1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ndihmë për mijëra refugjatë në Mesdhe

aud/haz/se (dpa, afp, rtr)4 Maj 2015

Qindra migrantë janë mbytur deri tani këtë vit në Mesdhe, megjithatë gjithnjë e më shumë njerëz e rrezikojnë dhe e ndërmarrin rrugën e rrezikshme. Vetëm në fundjavë u shpëtuan disa mijëra refugjatë.

https://p.dw.com/p/1FJW3
Varke me refugjate prane Italise
Fotografi: Picture-alliance/epa/Italian Coast Guard

Marina dhe roja bregdetare kanë shpëtuar në Mesdhe më shumë se 6300 refugjatë me varka. Kjo rezulton nga shifrat e fundit, që paraqitën rojet bregdetare italiane dhe greke si dhe autoritetet në Libi.

Siç u bë e ditur, në përpjekjen e rrezikshme në fundjavë e humbën jetën të paktën dhjetë vetë. Shtatë migrantë u gjetën të vdekur në varkat e gomës të tejmbushura, të cilat ishin në rrezik 70 km në verilindje të kryeqytetit libian Tripolis. Tre refugjatë të tjerë u mbytën, kur kërcyen në det për të arritur një rimorkiator, që donte t'i ndihmonte.

Shumë dalje në det, shumë të shpëtuar

Vetëm të shtunën (02.05) , sipas autoriteteve italiane në 17 dalje në det u shpëtuan 3700 refugjatë me varka. Të dielën (03.05) u zbuluan tetë varka të tjera gome dhe pesë anije me 2100 njerëz të tjerë. Qindra të shpëtuar i hipën në bordin e anijeve të ndryshme që shkonin në drejtim të Italisë. Tre trafikantë i arrestuan.

Autoritetet greke të rojes bregdetare kapën në Egje 530 migrantë të tjerë. Shumica e migrantëve vinin nga Siria, Somalia dhe Afganistani, bënë të ditur mediat lokale.

Nëpër Egje kalojnë itineraret, përmes të cilave bandat e trafikantëve sjellin migrantë për në Evropë. Kampet e pranimit në Greqi janë të tejmbushur. Shumica e këtyre migrantëve përpiqen prej Greqisë të shkojnë në Evropën Qendrore.

"Do ta provojmë sërish"

Roja bregdetare libiane ndaloi të dielën në afërsi të bregdetit rreth 500 refugjatë, të cilët qenë nisur me pesë varka në drejtim të Evropës. Sipas autoriteteve ata u sollën në tokë dhe u dërguan me autobusë në kampe internimi pranë Misratas. "Ne do ta provojmë sërish, për herë të dytë dhe për herë të tretë. Ose e arrijmë Evropën, ose vdesim", tha një grua që donte të mbetej anonime. Shumica e migrantëve, të cilët duan ta arrijnë Evropën përmes Mesdheut nisen nga Libia.


Më e prekur nga problematika e refugjatëve është Italia. Ajo kërkon ndihmë nga shtetet e tjera. Sipas UNHCHR-së, në vitin 2014 në Itali mbërritën 170.000 refugjatë me varka. Për vitin 2015 ekspertët besojnë se shifra do të jetë më e lartë.