1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Në Greqi shtohet numri i aborteve

30 Prill 2010

Sipas një studimi në një spital publik të Athinës gratë migrante, veçanërisht ato shqiptare, bëjnë numrin më të madh të aborteve, 65% të aborteve çdo vit. Përse ndodh një gjë e tillë? A është kjo dhe pasojë e krizës, që

https://p.dw.com/p/NAs4
Preparat abortimiFotografi: picture-alliance/ dpa

Greqia është ndër vendet e para komunitare me numrin më të madh të aborteve dhe për rrjedhim me fertilitet të ulët. Çdo gruaje i korrespondojnë tani 1.28 fëmijë nga 2.25 në vitet 80-të. Çdo vit po bëhen rreth 70.000 aborte, rreth 5.000 në klinikat e spitaleve shtetërore dhe pjesa tjetër në ato private. 1 në çdo pesë gra shtatëzëna ndërpresin shtatëzëninë, një akt që vë në rrezik, siç thotë për DW profesori i Obstetrisë-Gjinekologjisë së Fakultetit Mjekësor të Athinës dhe njëkohësisht president i Unionit Helenik të Planifikimit Familjar Nikollaos Sallakos “jo vetëm aftësinë e tyre riprodhuese, por edhe shëndetin e tyre psikik dhe sidomos vetë jetën e tyre”.

Nivel përgjithësisht i lartë i aborteve

“Tani së fundi kam parë se është rritur numri i abortimeve tek çiftet, se ekzistojnë arsye ekonomike” thotë profesori grek, i cili ndërkohë fenomenin e shpjegon kryesisht me dy arsye të tjera: Së pari, për shkak të qëndrimit “tabu” ndaj kontraceptivëve dhe masave të tjera mbrojtëse, që në Greqi përdoren nga gratë seksualisht aktive në masën 3%, kurse në Evropë në masën 23 %. Së dyti për shkak të mungesës së edukatës shëndetësore dhe seksuale. “Bëhet në shkollë, por jo në mënyrë sistematike. Përpos kësaj qëndrat e planifikimit familjar nuk funksionojnë siç duhet”, thotë profesori grek pa fshehur shqetësimin e tij se mund të ketë përkeqësim të fenomenit dhe kujton faktin, “jo për t'u ngushëlluar”, siç thotë shprehimisht, se para 10 vjetësh kishim 1 abort në çdo dy shtatëzani.

Armut in Athen Griechenland
Varfëri në GreqiFotografi: DW

Mesatarja e aborteve e lartë tek emigrantet

Arsyeja është se tani në “vallen” e aborteve hyjnë edhe gratë imigrante, që me lindjet e tyre -1/4 e totalit të 100.000 lindjeve në vit- ndikojnë ndjeshëm në riprodhimin dhe mosplakjen e popullsisë. “Shqiptaret sidomos. E dini pse? Se kanë mirëqënie”, thotë Sallakos, por dhe se “nuk janë si sirianet, myslimanet e tjerë të vendeve arabe, apo protestantet romune, që nuk bëjnë në asnjë mënyrë abort. As sterilizim”. Konstatimin e tij e vërteton një statistikë e maternitetit publik “Aleksandra”, ku gratë e huaja të moshave 18-48 vjeç bëjnë 65% të numrit total të aborteve. Pas planifikimit të rreptë familjar, kur 57% të aborteve i bëjnë gratë e martuara, duket qartë se fshihet “faktori ekonomik”, pasi pjesa dërrmuese e grave të huaja janë punonjëse, që do të mendohen shumë të sakrifikojnë vendin e punës.

Arsyet e ndërprerjes së shtatzanisë shpesh ekonomike

Të njejtin mendim ndan edhe mjeku gjinekolog Jorgo Mano, klinika private e të cilit frekuentohet në pjesën më të madhe nga gra shqiptare. Për të më shumë se faktori ekonomik, që bëhet edhe më i mprehtë në kushtet e krizës, në indeksin në rritje të aborteve të grave nga blloku lindor rol kryesor luan tendenca e adoptimit të “modelit perëndimor të jetesës. “Pak fëmijë, jetë më e mirë. Përftojnë zakone perëndimore. Ndaj dhe pjesa më e madhe e imigrantëve janë sot me 1 ose dy fëmijë. Për fëmijën e tretë vijnë dhe kërkojnë ndihmë për abort. Në të gjitha klinikat ndodh. Pjesa më e madhe vjen për të ndërprerë shtatëzëninë e padëshirueshme jo për arsye të tjera, që mund të jenë dhe shëndetësore, por thonë se nuk kanë mundësi ekonomike për fëmijë tjetër”, thotë Mano. Pyetjes sonë, se cila ishte gruaja me numrin më të madh të fëmijëve, që lindi nën kujdesin e tij mjekësor i përgjigjet: “Ishte një grua me tri fëmijë, që lindi të katërten”.

40 Jahre im Job - Hebamme
Mami me një fëmijë të porsalindurFotografi: Dieter Seitz

Ka gra, që nuk duan të dëgjojnë për abort

Kështu falë grave të tilla, por akoma dhe atyre të brezit të dytë, që nuk duan të dëgjojnë për abort, si ajo që gjetëm në parkun Panathinaikos, në bulevardin e zhurmshëm Aleksandra, gumëzhijnë sot oborret e shkollave dhe parqet urbane. “Jam nënë me një fëmijë, jam dhe e renduar tashti dhe e kam nxjerrë në park të lozë. Jam 5 muaj shtatzënë” thotë një grua korçare pa hequr për asnjë çast vështrimin nga tufa e kalamanjve, që luajnë potershëm. Por a i ka shkuar ndërmend aborti? “Jo nuk e kam menduar, se një fëmijë, që vjen në jetë, është një gjë e lumtur për çdo prind. Nuk do ta mendoja kurrë për anën ekonomike. Çdo fëmijë ka kismetin e saj”. Një epilog aspak moralizues, edhe pse aborti është i ligjeruar në Greqi që në vitin 1986.

Autor: Niko Anagnosti

Redaktoi: Angjelina Verbica