1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ndërron jetë Gabriel García Márquez

Susanne Spröer/Angjelina Verbica18 Prill 2014

Gabriel García Márquez. Ai ishte shkrimtari më i njohur i Amerikës Latine. Në vitin 1982 ai u nderua me çmimin Nobel të letërsisë. Tani ai ndërroi jetë në moshën 87 vjeçare. Një karrierë që filloi me pyetjen e së jëmës.

https://p.dw.com/p/1Bkby
Autor Gabriel Garcia Marquez
Fotografi: picture-alliance/AP

"Çfarë t'i them tani babait tënd?" - "Thuaj se dua vetëm një gjë në jetë, dua të bëhem shkrimtar dhe kam për t'u bërë." Në shkurt 1950, para se të mbushte 23 vjeç, Gabriel García Márquez vendosi t'i ndërpriste studimet në drejtësi, kundër dëshirës së prindërve. Pasioni më i madh i Gabrielit nuk është drejtësia, por bota e historisë. Kështu e përshkruan ai në vitin 2002 në autobiografinë e tij "Të jetosh për të treguar".

Fëmijëria në Karaibe

Gabriel García Márquez u lind me 6 mars 1927 në Aracataca, në një fshat të Karaibeve kolumbiane, në mesin e plantazheve të bananeve, që në verë dëmtoheshin nga thatësira dhe në dimër nga rrebeshet tropikale. Me një kokëfortësi të ngjashme me atë të të birit më vonë, edhe e ëma këmbënguli dhe në vitin 1926 u martua me një telegrafist, i cili ia kishte fituar zemrën me serenata me violinë natën poshtë dritares. Se si janë bashkuar prindërit e tij, Gabriel García Márquez e tregon në romanin e tij "Dashuri në kohët e kolerës". Shumë nga veprat e tij i kanë rrënjët në vërtetësi. Edhe tregimi i njohur "Kronika e një vdekjeje të paralajmëruar" tematizon ngjarje nga mjedisi i tij.

Gabrieli, më i madhi i fëmijëve, rritet te gjyshërit. Gjyshi i jep libra, Gabrieli përpin autorët kolumbianë dhe spanjollë, më vonë edhe Hemingway, Faulkner dhe Kafkën. Gjyshja një pastiçiere dhe rrëfimtare e talentuar, e edukon atë me histori fantastike, i tregon dhoma të ndaluara, ku thotë se jetojnë të afërmit e vdekur. Ushqim për fantazinë e Gabrielit, por edhe burim i maktheve dhjetëravjeçare. Një fëmijë i vetmuar mes grave: gjyshes, hallave dhe shërbëtoreve indiane. "Prej andej", shkruan García Márquez në kujtimet t e tij, "vjen me sa duket bindja ime, se gratë e mbajnë botën, ndërsa ne burrat me brutalitetin tonë historik, sjellin vetëm çrregullim."

Marquez rrugës për në qytetin e lindjes Aracataca
Gabriel García Márquez rrugës për në qytetin e lindjes AracatacaFotografi: AP

Një botë në ndryshim

Rregull nuk ka as në atdheun e tij. E pavarur nga Spanja që prej fillimit të shekullit të 19-të, Kolumbia në vitin 1886 u bë demokracia e parë në Amerikën Latine. Por vazhdimisht ka luftëra civile të përgjakshme. Kur lind Gabrieli në vitin 1927, merr fund një periudhë e bumit ekonomik, na i cili kanë përfituar qytetet dhe investitorët e huaj. Popullsia e fshatit punon shumë dhe mbetet e varfër. Shkak për protesta sociale, që në vitin 1928 përfundojnë në një masakër. Mbledhësit e bananeve, të cilët demonstrojnë para kompanisë amerikane United Fruit për pagat e papaguara, qëllohen me armë nga trupat qeveritare, ka shumë të vdekur. Edhe këtë ai e përshkruan në librin e tij, bestsellerin e botuar në 1967, "Njëqind vjet vetmi".

Gabriel García Márquez, i quajtur me dashuri "Gabo", nderohet shumë në atdheun e tij.
Gabriel García Márquez, i quajtur me dashuri "Gabo", nderohet shumë në atdheun e tij.Fotografi: AP

Një tjetër ngjarje, që e shoqëron deri sot Kolumbinë, Gabo, siç e quajnë admiruesit e tij, e përjeton fare nga afër si student në Bogota. Vrasjen e kandidatit për president, liberalit të majtë Jorge Eliécer Gaitán, në vitin 1948. Gjë që ndjehet deri sot në aksionet e organizatës guerrilase FARC dhe të dhunës të karteleve të drogës.

Me të ardhura shumë të pakta

Gabriel García Márquez i ndërpret studimet dhe mundohet të punojë si gazetar. "García Márquez jetonte me të ardhura shumë të pakta", tregon përkthyesja e tij gjermane Dagmar Ploetz. Në vitin 1958 ai martohet me dashurinë e tij të rinisë Mercedes Barcha, atyre u lindin dy djem. Gati gjithmonë mungojnë paratë.

1982: García Márquez merr çmimin Nobel në Stokholm
1982: García Márquez merr çmimin Nobel në StokholmFotografi: AP

Përvojën e urisë, varfërisë dhe dhunës ai nuk e harron kurrë. Gjithë jetën e tij ai angazhohet për të dobëtit, në vitet 60-të mbështet lëvizjet e Amerikës Latine për pavarësi. Nga kjo periudhë daton miqësia e tij e kritikuar shpesh me Fidel Castron. Në vitet 90-të dhe 2000 ai lufton kundër krimit dhe trafikut të drogës dhe ndërmjetëson në mes qeverisë dhe guerilasve.

Përralla magjike për të rritur

Suksesi i tij si shkrimtar nis në vitin 1967 me "Njëqind vjet vetmi". Libri tregon historinë e një familjeje në fshatin fiktiv Macondo, i cili brenda një shekulli kthehet nga një copë tokë me kasolle bambuje në një qytet të lulëzuar. Realiteti dhe fantazia përzihen, libri është plot personalitete të çudtishme dhe ngjarje, që lidhen me historinë e Kolumbisë dhe të familjes së autorit. Për shumëkënd romani është një epos nacional i Amerikës Latine, historinë e së cilës ai pasqyron në mënyrë letrare.

Për shkrimtarin libri "Njëqind vjet vetmi" ka qenë si një terapi. Kritiku kolumbian i artit Carlos Rincón kujton në një intervistë: "García Márquez thoshte, se ëndrrat e tij nga shtëpia e gjyshërve deri në shkrimin e romanit kishin qenë makthe. Kur ai i ktheu jetën dhe kujtimet në fiksion, ai shpëtoi prej tyre."

Në vitin 1982 Gabriel Garcia Marquez merr çmimin Nobel në letërsi. "Për romanet e tij dhe tregimet e shkurtra, në të cilat fantastikja dhe realja shkrihen në një botë të larmishme të imagjinatës duke pasqyruar jetën dhe konfliktet e një kontinenti", është vlerësimi i komisionit. Krahas autores kiliane Isabel Allende ai ka qenë përfaqësuesi më i rëndësishëm i këtij "realizmi magjik" në Amerikën Latine.

Donte gjithmonë të bëhej shkrimtar
Donte gjithmonë të bëhej shkrimtarFotografi: AP

Tani tregimtari i madh kolumbian ndërroi jetë në shtëpinë e tij në Mexiko City. "Dua të bëhem shkrimtar dhe do të bëhem." Premtimin e ka mbajtur.