1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mbahet manifestimi "Muzat e Alpeve 2013"

Ajete Beqiraj28 Gusht 2013

Manifestimi letrar "Muzat e Alpeve 2013", organizuar nga Shoqata Rajonale e Shkrimtarëve nga Kosova, Shqipëria dhe Mali i Zi "TEUTA", synon njohjen, afrimin, shkëmbimin e shkrimtarëve të rajonit.

https://p.dw.com/p/19XuL
Fotografi: DW/A. Beqiraj

Në gjirin e Bjeshkëve të Rugovës, shkrimtarë shqiptar e malazez nga Kosova, Shqipëria dhe Mali i Zi u bashkuan rreth vargut për të dëshmuar edhe një herë se janë poetët ata të cilët trasojnë më së miri rrugën e përafrimit ndërmjet popujve. Karvani i "Muzave të Alpeve" me emra të njohur të letërsisë shqipe dhe malazeze si: Jevrem Berkovic, Mirash Martinovic, Safet Hadrovic, Sadik Bejko, Entela Kasi, Ibrahim Kadiru, Agim Vinca, Rexhep Ferri etj., filluan me vizitën në komunën e Pejës dhe atë të Deçanit. Shkrimtari dhe publicisti nga Kosova Ibrahim Kadriu, anëtar i bordit të Shoqates Rajonale të Shkrimtarëve "Teuta", tha se :“Synimi i "Teutës" është të bashkojë popujt e Gadishullit Perëndimor. Ndërsa, hyjneshat e artit dhe të letërsisë, duke artikuluar zërat e "Muzave të Alpeve" të cilat në këtë rast vinë nga Bjeshkët e Kosovës, kanë atë forcën mrekullibërëse të zanave të maleve të cilat nuk kanë kufij mes tyre. Ndërsa, kufizimi i aktiviteteve dhe kushtëzimi i tyre me mungesë materiale është një mungesë interesimi nga institucionet përkatëse dhe vlerësim i padenjë i një aktiviteti me një peshë dhe shtrirje të tillë. Megjithatë,shpresojmë në mbështetjen e ardhshme të të tria qeverive".

Poetët të ndryshojnë pasqyrën e gabuar për popujt e Ballkanit

Shkrimtarja Entela Kasi, kryetare e Pen Qendrës së Republikës së Shqipërisë tha për DW-në se:"Për sa i takon konceptit, ishte një organizim jashtzakonisht i bukur në një mjedis Alpesh dhe në një vend muzash nga të cilat janë frymëzuar poetët si Azem Shkreli, emrat të cilëve mbeten testament i letrave shqipe. Unë falenderoj shoqatën "Teuta" për këtë sipërmarrje tepër të vështirë në aspektin e promovimit të kulturës në kushte të dy vendeve, të cilat ende nuk kanë ndërtuar vetveten me ekonomine e tyre dhe nuk kanë në program promovimin e identitetit kulturor të shqiptarëve, si një popull me kulturë të lashtë e mbi të gjitha, mjaft paqedashës". Ndërsa, për shkrimtarin Safet Hadrovic "nga Rozhaja,"Muzat e Alpeve" kanë shtruar para nesh një rrugë të mirë për të ardhmen që të njihemi, të përkthejmë librat tanë, të bartim kulturat e njëri-tjetrit në brezat e rinj dhe të prezantohemi në botë si popuj të qytetëruar çfarë edhe jemi. Sepse, është misioni ynë që pasqyrën e gabuar për ne ta ndryshojmë".

Në foto, Entela Kasi
Në foto, Entela KasiFotografi: DW/A. Beqiraj

"Çelësi i Humbur" botohet në gjuhën malazeze

Në kuadër të aktiviteve dyditore është promovuar përmbledhja poetike "Çelësi i Humbur“ (Izgubljeni kljuc) i poetit të Kosovës Ali Podrimja, botuar në gjuhën malazeze nga Shoqata e Malazezve të Kosovës, të cilën para vdekjes poeti i ndjerë e kishte lënë për redaktim tek miku i tij, Mirash Martinovic. "Një libër i ndërtuar mbi çelësin e metaforës, i cili i flet kohës së ekzodit biblik kur mbi 1 milion shqiptarë braktisën trojet e tyre nga regjimi i Serbisë, për t'u nisur drejt rrugëve të botës, vërtet drejt humbjes së origjinës së tyre", vlerësoi kritiku dhe poeti nga Kosova, prof. dr. Agim Vinca. Përderisa, për botuesin, Vujicic: "Botimi i veprës së poetit të madh shqiptar në gjuhën e tij është një hap i mëtutjeshëm në rrugën e trasuar tashmë nga poeti malazez Radovan Zogovic dhe i vellazërisë së Jevrem Berkoviqit me Ali Podrimjen, të cilët ishin shembull se si duhet çmuar vlerat e tjetrit dhe si duhet bashkëjetuar me popujt fqinj"

