1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Naim Trnava: Ne kemi një tolerancë jashtëzakonisht të madhe fetare

Bahri Cani21 Gusht 2014

Kyetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Trnava për DW: "BIK nuk do t'i lejojë askujt të cënojë tolerancën fetare dhe ardhmërinë e Kosovës". Ai prononcohet edhe për arrestimet e fundit dhe gjendjen nëpër xhami.

https://p.dw.com/p/1CyJD
Fotografi: picture-alliance/AP

Deutsche Welle: Cili është qëndrimi juaj ndaj arrestimeve të personave të dyshuar për ekstremizëm, xhihadizëm dhe terrorizëm në Kosovë?

Naim Trnava: Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) e përkrah çdo aksion që vjen nga institucionet tona. Çdo aksion, i cili ka të bëjë me sigurinë e vendit, me ardhmërinë, prosperitetin dhe me çuarjen përpara të të gjitha proceseve të vendit tonë. BIK ka përkrahur këto aksione, por pa dashur të paragjykojë nëse të arrestuarit janë fajtorë, sepse kjo është punë e organeve të shtetit.

DW: Si e shpjegoni rritjen e ekstremizmit fetar islam në Kosovë, pasi këto ditë janë arrestuar më shumë se 40 persona, që për Kosovën me siguri nuk është pak?

Naim Trnava: Kjo nuk është pak, por unë si myftiu i Republikës mund të them me plot përgjegjësi: E ndjej veten mirë pasi në Kosovë ende nuk ka ndodhur asnjë ekses mes besimtarëve të tri komuniteteve kryesore që jetojnë këtu. Ne kemi një tolerancë jashtëzakonisht të madhe fetare, të cilën e kemi trashëguar shekuj me radhë dhe të cilën BIK synon ta ruajë edhe më tutje. Ne me siguri që do të bëjmë çmos që ketë tolerancë dhe harmoni ndërfetare dhe ta ruajmë atë. Kjo tolerancë fetare karakterizon jo vetëm Kosovën por të gjitha trojet etnike shqiptare. Edhe një herë po e them: të arrestuarit me siguri që janë marrë për diçka. Ata janë të fajësuar dhe akuzuar por jo edhe të gjykuar. Janë të dyshuar për veprimtari, të cilën po e quajmë ekstremizëm, terrorizëm etj, por duhet të priten vendimet.

DW: Megjithatë si e shpjegoni rritjen e ekstremizmit fetar islam në Kosovë?

Naim Trnava: Ju lutem, unë nuk them se ka ekstremizëm në Kosovë. A ka ekstremizëm, apo terrorizëm kjo mbetet të diskutohet edhe më tutje. Me siguri që ka të dyshuar për këtë, por shteti i di më mirë këto gjëra, sepse unë nuk jam i thirrur t'i di ato. Nga syri i një udhëheqësi të një bashkësie fetare autoktone, më të madhes në Ballkan, sigurisht që shoh dhe vërej atë që ndodh brenda xhematit tonë, brenda pjesëtarëve të komunitetit tonë të besimit islam. Po e them edhe një herë: BIK do të punojë me tërë fuqinë e vet në parandalimin e çdo mundësie të çfarëdo lloj ekstremizmi që dikush përpiqet ta fusë brenda komunitetit tonë. Është një e vërtetë e pamohueshme, se pas luftës, hyrjet dhe daljet në Kosovë kanë qenë në një farë mënyre të pakontrolluara. Ndaj në Kosovë ka hyrë dhe ka dalë gjithkush, nga do të ketë qenë ai. Kufijtë kanë qenë të hapur. Në dhjetë vitet e fundit kam tërhequr vërejtjen me dhjetëra herë se duhet të kemi kujdes se kush po hyn dhe po del nga Kosova. Ka pasur mundësi dhe ka mundësi të indoktrinimit të një pjese të të rinjëe tanë, sepse ata që kanë ardhur në Kosovë mund të kenë pasur qëllime jo të mira në raport me ardhmërinë e Kosovës, apo kanë dashur të mbjellin farën e sherrit në mesin e të rinjve tanë.

