1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

NATO-përballë sfidave të reja të sigurisë në Europë

Ani Ruci16 Prill 2014

Intervistë ekskluzive me Prof. Matthew Rhodes, ekspert i sigurisë kombëtare në Qendrën Europiane për Sudime në fushën e Sigurisë, George C. Marshall, në Garmisch Partenkirchen, Gjermani.

https://p.dw.com/p/1BjRQ
Fotografi: John Thys/AFP/Getty Images

DW: Prof. Rhodes, pesë vjet pas zgjerimit të NATO-s me dy vende të reja nga rajoni i Europës Jug- Lindore, Shqipërinë dhe Kroacinë, si e vlerësoni kontributin e tyre në Aleancën Atlantike në fushën e sigurisë rajonale, europiane dhe më gjerë?

Matthew Rhodes: Shqipëria dhe Kroacia, kanë bërë përpjekje për të luajtur një rol konstruktiv në Europën Jug- Lindore, të dyja vendet kanë qënë në këto pesë vite dhe mbeten me një rol aktiv në kuadër të bashkëpunimit rajonal në fushën e sigurisë. Ndërkohë, Shqipëria dhe Kroacia kanë ndarë përvojën e tyre me vendet e tjera të rajonit si Malin e Zi, Maqedoninë, Bosnjë- Hercegovinën dhe së fundi edhe me Kosovën në përpjekjet që kanë bërë dhe gjithë procesin që kanë kryer për t'u bërë më 1 prill 2009, në samitin e NATO-s në Strasburg/Kehl, anëtare të Aleancë Atlantike.

DW: Prof.Rhodes, cili nga vendet që ju përmendët në rajonin e Ballkanit Perëndimor është më pranë anëtarësimit në NATO?

Matthew Rhodes: Mali i Zi dhe Maqedonia janë pothuajse në të njëjtin nivel në procesin e anëtarësimit. Maqedonisë i duhet vetëm të zgjidhë me Greqinë çështjen e emrit dhe është gati për t'u anëtarësuar në NATO. Po zhvillohen bisedime diplomatike mes palëve dhe takime në organizatën e Kombeve të Bashkuara për të zgjidhur mosmarrëveshjen me Greqinë për këtë çështje. Ndërsa Mali i Zi është më larg në procesin e anëtarësimit në NATO. Në këtë vend edhe pse janë plotësuar një pjesë e standarteve që kërkon anëtarësimi në Aleancën Atlantike ka një mbështetje të ulët të publikut për NATO-n.

Ndërsa në Bosnjë- Hercegovinës anëtarësimi lidhet me “Pronësinë e Mbrojtjes”, pra me atë se cila strukturë do ta ketë: Federata e B-H apo edhe Republika Serbska? Zgjidhja e kësaj çështjeje ka qenë dhe mbetet një kusht i NATO-s, që në vitin 2010. Ndërsa për Kosovën, mund të them që të gjitha vendet anëtare të NATO-s dhe ato potencialisht për t' u bërë anëtare bashkëpunojnë me praninë e KFOR-it në Kosovë. Nuk mund të flitet për afate kohore lidhur me procesin e anëtarësimit në NATO pasi Kosova nuk është ende anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, një parakusht për anëtarësim në Aleancën Atlantike ndërkohë që katër vende anëtare -Spanja, Greqia, Rumania dhe Slovakia- nuk e njohin ende Kosovën si shtet të pavarur.

DW: A ka zhvillime të reja në konceptin strategjik të NATO-s të “smart defence” mbrojtjes inteligjente, kur siguria dhe paqja në Europë po kërcënohen nga rreziqe të paparashikuara? E kam fjalën tek kriza në Ukrainë, që ka ndryshuar mjedisin e sigurisë dhe përbën një sfidë për Aleancën Atlantike?

Matthew Rhodes: Koncepti strategjik i “Smart Defence” u prezantua nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s , Anders Fogh Rasmussen në Samitin e NATO-s në Lisbonë, në nëntor të vitit 2010 dhe u zhvillua më tej në samitin e NATO-s në Çikago, në Maj 2012. Qëllimi i adaptimit të këtij koncepti ka qënë që ta bëjë Aleancën Atlantike më efikase, më të adaptueshme ndaj sfidave që nxjerr realiteti dhe menaxhuar më mirë çështjet që lidhen me sigurinë. Sekretari i ri i Përgjithshëm i NATO-s, kryeministri i Norvegjisë, Jens Stoltenberg që është marrë me çështjet e ”smart defence” në Norvegji do të reflektojë në samitin e ardhshëm të NATO-s, që do të zhvillohet në shtator të këtij viti në Skoci, në Wales, adaptimin e këtij koncepti strategjik për t'iu përgjigjur mjedisit të ri të sigurisë në Europë, të ndryshuar për shkak të krizës në Ukrainë si edhe gjithë sfidave që paraqiten aktualisht lidhur me sigurinë dhe paqen. Ideja është që NATO do të zbatojë këtë koncept strategjik në mënyrë fleksibël. Ndërkohë që mbeten në qendër të vëmendjes si deri me tani , “cyber defense” pra për të kundërshtuar sulmet ndaj rrjeteve kompjuterike, menaxhimi i krizave dhe lufta ndaj terrorizmit.

DW: A vihet në vështirësi plotësimi i angazhimeve të vendeve anëtare të NATO-s për t'iu përgjigjur përballlimit të sfidave në mjedisin e ndryshuar të sigurisë në Europë për shkak të krizës në Ukrainë, kur ka vende anëtare si Shqipëria me buxhete modeste, do të thoja shumë të ulta, në fushën e mbrojtes?

Matthew Rhodes: Sfidën e buxhetit nuk e ka vetëm Shqipëria por gjithë vendet anëtare të NATO-s. Nuk është një problem i veçantë vetëm për Shqipërinë.

Intevistoi: Ani Ruci