Çmimi "TEUTA"i ndahet shkrimtarit malazez Jevrem Berkovic

I ftuar nderi i manifestimit ishte Jevrem Berkovic, poet malazez, prozator, dramaturg, historiani, analisti i aktualiteteve politike dhe humanist, i cili shquhet me botimet e tija mbi të drejtën e popujve të rrezikuar. Disidenti i regjimeve pushtuese e shkombëtarizuese si pasojë e të cilave për disa vite jetoi në ekzil , me zërin dhe penën e tij u vu në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve të Kosovës në kohët më të vështira. Me këtë motiv, këshilli iniciativ i Shoqatës Rajonale të Shkrimtarëve (Kosovë, Shqipëri, Mal i Zi) "Teuta"në kuadër të takimit të parë "Muzat e Alpeve" vendosi që çmimin "TEUTA" t'ia ndajë autorit te 70-të veprave Jevrem Berkovic. Zv/ministri për Kulturë, Rini dhe Sport në qeverinë e Republikës së Kosovës, Hajdin Abazi, premtoi se:"Muzat e Alpeve", një ngjarje e vogël nga përmasa por me jehonë të madhe do të gëzoje mbështetjen e MKRS-së edhe në të ardhmen".

Në foto Hajdin Abazi dhe Jevrem Berkovic
Në foto Hajdin Abazi dhe Jevrem BerkovicFotografi: DW/A. Beqiraj

Çmimi "TEUTA", ka rënë në duart e duhura, sa për veprën letrare poaq për angazhimin intelektual gjatë luftërave të viteve '90-të që përfshinrë rajonin, tha për DW-në shkrimtari i mirënjohur malazez Mirash Martinovic, njëri ndër tre themeluesit e ShRSh "Teuta": "Sepse, Berkovici, në vend të dallimeve dhe luftërave fliste për paqen dhe pajtimin, për miqësinë dhe shkëmbimin, në çfarë ishte krejt i vemtuar. Por, vetmia nuk ia lëkundi aspak guximin, duke kërkuar që ata t' i përshtaten atij dhe jo ai atyre. Koha i dha të drejtë dhe vërtetoi qëndrimet e tij me një PO të madhe. Ai zë i guximshëm, edhepse ka qënë vetëm një dritë e vockël në një det errësire dhe çmendurie, ka ndriçuar dhe ka dhënë shpresë. Për këtë shpresë Brkovici e ka merituar Çmimin "Teuta"!"

"Muzat e Alpeve 2014" do të mbahen në Malit të Zi

Jevrem Berkovic, vellam i poetit të ndjerë të Kosovës Ali Podrimja dhe pasardhës i denjë i poetit malazez Radovan Zogovic,i cili me 1937 me ciklin "Ardhësit-Këngët e Ali Binakut", nxori në pah shpronësimin, përndjekjet dhe padrejtësitë që po iu bëheshin shqiptarëve të Kosovës nën sundimin e Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene, iu drejtua të pranishmëve: "Në emër të varrit të Zogoviqit, në emër të vëllazërisë sime dhe të Ali Podrimjes, në emër të të gjithë atyre historive të popullit malazez dhe shqiptar, që pasardhësve të atyre të cilët ua vranë edhe të shenjtin shpend-lejlekun nën çati, të mos silleni ndaj tyre ashtu siç janë sjellur paraadhësit e tyre ndaj paraardhësve tuaj. Të gjithë ata, madje edhe malazezët të cilët Kosovën e përjetojnë si shtet te tyre, prezantojnë një dekor civilizimi për shtetin e Kosovës, çfare Evropa do të dijë ta vlerësojë. Unë e di se ashtu do të jetë!".

Në foto, Safet Hadrovic
Në foto, Safet HadrovicFotografi: DW/A. Beqiraj

"Muzat e Alpeve" të cilat sivjet janë mbështetur nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport e Kosovës, Komuna e Pejës dhe Komuna e Deçanit, vitin e ardhshëm do të barten në Alpet e Malit të Zi. Një pjese e aktiviteteve do të mbahet në Ris, qytetin e lashtë të selisë së mbretereshës ilire, Teuta. Ndërsa, orientimi i bordit të shoqatës është që çmimi letrar "TEUTA"për vepër jetësore vitin e ardhshëm t' i ndahet poetit, prozatorit dhe publicistit të shquar nga Shqiperia, Dritëro Agollit.