1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ndyshime të pjesshme të Kushtetutës

Fatos Musliu24 Korrik 2014

Sipas ekspertëve juridikë në Maqedoni s'ka nevojë për ndryshime selektive të Kushtetutës. Pas plotësimeve dhe ndryshimeve të njëpasnjëshme të saj duhet të mendohet seriozisht për hartimin e një Kushtetute të re.

https://p.dw.com/p/1ChXr
Parlamenti i Mqedonisv në Shkup
Fotografi: AP

Parlamenti i Maqedonisë me shumicë votash i ka dhënë dritë jeshile ndryshimeve kushtetuese, që kanë të bëjnë kryesisht me sferën e gjyqësisë, financave, si dhe rregullimin e bashkëshortësisë, e cila me Kushtetutë do të definohet vetëm si bashkësi mes burrit dhe gruas. Ndryshimet e inicuara kushtetuese duhet t'i kalojnë disa faza ndërsa miratimi i tyre i tërësishëm dhe implementimi në praktikë duhet të ndodhë nga fundi i këtij viti. Në arsyetimin se pse duhen bërë këto ndryshime në aktin më të lartë ligjor të vendit, ministri i Drejtësisë, Adnan Jashari, shpjegoi se ato kërkohen nga Bashkësia Ndërkombëtare. “Reformat në gjyqësor çdo herë kanë qenë prioritet i Qeverisë dhe ato janë nën vëmendjen e interesit të publikut profesional, shkencor dhe atij më të gjërë. Ne dëshirojmë përforcimin e pavarësisë dhe rritjen e efikasitetit të gjyqësorit”, shprehet ministri Jashari.

Ekspertët kundër ndyshimeve “makiazh”të Kushtetutës

Ekspertët për çështje juridike ndyshimet Kushtetuese, që kanë në fokus çështjet ekonomike dhe juridike, i vlersojnë si makiazh për të fshehur problemet, që janë në sistemin gjyqësor dhe atë financiar. Profesori universitar Jeton Shasivari thotë se Bashkimi Evropian nga Maqedonia kërkon zbatim të ligjeve dhe Kushtetutës dhe jo ndryshimin e tyre.

Nikola Gruevski Premierminister Mazedoniens 19.06.2014
Fotografi: MIA

“Procesi i rindryshimeve parciale ose të pjesëshme kushtetuese asnjëherë nuk sjellin rezultate pozitive për realizimin e qëllimeve. Çështja më e hidhur në këtë proces të ndryshimeve kushtetuese, do të jetë mungesa e zërit të opozitës e cila bojkoton punimet e Parlamentit”, shprehet profesori Shasivari.

A do të shndërrohet Maqedonia në parajsë tatimore

Izet Zeqiri, profesor ne fakultetin e Ekonomisë, thotë se nuk ka nevojë për intervenime në Kushtetutë për t'u rregulluar çështjet ekonomike. Ndryshimet e reja në Kushtetutë do të mundësojnë formimin e zonave të reja ndërkombëtare financiare, ose të njohura si “parajsë tatimore“, që sjell investues nga jashtë për një vend. Sipas profesorit Zeqiri formimi i zonave financiare ndërkombëtare, niveli i borxhit publik dhe defiçiti buxhetor mund të rregullohen edhe me akte ligjore dhe jo me ndryshim të Kushtetutës. “Që të hapet një zonë ndërkombëtare financiare në Maqedoni, nuk ka pengesë nga Kushtetuta aktuale, andaj jam i mendimit se ky makiazh kushtetues ka të bëjë me një veprim populist, i cili mund të jetë në dëm të një qeverie të ardhshme”, thotë profesori Zeqiri.

Hapja e zonave financiare ndërkombëtare është në kundërshtim me rregullativën evropiane, thotë profesori universitar Nikolla Popovski.

