1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Një dekadë nga lumturimi i Nënë Terezës

Ajete Beqiraj6 Shtator 2013

Në Prishtinë u shënua 10 vjetori i lumturimit të Nënë Terezës dhe 1700 vjetori i Ediktit të Milanos. Ceremoninë solemne e udhëhoqi i dërguari i Papës, shkelqësia e tij Francesko Canalini.

https://p.dw.com/p/19crz
Mother Teresa smiles while talking with United Nations Secretary General Kofi Annan on Saturday, June 14, 1997, in New York. Annan and Mother Teresa met today at The Missionaries of Charity in the South Bronx section of New York for a private meeting. (AP Photo/UN, Evan Schneider)
Fotografi: AP

E lindur me 1910 në Shkup me baba prizrenas dhe nënë gjakovare, murgesha e re Gonxhe Bojagjiu, e cila i qëndroi besnike një thirrjeje supreme deri ne vdekje, do të shndërrohet në simbol mirësie e paqeje e njohur në botë me emrin, Nëna Terezë. Sepse, sipas shkelqësisë së tij Francesko Kanalinit-i derguar special i Papa Franceskut, i cili udhëhoqi meshën solemne, Nëna Terezë na ka mësuar të gjithëve se në jetë duhet të jemi të shenjtë, ndërsa feja e thellë në Zotin ka formuar jetën dhe veprën e së lumës sonë. “Zoti është pasuri dhe dashuri për çdo njeri pa dallim feje dhe kombi. Ndersa Nëna Terezë dhe vepra e saj kanë dëshmuar shpresën dhe dashurinë me tërë qenien e saj. Atë e kanë kuptuar të gjithë, e kanë njohur dhe e kanë quajtur me emrin e ëmbël dhe të bukur: Nënë!”, theksoi ndër të tjera shkelqësia e tij Francesko Kanalini për humanistën e lumturuar shqiptare Nënë Terezën, e cila ishte edhe fituese e Çmimit Nobel për Paqe.

Me Ediktin e Milanos u vunë themelet e besimit të krishterë

Edikti i Milanos i dha të drejtën e qytetarisë besimit të krishterë, duke lejuar dhe respektuar ushtrimin e lirshëm dhe për t´u bërë më vonë besim zyrtar i perandorisë romake. Ndërsa përcaktimi themelor i lirisë së njeriut mbetet përqafimi i besimit, ushtrimi i tij dhe respekti i vlerave, tha me këtë rast presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga.

Katedralja Nënë Tereza në Prishtinë.
Katedralja nënë Tereza në Prishtinë.Fotografi: picture-alliance/dpa

“Manifestimi i Ediktit të Milanos, i punës së Konstantinit të Madh, i cili vinte nga këto treva, stimulohen më së miri me figurën e Nënës Terezë, misionare e cila gjithë jetën ua kushtoi të varfërve, duke shtrirë dorën e mirësisë dhe të dashurisë, forcuar besimin në njerëz dhe duke u shkrirë në bindjen se dashuria e mirësia si dhunti e si angazhim janë të paskajshme dhe të pashterrshme”, tha presidentja Jahjaga, në koncertin e Filarmonisë së Kosovës, si pjesë e kësaj ceremonie.

Nënë Tereza shqiptare-Nënë e mbarë njerëzimit

Nënë Tereza, kjo nënë e përvuajtur e njerëzimit, e cila doli nga gjiri i një populli të lashtë, me kulturë, identitet dhe histori origjinale, të veçantë dhe të pandërprerë, asnjëherë nuk e fshehu origjinën e saj shqiptare. Gonxhe Bojaxhiu u bë nënë e njeriut të pambrojtur, nënë e njeriut të pashpresë, nënë e nevojtarit, e jetimit, e të sëmurit, e të pafuqishmit, nënë e të braktisurit: nënë e tërë njerëzimit. Kështu tha ndër të tjera kryeministri i Republikës së Kosoves, Hashim Thaci, sipas të cilit lartësia ë qëllimit të Nënës Terezë ishte e pakrahasueshme më këdo në botë e Nënë Tereza vetë, simbol i vlerave të larta njerëzore, i bujarisë, mëshirës, shpirtmadhësisë, flijimit për të tjerët, bashkëvuajtjes dhe vënies së interesit të përgjithshëm mbi atë personal.

Pjesëmarrje e madhe në katedralen e Prishtinës
Pjesëmarrje e madhe në katedralen e PrishtinësFotografi: picture-alliance/dpa

“Shpirti i Nënës Terezë duhet të udhëheqë edhe më tej vizionin tonë për një shoqëri të tolerancës, mirëkuptimit, respektit të ndërsjellë dhe solidarizimit pa dallim të përkatësisë sociale, etnike, kulturore dhe religjioze. Kjo vlerë e bëri Nënën Terezë qytetare të botës dhe mike të popujve. Këtë vlerë supreme arriti ta prodhojë, ta ngrejë në kulm dhe ta universalizojë një bijë, grua dhe misionare fetare me origjinë shqiptare“, tha kryeministri Thaci, sipas të cilit vlerat shpirtërore dhe humaniste të Nënës Terezë janë sintezë e vlerave më të mira të civilizimit shqiptar dhe shpjegues esencial i frymës tolerante dhe kulturës së unitetit kombëtar.

Në manifestimin treditor të 10 vjetorit të Lumturimit të Nënë Terezës dhe 1700 vjetorit të Ediktit të Milanos, ku morën pjesë edhe delegati apostolik i Selisë së Shenjtë për Kosovën, Juliusz Janusz, ipeshkinj nga rajoni, krerë të lartë shtetërorë të Kosovës dhe përfaqësues të partive opozitare, qëndroi e hapur ekspozita e hartave gjeopolitike të kohës së Konstantinit, një simpozium mbi rolin e Konstantinit dhe 1700 vjetorin e Ediktit te Milanos, vizitë në qytetin antik në Ulpianë dhe një koncert nga Filarmonia e Kosovës për t'u përmbyllur më meshën solemne të udhëhequr nga i dërguari special i Papa Franceskut, Sh.T.Mons. Francesko Canalini.