1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ndihma për mësimin e gjermanishtes në shkollën fillore

Alois Berger/Angjelina Verbica8 Qershor 2013

Fëmijët me sfond migracioni shpesh kanë nevojë për mbështetje të posaçme në shkollë. Në Bon ka prindër, që paguajnë nga xhepi i tyre për të ndihmuar më shumë nxënësit me probleme gjuhësore.

https://p.dw.com/p/18mDM
Fotos der Erich-Kästner-Schule in Bonn, aufgenommen am 5.6.13 von Alois Berger Lehrerin Gabriala Schäfer mit Schülern Copyright: DW/A. Berger ***NUR ZUR EINMALIGEN VERWENDUNG FÜR DIE REPORTAGE VON HERRN BERGER***
Erich-Kästner-Schule Bonn Lehrerin Gabriala SchäferFotografi: DW/A. Berger

Dita e shkollës fillon me lot. Pauline ka vënë syze të reja dhe Denise ia prish qejfin, duke i thënë se nuk i shkojnë fare. Tani Paulinën nuk ka gjë, që e qeteson më dhe zonjës Schäfer i duhet ca kohë, derisa vajza t'i besojë se syzet i rrinë mirë dhe që vajza tjetër të bindet se nuk duhet të thotë gjëra të tilla dhe që nxënësit e klasës 3a të rrinë pastaj urtë dhe të ndjekin me vëmendje mësimin.

Pas pak në orën e gjermanishtes Pauline ndërton një fjali të bukur pyetëse me kryefjalë, kallëzues dhe kundrinor, të cilën ia drejton me zë të lartë Emre-s. Ai pasi përgjigjet saktë, i drejton një pyetje tjetër Aliut. Gabriela Schäfer u jep mësim 23 nxënësve nga 12 vende në këtë klasë të tretë të shkollës Erich Kästner në Bon. Disa, si për shembull Leo, kanë prejardhje të ndryshme brenda familjes dhe një sfond shumë kompleks migracioni: "Unë jam nga Anglia, babai im nga Hollanda, nëna ime nga Afrika e Jugut dhe motra ime nga Gjermania, pra prej këtu."
Megjithë kombësitë e shumta shkolla e Paulinës, Emres, Aliut dhe Leos nuk ka stigmën e shkollës "problematike". Kjo sigurisht ka të bëjë edhe me faktin se nxënësit janë një përzierje interesante, edhe pse shkolla Erich Kästner ndodhet në një lagje, ku jetojnë shumë përfitues të ndihmave sociale. Pikërisht në mesin e prindërve të fëmijëve të huaj ka shumë mjekë, farmacistë, profesorë. Në shkollë të bie në sy se fëmijët pothuajse kurrë nuk flasin në ndonjë gjuhë të huaj me njëri-tjetrin, edhe kur kanë të njëjtën prejardhje emigracioni. "Kjo mund të ndodhë shumë shumë gjatë pushimit", thotë mësuesi, Markus Wolf, "kur është fjala që një fëmijë tjetër të mos marrë vesh, se çfarë janë duke thënë.”

Me përvojën nga PISA

Shkolla Erich-Kästner-Schule në Bon
Shkolla Erich-Kästner-Schule në BonFotografi: DW/A. Berger

Markus Wolf organizon prej disa vjetësh në shkollën Erich-Kästner ndihmën individuale për nxënësit, që nuk janë shumë mirë me mësime. Në fakt edhe këtu bëhet ora shtesë për mësimin e gjuhës gjermane, diçka e zakontë tani për fëmijët me sfond emigrimi. DAZ, thotë Gabriela Schäfer, gjermanishtja si gjuhë e dytë. "Atëherë ne shohim se në cilat orë ata nuk humbasin shumë, që në këtë kohë të shkojnë në orën e DAZ.”
Mësimi shtesë i gjuhës është tani standard thuajse në të gjitha shkollat në Gjermani. Autoritetet shkollore kanë mësuar nga analiza të tilla si studimi i PISA-s. Por shumë në shkollën Erich Kastner, sidomos prindërit gjermanë, ishin të mendimit se kjo nuk është e mjaftueshme. Me qëllim që fëmijët e tyre të marrin ndihmën më të mirë të mundshme, ata kanë organizuar financimin e një mësuesi shtesë. Për këtë qëllim atyre iu është dashur të themelonin një shoqatë, përmes së cilës financohet ky vend pune. Disa prindër madje paguajnë shumë nga xhepi i tyre. Ata mbështesin shoqatën me ndihma bujare.
Nëse këta prindër kujdesen për shanset e nxënësve më të dobët, apo e bëjnë këtë nga më tepër frika se fëmijët e tyre mund të pengohen nga vështirësitë gjuhësore të nxënësve të tjerë, kjo nuk ka rëndësi për Gabriela Schäfer dhe Markus Wolf. Ato e shohin hapjen e një vendi mësimdhënieje shtesë në rradhë të parë si një mundësi për të treguar me anë të punës individualë me secilin nxënës, se sa lehtë mund të zgjidhen disa probleme në shkollë me pak para.

