1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Nga baleti klasik në teatrin-performancë

Ayba Bach/Lindita Arapi7 Shtator 2013

Në vitin 1973 Pina Bausch themeloi teatrin performancë të Vupertalit e fitoi famë botërore. Një jubile teatror mes restrospektivës e vështirësive të fillimit të ri.

https://p.dw.com/p/19dTM
Teatri - perfomancë
Teatri - perfomancëFotografi: imago/imagebroker

Në të vërtetë ajo nuk e donte këtë përgjegjësi: Të drejtonte grupin e kërcimit të skenave të Vupertalit. Një gjë e paplanifikuar. Por Pina Bausch u bind dhe e shndërroi baletin e një teatri të thjeshtë të qytetit në një teatër performues të kohës, i cili u kthye në hit të eksportit kulturor gjerman. Sot Compagnie-n e drejton Lutz Förster. Edhe ai nuk e kishte të lehtë të merrte këtë vendim. Puna më e vështirë: Të ruash një trashëgimi legjendare dhe në të njëjtën kohë të krijosh hapësira të reja krijuese. "Fillimisht e largova këtë përgjegjësi nga vetja", rrëfen ai, "jo se kisha frikë, por sepse nuk e kisha menduar asnjëherë këtë, asnjëherë".

Që nga viti 1975, Förster bën pjesë në grupin e kërcimit, sot edhe profesor arti i Universitetit të Esenit "Folkwang". Tani është ai që udhëheq sezonin artistik për nder të jubileut, një sezon që nderon edhe veprën e artistes Pina Bausch. Siparin e hap "Palermo, Palermo", një performacë e frymëzuar nga jeta në qytetin sicilian Palermo.

Kërcimtari dhe drejtuesi Lutz Förster ka ndjekur udhën e artistes Pina Bausch
Kërcimtari dhe drejtuesi Lutz Förster ka ndjekur udhën e artistes Pina BauschFotografi: privat

Shokuese për Vupertalin

"Mua nuk më intereson se si lëvizin njerëzit, por se çfarë i bën ata të lëvizin" - citati i shumëpërmendur i Pina Bausch shihet edhe në këtë pjesë. Larg botës plot elegancës artificiale të baletit klasik, ajo gjithmonë kërkonte atë element të brenshëm që ose i jep njeriut flatra ose e dërrmon atë. E kur sheh në skenë këcimtarët të marshojnë të kërrusur në një marsh absurd zije para rrënojave të një muri, e kupton se nuk bëhet fjalë për trupin, por për deformimin e brendshëm.

Një ditë para vënies në skenë të "Palermo, Palermo". Lutz Förster nuk korrigjon më, ndryshe nga Pina Bausch. Puna e Försterit është e një tipi tjetër. "Unë nuk jam koreograf, jam këtu për të kuptuar pjesët, për të vazhduar provat, për t'u dhënë jetë. Dhe për të siguruar vazhdimësinë e Compagnie-s.

Një përgjegjësi për të cilën ai është shumë i përgatitur. Si kërcimtar, Förster ka përjetuar se si Pina e drojtur ia doli të bënte revolucionin e saj në botën e baletit. Me këmbëngulje ajo e konfrontonte publikun e Vupertalit me teatrin e saj, duke shkaktuar edhe skandale me pjesën "Blaubart" - një orgji shkatërrimi e tmerrshme, që në program ishte futur mes operave serioze dhe operatave të thjeshta. "Ky ishte një shok për publikun", kujton Förster. "Zgjati një kohë të gjatë deri sa erdhi një publik tjetër, një publik që vinte nga bota e teatrit."

Suksese jashtë Gjermanisë

Por jashtë Gjermanisë eksperimentet e Pina Bausch u pritën ndryshe. "Kjo ishte e veçanta. Aty kishim duartrokitje, reagime shumë të mira dhe emocionuese". Grupi Compagnie u ftua në festivale të rëndësishme, ku takoheshin avangardistët e artit dhe ku vinte një publik i interesuar. Por kjo nuk ishte arsyeja e vetme, pse bota jashtë u bë kaq e rëndësishme për Pina Bausch. "Për të ishte shumë e rëndësishme të njihte kultura të tjera", kujton Lutz Förster. "Ajo ishte e interesuar shumë për botën njerëzore, e për rrjedhojë edhe për ndërlidhjet kulturore."

Pina Bausch
Pina BauschFotografi: AP

Këtë e tregojnë edhe pjesët performuese që ajo përgatiste, pjesë që lidheshin me Palermon, Romën, Sao Paolon, Stambollin, Hong-Kongun apo Los Anxhelosin. "Unë e admiroj Pinën gjithnjë e më shumë. Ajo ka krijuar diçka universale, që gjen publik në të gjithë botën", thotë Förster. Edhe në jubileun e teatrit performancë, trupa po shkon në turne në vende të ndryshme: Nga Japonia, Koreja e Jugut, deri në Kanada.

Riorientimi rrugë jo e lehtë

Interesi është shumë i madh, katër vjet pas vdekjes së Tina Bausch nga kanceri. Një bekim dhe përgjegjësi. Si një markë ndërkombëtare teatri mund të vazhdonte të kryente ture nëpër botë, por ai nuk mund të mbijetojë thjesht si një thesar -trashëgimi e Pina Bausch.

Riorientimi i teatrit do të jetë i vështirë në kohët me shumë pak fonde. Se si do të jetë e ardhmja, Lutz Förster nuk shprehet publikisht, por vetëm konfirmon: "Gjetja e një balance se si të ruajmë trashëgiminë e Pinës dhe në të njëjtën kohë të ecim në një rrugë të re, po të kujtojmë fillimet e Pinës, guxim pra për të hapur shtigje të reja."