1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ndëshkim, apo mbrojtje e konsumatorit

Carla Bleiker/Pandeli Pani5 Qershor 2014

Komentet dhe vlerësimet anonime në internet janë një ndihmë për përdoruesit, por mund të shkaktojnë edhe dëme të mëdha.

https://p.dw.com/p/1CCNI
Fotografi: Fotolia/william87

Hotele, restorante, flokëtore, apo mjekë, sot pothuajse kushdo mund të vlerësojë çdo gjë dhe këdo në internet. Në portalë si "Yelp", apo "Trip Advisor" përdoruesit e internetit mund të postojnë vlerësimet e tyre dhe madje në mënyrë anonime. Komentet pozitive dhe negative synojnë t'u vijnë në ndihmë të tjerëve, që janë duke kërkuar ndonjë hotel për të kaluar pushimet, apo një mjek.

Komentet, që janë tepër të këqia ndeshin herë pas here në moskuptim nga ana atyre, që kritikohen. Madje një mjek në landin Baden-Württemberg u ankua deri në Gjykatën e Lartë për një vlerësim negativ, që ishte bërë për të në portalin "Sanego".

Anonimiteti i internetit

Vendimi për ankimin e mjekut pritet më datën 1 korrik. Problemi është se portali "Sanego" nuk pranon të tregojë se kush i ka bërë vlerësimet negative dhe kritikat për mjekun, në rast se për këtë nuk merret vendim nga gjykata. Avokati i mjekut thotë se vlerësimi që i bëhet klientit të tij në portalin "Sanego" bazohet në fakte të gabuara dhe kërkon për këtë dëmshpërblim për shkak të prishjes së reputacionit të mjekut. Sipas avokatit në një rast të tillë kemi të bëjmë me cenim të të drejtave personale dhe në këtë rast portali nuk mund të mbrohet duke thënë se kemi të bëjmë me liri të shprehjes së mendimit.

DW Shift Exit Reise mit Instagram
Fotografi: DW

Në një rast të ngjashëm në Skoci Martin dhe Jacqui Clark që kishin një Bed and Breakfast u ankuan për vlerësimin e keq në portalin "Travel Advisor" dhe kërkuan emrin e atij që kishte shkruar aq negativisht për ta, gjë që u kishte shkaktuar humbje të mëdha. Gjykata në Skoci tha se nuk ishte kompetente për këtë rast, pasi portali "Travel Advisor" e kishte seline në SHBA. Martin dhe Jacqui Clark u detyruan ta shisnin pensionin e tyre në vitin 2014 për shkak të humbjeve financiare të shkaktuara nga vlersimi negativ në "Travel Advisor".

Kurse një gjykatë në SHBA vendosi në janar 2014 që portali "Yelp" duhet t'i bënte të njihur emrat e atyre që kishin shkruar negativisht për njlë firmë pastrimi qilimash, sepse këto vlerësime bazoheshin në fakte të gabuara.

Kritere objektive

Michaela Zinke, e cila punon në Qendrën federale për Mbrojtjen e Konsumatorëve rekomandon që për t'u prerë sa më shumë rrugën vlerësimeve arbitrare portalet duhet të ofrojnë pyetje të sakta dhe sa më precize të orientuara nga kritere objektive. P.sh. në rastin një një mjeku mund të pyetet se sa kohë iu desh pacientit të priste deri sa e vizitoi mjeku.

Michaela Zinke
Michaela ZinkeFotografi: vzbv

Avokatja Eva Dzepina thotë se nëse një mjek apo një pronar hoteli vë re që kritika është fyese ose përmban fakte që nuk janë të vërteta, ai duhet të ngrejë padi dhe në rast të tillë ka të drejtë që të marrë vesh edhe se kush është autori i asaj kritike. Por sipas saj në Gjermani një gjë e tillë nuk mund të bëhet në mënyrë masive, sepse organeve të ndjekjes penale u mungon personeli.