Mersel Bilalli, ekspert për çështje juridike
Mersel Bilalli, ekspert për çështje juridikeFotografi: Fatos Musliu

“Në këto zona do të kemi një sistem, ku nuk do të vlejnë ligjet dhe rregullat ekzistuese, do të ketë legjislacion krejtësisht tjetër për punën bankare, qarkullimin pagesor, marrëdhëniet e punës dhe financat. Meqë bëhet fjalë për sistem paralel, kjo të jetë në kundërshtim me legjislacionin evropian”, shprehet Popovski.

Opozita shqiptare nuk përkrah ndryshimet në Kushtetutë

Opozita shqiptare në Parlament PDSH është shprehur kundër ndryshimeve kushtetuese, sepse sipas tyre ata janë kundër hapjes selektive të Kushtetutës. “Është e qartë që partnerët qeveritarë janë dakorduar që të mos preket në çështjet etnike, të mos rregullohet avancimi i statusit juridiko-kushtetues të shqiptarëve në Maqedoni, të mos ketë zyrtarizim të gjuhës shqipe, ndryshime në flamurin shtetëror dhe himnin. Kjo për PDSH-në është e papranueshme dhe për këtë shkak ne nuk përkrahim ndryshimet selektive të Kushtetutës, që propozohen nga kjo Qeveri”, shprehet kryetari i grupit parlamentar të PDSH-së Imer Aliu.

Pse jo edhe Kushtetutë e re

Një pjesë e ekspertëve të çështjeve juridike të cilët janë kundër ndryshime të pjesëshme kushtetuese kanë ngritur idenë e hartimit të një kushtetute të re për shkak të kontestimit të kësaj aktuales jo vetëm nga shqiptarët por edhe për shkak të zbrastirave dhe debateve që shkaktojnë herë pas here çështje të ndryshme që nuk janë përcaktuar si duhet. Eksperti juridik dhe ish profesori i të drejtës kushtetuese Savo Klimovski, thotë se në tryezë duhet të vihen kërkesat për shqyrtimin e tërësishëm të Kushtetutës. “Kushtetuta jonë ka pasur aq shumë ndryshime dhe plotësime, sa që koha është që Qeveria të formojë një komision, i cili pas analizave të bëjë një rishikim të plotë të Kushtetutës, të iniciohet procedura për miratimin e një Kushtetute të re”, shprehet profesori Klimovski.

Për ekspertët juridikë është tejet diskutabël edhe iniciativa për themelimin e Institutit për ankesa kushtetuese, që parashihet me ndryshimet e fundit të Kushtetutës. Mersel Bilalli, ekspert për çështje juridike, thotë se me këtë Institut krijohet një mekanizëm, që mundëson të shtyhet në një afat më të gjatë mundësia që qytetari t'i drejtohet gjykatës në Strazburg në raste, kur është i bindur se nuk funksionon shteti ligjor.

Popovski: "Hapja e zonave financiare ndërkombëtare në kundërshtim me rregullativën evropiane."
Popovski: "Hapja e zonave financiare ndërkombëtare në kundërshtim me rregullativën evropiane."Fotografi: Petr Stojanovski

“Aty ku funksionon shteti juridik, Instituti për ankesë kushtetuese nuk është i dëmshëm, por në një shtet siç është Maqedonia, ekzistimi i tij hap shumë dilema”, ka thënë Bilalli.

Brukseli syhapur ndjek ndryshimet në Kushtetutë

Komisioni Evropian ndryshimet kushtetuese do t'i analizojë me kujdes. Brukseli ka porositur se për ndryshimet kushtetuese është e nevojshme të kihet konsensus të gjërë politik dhe shoqëror dhe jo si tani që këto ndryshime kushtetuese po iniciohen, kur opozita është jashtë Parlamentit

Ndryshimet Kushtetuese duhet të miratohen me shumicë të kualifikuar, ose me dy të tretat e votave në Parlament. Shumica parlamentare VMRO, BDI dhe GROM, kanë numrat e duhur për të miratuar këto ndryshime.