DW: Ju e përmendët disa herë se BIK angazhohet për ruajten e tolerancës fetare. Sa real është rreziku për cënimin e këtyre raporteve të mira të fesë islame me bashkësitë tjera fetare ne Kosovë?

Naim Trnava: Nuk ka fuqi e cila mund t'i cënojë këto raporte kaq të forta mes komuniteteve fetare në Kosovë. Kështu jemi të urdhëruar në Kur'an, i cili urdhëron respekt ndaj besimit tjetër. Urdhëron të jemi në vazhdimësi bashkëpunues me besimtarët e feve të tjera dhe t'i respektojmë fetë e tjera, të jetojmë në tolerancë dhe paqe. Nuk ka fuqi dhe mundësi askush që të cënojë këto raporte të shkëlqyeshme në Kosovë, në veçanti me komuniteitin katolik në Kosovë.

DW: Zoti Trnava, edhe elementët radikalë fetarë referohen pikërisht tek libri i shenjtë Kur'ani, të cilin e përdorin si bazë për luftën e tyre kundër të tjerëve. Si e shpjegoni ju faktin që në emër të Allahut dhe Kur'anit bëhen vrasje në vendet e tjera?

Naim Trnava: Islami nuk ka asgjë të përbashkët me vrasje, me tortura, me dhunime, me vepra të liga dhe të këqija. Sigurisht që Kur'ani në asnjë ajet nuk urdhëron diçka të tillë. Kur'ani është i pastër dhe e do pastërtinë. Sipas Kur'anit, nëse vret vetëm një njeri të pafajshëm, është sikur të vrasësh tërë njerëzinë apo ta zhdukësh jetën mbi sipërfaqen e tokës. Ndërsa të bëhesh shkaktar që të mbijetojë një njeri, është sikur të bësh që e gjitha bota të mbijetojë. Këtë e urdhëron Kur'ani. Në 44 vende në Kur'an përmendet fjala paqe, vetëm në katër vende përdoret fjala luftë. Kjo do të thotë se Allahu xheleshane hu, 40 herë më shumë kërkon që të punohet për paqën, për një ardhmëri të sigurt pa dallim vendi, besimi, gjuhe apo ngjyre.

DW: Çfarë po bëni ju konkretisht si BIK për të çrrënjosur elementët radikalë në shoqërinë e Kosovës?

Naim Trnava: BIK sikur edhe deri tani përmes imamëve që i ka në tërë Kosovën, përmes trajnimeve, tubimeve dhe bisedave të ndryshme, në vazhdimësi ka tërhequr vërejtjen për rrezikun e futjes së elemetëve nga jashtë dhe ndikimin e tyre tek të rinjtë dhe xhemati jonë. Ne po përpiqemi që përmes bisedimeve dhe aktiviteteve të ndryshme t'i bindim të tjerët që nesër, Zoti na ruajtë, të mos tentojnë të bëjnë diçka që është në kundërshtim me parimet e fesë. BIK është e gatshme të marrë përgjegjësinë që i takon. Ndërsa institucionet e shtetit duhet ta kryejnë punën e tyre dhe të marrin përgjegjësinë e plotë për sigurinë e vendit. Por është e vërtetë që BIK ka çaluar dhe çalon ende në këto 15 vitet e fundit pas luftës, sepse nuk e ka të qartë pozitën e saj juridike. BIK ende nuk është e regjistruar dhe nuk kemi asnjë fuqi ekzekutive. Prej 15 vitesh qeveria dhe Parlamenti i Kosovës nuk e kanë aprovuar ligjin për qartësimin e pozicionit të bashkësive fetare. Kjo mungesë po i kushton shumë BIK. Merre me mend, BIK nuk ka mundësi që as një veturë ta regjistrojë në emër të saj. Mbetet që shteti të kryejë obligimet e veta, ndërsa ne do t'i marrim përgjegjësitë tona, me qëllim që në Kosovë të kemi një siguri absolute dhe të mos ketë vend për elementët ekstremistë, që shkojnë në radhë të parë në dëm të fesë islame, në dëm të vendit tonë, në dëm të popullit tonë dhe dhe njerëzimit të mbarë.

