1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Njerëzit me aftësi të kufizuar të ndihen të integruar

5 Qershor 2009

Në listat e kandidatëve për deputetë për parlamentin e ardhshëm në Shqipëri është dhe Bardhylka Kosipiri, prej disa kohësh e sëmurë tetraplegjike. Në Shqipëri, 3 përqind e popullatës njihet si me aftësi të kufizuar.

https://p.dw.com/p/I4DK
Aksioni 'Qytet i njerëzve në Gjermani'- një grup fëmijësh me aftësi të kufizuara në një kopsht ditor
Aksioni 'Qytet i njerëzve' në Gjermani- një grup fëmijësh me aftësi të kufizuara në një kopsht ditorFotografi: Frank Wosniewski

Bardhylkën nuk e pengoi statusi i personit me aftësi të kufizuara për angazhimet familjare dhe në shoqërinë civile

Bardhylka Kospiri është renditur në katërshen e parë të listës së kandidatëve për deputetë të partisë së re G99. Ajo ka tërhequr vëmendje qysh në prezantimet e para në publik. Është 54 vjeçe, e diplomuar për inxhinjeri ndërtimi, nënë e dy fëmijëve të rritur. Para 15 viteve jeta e saj mori një drejtim të paparashikuar. Një sëmundje e rrallë, progresive, i dëmtoi gjymtyrët duke e detyruar të ulet në karrigen me rrota. Statusi i tetraplegjikes nuk e pengoi Bardhylkën që të vazhdonte angazhimet e saj familjare, por dhe si aktiviste e shoqërisë civile në mbështetje të të drejtave për personat me aftësi të kufizuar.

Një dekadë kontribut në organizatat joqeveritare - eksperiencë e jashtëzakonshme për Bardhylkën

Rreth një dekadë kontribut në programe të ndryshme në organizatat joqeveritare kanë qënë një eksperiencë e jashtëzakonshme për Bardhylkën. Ajo thotë për DW se kjo ka qenë dhe pikënisje për të pranuar ofertën për të hyrë në politikë.

"Filluam me përpjekje të thjeshta duke kërkuar përmirësime të legjislacionit. U përfshimë në grupe pune për të qenë më pranë atyre që merrnin vendime për cështjet e personave me aftësi të kufizuara.Tashmë zhvillimet shtrojnë kërkesa të reja, për të qenë pjesë e vendimmarrjes, për të diktuar në mënyrë të drejtpërdrejtë se cfarë duhet të ndryshojë dhe si"..

Karrige me rrota e dizajnuar nga studentë në Pragë
Fotografi: Jan Skola

Kosipiri: Për trajtimin dinjitoz të personave me aftësi të kufizuar duhen zbatuar ligjet dhe nxjerrë vendime

Bardhylka ka planifikuar që përvec takimeve elektorale në Tiranë të lëvizë edhe në Kavajë e Rrogozhinë. Për të shpjeguar strategjinë e saj se për trajtimin dinjitoz të personave me aftësi të kufizuar nuk mjafton vetëm një ligj i mirë e me standarte. Por kryesor është zbatimi konkret i tij, nxjerrja e akteve dhe vendimeve që lehtësojnë aktivitetin e kësaj kategorie. Që të ndjehen realisht të integruar më shoqëri.

"Nuk duhen parë më si cështje mëshire apo keqardhjeje ndaj personave me aftësi të kufizuar, por të respektohen të drejtat e tyre, si për të gjithë qytetarët e tjerë".

'Çështjet e personave me aftësi të kufizuar do të jenë në vëmëndje të të gjithë opinionit publik'

Qysh tani kur duhen dhe rreth 3 javë nga dita e votimeve, ajo shprehet e sigurtë se e ka arritur fitoren e parë. Këtë e përsërit dhe gjatë takimeve që zhvillon me mbështetës e simpatizantë.

"Patjetër që është një garë e vështirë dhe e pabarabartë. Aq më tepër në kushtet me aftësi të kufizuara. Megjithatë ajo që unë konsideroj si një fitore të sigurtë është që cështjet e personave me aftësi të kufizuar, si asnjëherë tjetër do të jetë në vemëndje, jo vetëm të G99, që përfaqësoj, por në vëmëndje të të gjithë opinionit publik. Në parlamentin e ardhshëm do të flitet më shumë për këto probleme. Pasi partitë politike e kanë kuptuar , se pa i përfshirë ato në axhendat e tyre, nuk mund të flitet për integrim europian. Në të gjitha dokumentet ndërkombëtare problemi i personave me aftësi të kufizuar shikohet gjithmonë në këndvështrimin e të drejtave të njeriut".

Detyrë: ratifikimi i një konvente të miratuar së fundi nga OKB për personat me aftësi të kufizuar

Për Bardhylkën parlamenti i ri i pas 28 qershorit duhet të ketë pjesë të axhendës edhe ratifikimin e një konvente të miratuar së fundi nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për të drejtat e personave me aftësi të kufizuar. Në Shqipëri, sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Punës, Përkrahjes Sociale e Shanseve të Barabarta 3 përqind e popullatës njihet si me aftësi të kufizuar. Katëgoritë kryesore janë paraplegjikët, tetraplegjikët, të verbërit, ata që nuk dëgjojnë, personat me aftësi të kufizuara mendore etj.

Autor: Arben Muka/ Tiranë

Redaktoi: Auron Dodi