1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Në kërkim të ilaçit ideal të gjumit

Brigitte Osterath/Eliana Xhani12 Shtator 2013

Ilaçet e gjumit kanë famë shumë të keqe: ato konsiderohen të rrezikshme dhe shkaktojnë varësi. Por për njerëz me pagjumësi kronike këto substanca janë shpesh e vetmja zgjidhje.

https://p.dw.com/p/19gQr
Fotografi: BilderBox

Vuajtjet e Anne Marie-se nisen para 19 vjetësh: atë nuk e zinte gjumi. "Ishin 19 vite plot vuajtje", tregon ajo. "Pagjumësia është një barrë e rëndë. Njerëzit, që nuk vuajnë prej saj, nuk janë në gjendje të kuptojnë se çfarë do të thotë kjo."

Pagjumësia filloi pas vdekjes së nënës së saj. Anne-Marie kujton ende sot momentet, kur preku trupin e pajetë të nënës. "Nuk e dija që trupi i njeriut mund të ishte aq i ftohtë. Ishte tronditëse." Natën rrinte zgjuar, nuk ishte në gjendje të mbyllte sy.

Pas disa ditësh iu drejtua mjekut. "Isha aq e rënduar emocionalisht, sa qava në klinikë."

Anne-Marie është sot 68 vjeç dhe jeton në Lohmar, në afërsi të Bonit. Asaj i duhet një gjysmë ore për të treguar për gjithë mjekët, te të cilët ka qenë gjatë 20 vjetëve, kanë qenë shumë. "Por asnjëri nuk arriti të më ndihmojë."

Më në fund ajo gjeti një rrugë për ta përballuar sëmundjen: çdo mbrëmje merr një çerek tablete gjumi. "Para dhjetë vjetësh mendova: ose do pish tani këtë tabletë, ose do të vdesësh. Gjumi është i rëndësishëm po aq sa ushqimi dhe uji."

Armiku u gjumit: gjendja e tensionuar

Sipas institutit Robert-Koch rreth 25 për qind e gjermanëve kanë simptoma të pagjumësisë. Në SHBA vuajnë rreth 10 deri 15 për qind e të rriturve nga pagjumësia kronike, shkruan Qendra Kombëtare për Studimin e shqetësimeve të gjumit në SHBA.

Kush nuk flen natën, është i lodhur gjatë ditës
Kush nuk flen natën, është i lodhur gjatë ditësFotografi: Fotolia© auremar #47175777

Shkaqet kanë shpesh natyrë psikologjike, thotë Hans-Günter Weeß drejtues i Qendrës së Gjumit në klinikën e Pfalcit në Klingenmünster. "Pacientët janë çmësuar të qetësohen në dhomën e gjumit. Ata mendojnë për detyrat e jetës së përditshme."

Edhe sëmundje organike, si çrregullime të tiroides, mund të sjellin pagjumësi.

Ta detyrosh trurin të flerë

Të flesh në mënyrë të natyrshme, është gjithnjë zgjidhja më e mirë. Por disa njerëz si Anne-Marie nuk arrijnë të flenë pa ndihmë për gjumë. Për këtë arsye shkencëtarët zhvillojnë kërkime për tabletën ideale të gjumit pa efekte të dëmshme anësore.

Para disa dekadash një mjet i tillë ideal për gjumë konsideroheshin barbituratet. Por në vitet 1950 mjekët kuptuan se substancat mund të krijojnë shumë varësi. Barbituratet fituan famë të trishtueshme, kur personazhe të njohur si Marilyn Monroe vranë veten me to.

Më vonë tregun e pushtuan benzodiazepinat, ndër të cilat më i famshmi është valiumi. Megjithëse benzodiazepinat vazhdojnë të jenë në treg, ndërkohë ka një alternativë të re më të mirë: substancat Z. Ato kanë marrë këtë përshkrim, pasi emrat e tyre fillojnë të gjitha me Z. Këtu bëjnë pjesë p.sh. zolpidem dhe zopliclon. Këto substanca kanë më pak efekte anësore se benzodiazepinat dhe sot konsiderohen më të rekomanduarat për trajtimin e pagjumësisë.

Edhe substanca me bazë bimore si valeriana mund t'i ndihmojë njerëzit të qetësohen dhe të flenë. Por shpesh ato ndihmojnë vetëm në raste forma të buta të pagjumësisë. Anne-Marie thotë se valeriana e ndihmon atë vetëm nganjëherë dhe shumë shpesh nuk ka asnjë efekt.

Shpresë për një mjet të ri gjumi

Në të ardhmen Anne-Marie dhe ata, që vuajnë si ajo nga pagjumësia, mund të përdorin edhe një tjetër mjet të quajtur DORA (orexin receptor antagonist). Shkencëtarët kanë zbuluar kohët e fundit se përcjellësi nervor orexin luan një rol qendror në kontrollin e ritmit ditë-natë në trupin e njeriut. "Gjatë ditës niveli i orexinës është i lartë për ta mbajtur njeriun zgjuar", shpjegon Jason Uslaner, nga koncerni farmaceutik Merck në Pensilvani të SHBA-së. "Natën niveli bie në mënyrë që njeriu të flerë.

Substancat DORA i bllokojnë këta receptorë dhe kështu përcjellësit nervorë nuk mund të funksionojnë. Uslaner edhe ekipi i tij zhvillojnë kërkime për këtë klasë të re mjetesh gjumi. Deri tani substancat kanë pasur sukses në eksperimente paraklinike në kafshët e laboratorit. Do të duhet kohë derisa shkencëtarët të mësojnë, nëse janë të përshtatshme për t'u përdorur nga njerëzit.

Ilaçet e gjumit mund të krijojnë varësi
Ilaçet e gjumit mund të krijojnë varësiFotografi: picture-alliance/dpa

Zgjidhje e detyruar

Anne-Marie thotë se ajo ka provuar gjithçka për të fjetur në rrugë të natyrshme. Ajo themeloi madje një grup vetëndihme për të prekur nga pagjumësia. Por tani grupi nuk ekziston më, thotë Anne-Marie, pasi mungesa kronike e gjumit merr shumë energji. "Njerëzit ishin mbrëmjeve shumë të lodhur për të ardhur në takime."

Çerek tableta, që merr çdo mbrëmje, i jep atë, që i nevojitet. Mjeku ia jep recetën pa probleme, "sepse ai e di, që unë nuk marr sasi të madhe."

Por tabletat e gjumit janë vetëm një zgjidhje e detyruar dhe nuk luftojnë shkaqet e pagjumësisë. Ato vetëm qetësojnë shqetësimet. Për Anne-Marie kjo është megjithatë më se e mjaftueshme