DW: Ju disa herë e theksuat se ka pasur ardhje të elementëve nga jashtë: a keni të dhëna se prej cilave vende vijnë ata dhe prej nga financohen?

Naim Trnava: Këto janë çështje të cilat i takojnë institucioneve të shtetit. Ato duhet ta dinë e jo unë. Por që janë prezente, ato po shihen qartë tek disa shoqata që veprojnë në Kosovë. Ndaj shteti duhet t'i sqarojë këto gjëra, sepse kjo është punë e shtetit.

DW: A i keni Ju, pra BIK, të gjitha xhamitë, xhematin dhe imamët e Kosovës nën kontroll?

Naim Trnava: Fatkeqësisht disa nostalgjikë të ish-sistemit jugosllav, por edhe disa neokomunistë të rinj, disa media, portale, gazeta dhe televizione, po e keqshfrytëzojnë këtë situatë për të sulmuar dhe baltosur BIK. Ndaj dua të them: BIK është jashtëzakonisht e organizuar mirë. Them se: të gjitha xhamitë anë e kënd, në çdo cep të Kosovës, i kemi nën ombrellën e BIK. Dje në shtyp keni mundur të lexoni se katër xhami nuk janë nën kontrollin e BIK....

DW: ...e vërtetë është që e kam lexuar këtë lajm dhe kjo është esenca e pytjes sime...

Naim Trnava: Nuk është fjala për xhami, por për vendfalje - një në Prishtinë dhe në dy komuna të tjera. Disa njerëz janë vetëorganizuar dje kanë marrë objekte me qira, ku i kryejnë ritet e tyre. Ne për këtë e kemi ngritur shqetësimin tonë. Tash e sa vjet i kemi lajmëruar organet kompetente. Nga policia, kryetarët e kuvendeve dhe organet tona kemi kërkuar që të ndërmarrin masa. Ne si BIK nuk kemi mundësi të veprojmë në këto vende, sepse janë jashtë xhamive. Aty duhet të reagojë shteti dhe jo BIK, sepse janë vendfalje. Ne i kemi të gjitha xhamitë nën patronatin tonë. Ndërsa këto vendfalje na shqetësojnë edhe neve. Ne kemi kërkuar edhe me shkrim nga shteti që këto vendfalje të mbyllen. Pas arrestimeve të fundit është mbyllur një në Prishtinë, por ka edhe dy apo tri të tjera ku ende nuk është reaguar.

DW: Si presidentja dhe qeveria kanë premtuar se në Kosovë nuk do të ketë vend për ekstremizëm, por këto ditë kam lexuar se në mesin e të arrestuarve ka dhe imamë, të cilët punojnë në kuadër të BIK. Sa të vërteta janë këto pohime?

Naim Trnava: Asnjë imam nuk është i arrestuar. Këto të gjitha janë spekulime dhe gënjeshtra. Një i vetëquajtur imam nga Gjilani ka qenë i arrestuar një ditë por edhe ai është liruar. Pra e them me plot përgjegjësi: asnjë imam nuk është arrestuar. Këto janë spekulime shumë të ulëta nga disa njerëz që duan të shfrytëzojnë këtë situatë për të baltosur BIK. Por xhemati e di se kontributi i BIK ka qenë i jashtëzakonshëm, se BIK ka derdhë edhe gjak për çlirimin e vendit. BIK do të bëj gjithçka ka mundësi për të mirën e këtij vendi. Neve Zoti këtu na ka falë dhe mbi Kosovën nuk ka asgjë. Kosova është e shenjtë dhe nuk do të tolerojmë askënd t'i bëj keq vendit tonë, sigurisë dhe ardhmërisë së vendit tonë, pavarësisht se kush është ai: ekstremist, terrorist apo dreq i mallkum!