj ka detyra të ndryshme: 62 detektorë astrometrikë për matur objekte të ndryshme kozimike dhe për të përcaktuar pozicionin e tyre të saktë në kozmos. 14 detektorë fotometrikë diktojnë shkëlqimin dhe gjatësinë e valëve të dritës që reflektohet nga yjet. Ato mund të zbërthejnë me saktësi spektrin e ngjyrave të çdo ylli.

Dhe i ashtuquajturi spektrometër i shpejtësisë radiale mat me dymbëdhjetë detektorë me pixel, spektrat e objekteve. Pra çdo fushë spektrale drite që lëshon një yll, mund të paraqitet në mënyrë individuale. Kjo ndihmon për identifikimin e elementeve që mund të gjenden aty. Kështu pritet që GAIA të zbulojë me qindra mijëra yje të mundshëm jashtë sistemit tonë diellor, disa nga të cilët gjenden deri në 500 vjet dritë larg. Të gjithë detektorë do të dërgojnë gjatë pesë vjetëve të misionit mbi një milion gigabajt të dhëna.

Pamje tridimensionale të Rrugës së Qumështit

Qëllimi i misionit është që të kuptohet më mirë formimi i Rrugës së Qumështit dhe galaktikës sonë. GAIA do të jetë në gjendje që të përcaktojë jo vetëm vendndodhjen dhe lëvizjet e yjeve dhe trupave qiellorë, por për të krijuar një lloj peme prejardhjeje të përbërjes kimike të secilit objekt. Më pas studiuesit mund të llogarisin historinë e universit deri në kohën e big beng-ut.

Satellit GAIA
Fotografi: Weltraumagentur ESA

Sonda është në gjendje të llogarisë edhe pozicionin dhe përthyerjet e dritës përmes fushave misterioze gravitacionale në hapësirë. Shkencëtarët shpresojnë që me këto të dhëna të kuptojnë më mirë hapësirën, kohën dhe gravitetin.

Në kërkim të asteroideve dhe kometave

Shpërthimi i yjeve në fund të jetës së tyre, është një gjë që i mrekullon shkencëtarët. Të dhënat që do të mbedhë GAIA do t'u japin astronomëve të dhëna se kur mund të vëzhgohen më mirë procese të tilla nga Toka.

Po ashtu shkencëtarët mendojnë se GAIA do të zbulojë edhe dhjetëra-mijëra asteroidë dhe kometa, disa prej të cilëve mund të jenë dikur të rrezikshëm për Tokën. Po ashtu GAIA pritet të llogarisë me përpikmëri edhe pozicionin e 200.000 asteroidëve të njohur deri tani. Të dhënat do të përfshihen në një sistem paralajmërimi të hershëm.