1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Një film mbi keqbërësit: Ekstremi i së keqes

Birgit Görtz/Angelina Verbica16 Janar 2014

Në Bashkimin Sovjetik të pushtuar komandot e asgjesimit vranë dy milionë hebrenj. Filmi i ri i fituesit të çmimit Oscar, Ruzowitzky shtron pyetjen: Si u kthyen të rinjtë në vrasës?

https://p.dw.com/p/1As6X
Fotografi: W-film/Christoph Rau

Në filmin e tij austriaku Stefan Ruzowitzky shpjegon dhe akuzon. Dhe dëshiron edhe të nxjerrë mësime për shoqërinë e sotme. A është e mundur kjo? Po, është. Përmes një lloj eseje dokumentuese, apo një abstragimi kinematografik. Filmi shtron pyetjen: Si u kthyen burrat psiqikisht normalë në vrasës?

Autorët janë anëtarë të komandove të asgjesimit, atyre komandove, që me urdhër të SS-ve, vranë në territoret e Bashkimit Sovjetik të pushtuara nga Gjermania dy milion hebrenj në mes të viteve 1941 dhe 1944. Filmi interviston historianë dhe psikologë, kërkon përgjigje prej citateve origjinale, ditarëve, dhe protokolleve të gjyqeve. Skenat historike nuk janë rikrijuar me të vërtetë. Në shumicën e rasteve shikon fytyra aktorësh të panjohur, të xhiruar nga shumë afër. Zërat gjithmonë vijnë nga jashtë.

Nuk ka thyerje tabush

Ta trajtosh genocidin në film duke u përpjekur të shpjegosh atë që nuk arrin të ta marrë mendja, a është e mundur kjo? "Po", thotë historiani Andrej Angrick, i cili kryen prej shumë vitesh studime në lidhje me komandot e shfarosjes. Me mënyrën e tij të shtjellimit të filmit Ruzowitzky nuk shkel në tokë të panjohur, thotë Angrick. "Ka një numër filmash, në të cilët materiali dokumentar filmik përzihet me skenat e luajtura. Kjo nuk përbën ndonjë thyerje stili, apo tabuje, përderisa mund të identifikohet origjina e citateve."

Stefan Ruzowitzky fitues i çmimit Oscar 2008
Stefan Ruzowitzky fitues i çmimit Oscar 2008Fotografi: picture-alliance/ dpa

Si veprojnë dinamika e grupit dhe presioni i konformitetit? Ruzowitzky përsërit eksperimentet e famshme si Stanford, apo Milgram. Në to shkencëtarët testojnë gatishmërinë e personave, që testohen, për të torturuar njerëz me urdhër nga lart. Që filmi i tregon skenat në mënyrë të distancuar dhe të stilizuar, nuk e bën më të mirë rezultatin katastrofal, që shumica torturojnë me urdhër deri në maksimum. Edhe në qoftë se e di, se "viktimat" vetëm e simulonin torturimin e tyre.

Fakte të mohuara

Filmi paraqet në një qartësi të pakëndshme, atë që shpesh mundohet të mohohet. Pjesëtarët e komandove shfarosëse kanë patur me të vërtetë edhe një tjetër alternativë. Ata kanë patur mundësi që t'i refuzonin urdhërat për të vrarë. Rreziku, që i vinte, ishte vetëm transferimi, ose mosngritja e rrogës herën tjetër. "I vetmi kufizim është motivimi", shton Andrej Angrick. "Argumentimi se nuk kam shkuar në front, për të vrarë gra dhe fëmijë, por për të luftuar, është i mundur." Kush nuk pranonte të merrte pjesë në njësitë vrasëse, atij i jepeshin detyra të tjera. Ai nuk kishte pse druhej se mund të përjashtohej nga ekipi, për sanksione as që bëhej fjalë, pohon Angrick.

Përse atëherë?

Si bëhen burrat normalë, që psikologjikisht nuk kanë probleme, kriminelë ekstremë? Në film ata e përjetojnë komandën e parë të ekzekutimit si një barrë të rëndë shpirtërore, por pastaj hyjnë në veprim proceset e dinamikës së grupit dhe presioni i konformitetit. Indoktrinimi propagandistik bën punën e vet.

Filmszene "Das radikal Böse"
Skenë nga filmi i Stefan Ruzowitzky-tFotografi: W-film/Benedict Neuenfels

Në fund vrasja është për burrat si një punë e ndyrë, që duhet bërë për të arritur një qëllim më të lartë. "Në shtetin nazist ky ishte premtimi i lumturisë, utopia gjermanike, një shoqëri perfekte", shpjegon Andrej Angrick. "Hebrenjtë janë vrarë, jo sepse ata ishin hebrenj, por sepse ata dhe të tjerë të përsekutuar nga nazistët në botëkuptimin nazist ishin pengesë për arritjen e një "kopshti Eden arian". Lufta shkatërrimtare ishte një luftë për Utopinë, në fund qëndronte premtimi i shpëtimit në të mirën e atyre, që bënin pjesë në këtë rreth."

E keqja brenda nesh

Stefan Ruzowitzky me titullin e filmit të tij i rikthehet shkrimit të Immanuel Kantit, shkruar në fund të shekullit të 18-të. Filozofi argumenton, shprehur me fjalë të thjeshta, se prirja për të vepruar në kundështim me normat e përgjithshme, etike, dremit te secili. Psikiatri i shquar Robert Jay Lifton flet në filmin e Ruzowitzkyt për "potencialin njerëzor" të një njeriu, për të bërë keq. Por kur e keqja çan rrugë, shpërthen kufinjtë e asaj, që pranohet nga të gjithë si morale? Lifton e sheh zgjidhjen në kulturën politike, që i vë individit barrierat e veprimit.

Historiani gjerman Angrick e konsideron këtë të pamjaftueshme. Ai thekson kontestin social: "Për mendimin tim 95 % e burrave të njësive operative nuk do të ishin bërë kriminelë ekstremë në një shoqëri tjetër. Vetëm kultura politike nuk ndihmon. Nevojiten elitat e kulturura." Nëse elita është imune, politikanët, juristët, aktorët, mjekët, atëherë stabilizohet shoqëria. Përveç kësaj kultura politike nuk duhet të mbetet e kufizuar në një qark pak a shumë intelektual.

Rreziku i mirëkuptimit të madh

Por Angrick thekson në rradhë të parë rolin e zbatimit të ligjit: "Shteti jo vetëm që duhet të kërcënojë me sanksione, por edhe të vendosë kufijtë." Përveç kësaj një shoqëri nuk duhet të bëjë gabimin e të ketë një "kulturë debati me shumë mirëkuptim". Ai e ka fjalën për shembull për qëndrimin ndaj neonazistëve. "Të mirëkuptuarit e rrethanave fsheh në vetvete rrezikun e ekskulpacionit, shfajësimit, çlirimit nga faji dhe në këtë mënyrë edhe miratimin."

Shfajësim dhe miratim. Në këtë grackë nuk bie kurrsesi filmi i Ruzowitzkyt. Në fund është e qartë si kristali: vrasësit nuk mund të thonë se nuk kanë pasur alternativë tjetër, apo t'ia delegojnë fajin një shteti abstrakt nazist, por ata janë personalisht përgjegjës për veprimet e tyre.