Fotos der Erich-Kästner-Schule in Bonn, aufgenommen am 5.6.13 von Alois Berger Lehrerin Gabriala Schäfer mit Schülern Copyright: DW/A. Berger ***NUR ZUR EINMALIGEN VERWENDUNG FÜR DIE REPORTAGE VON HERRN BERGER***
Mësuesja Gabriela SchäferFotografi: DW/A. Berger

Gjuha kineze nganjëherë më e rëndësishme se gjermanishtja

Në klasën 3a të Gabriela Schäfer kombësia pothuajse se nuk luan më asnjë rol. Madje as Viktori nga Shangai nuk del jashtë kuadrit. Në fakt Viktori ka ardhur në Gjermani para dy vjetësh, pa patur as dijeninë më të vogël për gjuhën gjermane. Vitin e ardhshëm ai do të kthehet në Kinë dhe kjo i vështirëson gjërat. Për këtë arsye prindërit e tij mendojnë se gjermanishtja nuk ështe aq e rëndësishme. "Unë duhet të mësoj shumë mirë gjuhën kineze", thotë Viktori.
Por për klasën e zonjës Schäfer është e rëndësishme që Viktori të mbajë hapin me të tjerët. Prandaj ai shkon rregullisht me Emre dhe të tjerët në dhomën e vogël plot libra pranë derës së shkollës. Markus Wolf bën me ta pastaj ushtrime në gjermanisht dhe në lëndë të tjera, ku kanë vështirësi. "Së bashku me mësuesit ne jemi duke zhvilluar një program individual ndihme për secilin", thotë mësuesi, "sepse nevojat janë krejtësisht të ndryshme."
Emre, për shembull, thuajse nuk ka më fare probleme me gjermanishten, megjithëse nuk e ka patur të lehtë: "Babai im është nga Irani, nëna ime nga Iraku, në shtëpi ne flasim persisht." Emre është krenar, që krahas gjuhës gjermane ai flet rrjedhshëm edhe persishten, ashtu si dhe Viktori, Leo dhe Aliu, që janë krenarë për dygjuhësinë e tyre. Atyre ua lexon në fytyrë, sa u bëhet qejfi, kur aftësitë e tyre vlerësohen nga klasa. "Po, Leo ndihmon nganjëherë, kur dikush nuk di ndonjë fjalë anglisht", thotë Rabea. Edhe Elias-it gjuhët e tjera i duken gjithsesi gjë e mirë: "Ato thonë nganjëherë diçka në gjuhën e tyre, ose e shkruajnë emrin në gjuhën kineze në pëllëmbën e dorës. E madhe fare."
Mësuesja Gabriela Schäfer mendon se nga fëmijët gjermanë të klasës së saj duket që shkolla Erich Kästner bën shumë gjëra siç duhet. "Fëmijët i shohin kombësitë e tjera si diçka krejt normale dhe kuptojnë edhe se ka fëmijë, të cilëve unë mund t'u ndihmojnë.”'
Kur Viktori, Emre dhe Leo flasin për origjinën e tyre dhe familjet e tyre, Ella qëndron pak e drojtur mënjanë. Duket gati sikur i ka pak zili për gjuhët dhe shtigjet e përzira të jetës së tyre. Ndoshta ajo për këtë arsye e ka sajuar sfondin e vet të emigracionit: "Unë jam Ella dhe vi nga Gjermania e jugut dhe Gjermania."

Fotos der Erich-Kästner-Schule in Bonn, aufgenommen am 5.6.13 von Alois Berger Schulpädagoge Markus Wolf Copyright: DW/A. Berger
Mësuesi Markus WolfFotografi: DW/A. Berger